Pak kohë më parë, Sllovenia përuroi termocentralin e ri në Shoshtanj të Sllovenisë, i cili ashtu si në Kosovë, u ndërtua nga gjiganti amerikan General Electric.
Nga përvoja e Sllovenisë, del se termocentrali i ri në Kosovë, përvec që sjellë pavarësi energjetike të vendit dhe mjaftueshëm rrymë për të përkrahur zhvillimin në Kosovë dhe furnizimin e rregullt, ai edhe nuk do të ndotë ajrin.
Termocentrali në Shoshtanj kishte aplikuar limite më strikte të emisioneve, sesa ato të përcaktuara nga Komisioni Evropian, njejtë sikurse edhe termocentrali i ri në Kosovë.
Sipas paralajmërimeve, termocentrali “Kosova e Re” do të plotësojë kriteret më të ashpra evropiane për mbrojtje të mjedisit dhe të ndërtohet në pajtim me teknikat më të mira ekzistuese.
“Standardet që duhet t’i përmbushin termocentralet caktohen nga rregulloret e Komisionit Evropian. Vendimi zbatues i Komisionit 2017/1442 i datës 31 korrik 2017, për themelimin e teknikave më të mira ekzistuese (BAT), në kuadër të Direktivës 2010/75/EU të Parlamentit dhe Këshillit Evropian”, thuhej në buletinin e MZHE-së, përcjell Insajderi.
Ndryshe, Kosovës i duhet të mbyllë termocentralin Kosova A. Në mungesë të kapaciteteve të reja energjetike, pas mbylljes së termocentralit Kosova A, vendi rrezikon të përballet me mungesë të dukshme të energjisë elektrike, ani pse rradhitet i treti në Evropë për nga rezervat e linjitit.
Fillimin e përgatitjeve për dekomisionimin e këtij termocentrali e kërkon edhe Komisioni Evropian, duke qenë se termocentrali i ka të tejkaluara të gjitha afatet e operimit, nuk ka mundësi rivitalizimi dhe momentalisht, vlerësohet si ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë.
Sipas strategjisë energjetike të Kosovës dhe raporteve paraprake të Bankës Botërore, zëvendësimi i Kosovës A me termocentralin e ri ekologjik dhe në pajtim me të gjitha standardet ndërkombëtare, do të ndikojë në uljen e shpejtë te vlerave të ndotjes së ajrit dhe kësisoji, edhe në shëndetin e banorëve në Obiliq.
Në rastin e Shoshtajn, vetëm 100 metra larg termocentralit, një numër qytetarësh kanë rifilluar aktivitetet bujqësore dhe shprehen të lumtur në lidhje me operimin e termocentralit të ri.
Debeljok, që e drejton termoelektranën në Shoshtanj, thotë se tani me njësinë e re edhe lirimi i dioksidit të karbonit është zvogëluar për 30%, andaj edhe disa njësi të vjetra u ndalën nga prodhimi.
Sipas paralajmërimeve të MZHE-së, termocentrali i ri në Kosovë do të zvogëlojë emetimet e pluhurit për rreth 93%, ato të dioksidit të karbonit për rreth 38%, të dioksidit të sulfurit për rreth 85% dhe të NOx për rreth 93%.
Përvec ndikimit pozitiv në mjedis, Kosova e Re pritet të përfundojë humbjet vjetore prej 300 milion eurosh, të shkaktuara nga mungesa e rrymës, si dhe importet marramendëse të energjisë elektrike, që vetëm dekadën e fundit Kosovës i kushtuan mbi gjysmë miliardi euro.