×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Shefqet Kastrati, oligarku i Edi Ramës përfitues edhe gjatë vizitës së Macron në Tiranë

    Insajderi
    17 October 2023 - 20:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Shefqet Kastrati, oligarku i afërt me kryeministrin shqiptar, Edi Ramën i cili është një nga figurat më të pasura në Shqipëri, ia ‘pa hairin’ qëndrimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit. Kompania në pronësi të tij “Kastrati Group” nënshkroi një marrëveshje për zgjerim të aktivitetit të dyqaneve ‘duty-free’ me konglomeratin francez ‘Lagardère’.

    Oligarku Shefqet Kastrati është biznesmeni me prejardhje nga Kukësi. Ai është pronar i “Kastrati Group”, dhe llogaritet si njëri ndër personat më të pasur në Shqipëri, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ai në kuadër të Kastrati Group, ka edhe bizneset Kastrati SHA, Kastrati, Albsig, ASA Autostar Albania, Kastpetrol etj.

    Po ashtu, oligarku shqiptar njihet për lidhjet e tij të ngushta me politikën dhe Ramën.

    Falë lidhjeve të tij të ngushta me Edi Ramën, Kastrati e ka fituar edhe tenderin e mirëmbajtjes së “Rrugës së Kombit”. Prej më se tre vitesh kompania e tij “zhvat” kosovarët nëpërmjet taksës 10-euroshe që udhëtojnë drejt Shqipërisë. Përfitimet mujore nga kjo taksë janë milionëshe.

    Mediat në Shqipëri patën raportuar se afro 400 mijë euro në vit u vjedhen shqiptarëve në “Rrugën e Kombit”. Para hyrjës në Tunelin e Kalimashit çdo automjet që kalon në atë rrugë duhet të paguajë 5 euro taksë tek sportelet e vendosura. Por 50 cent më shumë i paguajnë shqiptarët që paguajnë me lekë, kryesisht ata që udhëtojnë nga Shqipëria për në Kosovë.

    Kontratat janë të panumërta, por insitucionet ku ka marrë më së shumti tendere oligarku shqiptar janë Gjykatat, Policia, Doganat, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Ministria e Bujqësisë, Hekurudhat, Spitalet, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, AKEP etj.

    Oligarkut Kastrati i ka lëvërdisur edhe vizita e Macronit në Shqipëri, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit. Në ambiente të aeroportit “Nënë Tereza” në Tiranë, oligarku shqiptar në prani të Ramës dhe Macronit ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me konglomeratin francez “Lagardère” për dyqane “duty-free”.

    Nga pamjet që janë publikuar atje, prezent në momentin e nënshkrimit ishin edhe presidenti Macron dhe kryeministri Rama. Përmes kësaj marrëveshje, “Kastrati Group” synon që të shtrijë shërbimin “duty-free” në mbarë pikat kufitare dhe qendrat kryesore turistike në Shqipëri. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark