Rusia ka tërhequr shumicën e avionëve luftarakë nga Siria dhe nuk ka kryer asnjë sulm në veri të këtij vendi këtë javë, ka njoftuar ushtria amerikane.
“Ata ende kanë helikopterë dhe disa aeroplanë transportues. Por, ajo që kemi parë ne është që shumica e avionëve luftarakë rusë kanë ikur nga Siria”, ka thënë koloneli Patrick Ryder, një zëdhënës i ushtrisë amerikane.
Deklarata e tij paraqet njohjen e parë nga SHBA se Rusia është duke e ndjekur urdhërin e 14 marsit të presidentit Vladimir Putin për tërheqjen e shumicës së forcave ruse nga Siria.
Më herët, zyrtarët amerikanë patën shprehur skepticizëm lidhur me planin befasues për tërheqje dhe disa vëzhgues vazhdojnë të insistojnë se Rusia nuk është tërhequr nga Siria.
Ryder tha se aktiviteti i sulmeve ruse është ndalur këtë javë në veri të Sirisë, edhepse aeroplanët luftarakë rusë vazhdojnë t’i përkrahin forcat siriane që luftojnë kundër grupit të Shtetit Islamik, në qytetin e lashtë të Palmirës, në jug të Sirisë./rel