
Shefja e misionit të UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Ziadeh, e ka përkujtuar veprën e Bajram Qerkinit në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Ziadeh ka thënë se Çerkini, i cili ndërroi jetë më 24 shkurt të këtij viti, i ka kushtuar dekada jete avokimit të drejtës për të ditur fatin e të pagjeturve, teksa ka bërë thirrje që të shfrytëzohet komisioni për të pagjeturit për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre, shkruan Insajderi.
“Inkurajoj të gjitha palët që të shfrytëzojnë plotësisht këtë komision të përbashkët bashkërisht me grupin ekzistues të punës për të ecur më tutje pa asnjë vonesë dhe të ndihmojnë familjet që të zbardhin fatin e të dashurve të tyre.
Në këtë kontekst, dua të përkujtoj vdekjen e z. Bajram Çerkini, babai i një djali të zhdukur me forcë që i ka kushtuar dekada jete avokimit të drejtës për të ditur, përpjekjet e të cilit kanë prekur shumë komunitete dhe kanë qenë mishërim i humanizmit të të gjithë të prekurve. Trashëgimia e tij inkurajon rrugën në këtë drejtim dhe UNMIK-u mbetet i përkushtuar që të mbështes qendrën e resurseve për personat e pagjetur dhe të gjithë familjarët që kërkojnë përgjigje”, ka thënë ndër të tjera ajo.
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së po diskutohet raporti i ri gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për zhvillimet në Kosovë.
Kosova po përfaqësohet nga kryediplomatja në detyrë, Donika Gërvalla. /Insajderi.org/