Kapiteni i Gjilanit, Albert Dabiqaj, bëri diçka të veçantë në futbollin kosovar. Ai arriti të shënonte pesë gola brenda një ndeshje, ashtu siç bëri Erling Haaland dje, por normalisht deçanasi në Kupën e Kosovës.
Ashtu siç praktikohet që pas tre golave të shënuar topi t’i takojë lojtarit, Dabiqaj thotë se nuk ia dhanë.
26-vjeçari për Gazetën Nacionale thotë se kualifikimi në gjysmëfinale ishte objektivi i vetëm i tij dhe i skuadrës që nga hedhja e shortit, teksa është i kënaqur që mundi dhe sakrifica e tij dhe bashkëlojtarëve u shpërblye në fund.
“Kualifikimi ishte objektiv i vetëm që nga hedhja e shortit. Ishim përqendruar te kjo sfidë, duke lënë prapa ndeshjet e kaluara. Një ndeshje me shumë mund dhe sakrificë në një terren të vështirë që në fund na u shpërblye me kualifikim”.
Dabiqaj shënoi të pesë golat e Gjilanit në fitoren 5:1 ndaj Trepçës’89. Kjo statistikë e magjishme u arrit për herë të parë prej tij dhe për këtë thotë se meritat i takojnë të gjithë skuadrës.
“Ndjenjë e veçantë, sepse është hera e pare në karrierë qe shënoj pesë gola. Merita është e gjithë ekipit për golat e realizuar”.
Për fund ai tregon se siç e do zakoni botërisht që lojtari që shënon tre gola apo më shumë ta marr topin në shtëpi, ai nuk e mori, por që një gjë e tillë i është premtuar nga zyrtarët e klubit, kur të arrijnë në Gjilan.
“Topin e ndeshjes nuk ma kanë dhënë. Por, zyrtaret e klubit tonë, më kanë premtuar që do të më japin një top kur te kthehemi ne Gjilan.”
Dabiqaj i shënoi pesë gola, për të bërë diçka që nuk e ka bërë askush më parë, madje as në futbollin ndërkombëtarë, pasi ai i shënoi këto gola nga një pozitë jo shumë e favorshme, si mesfushorë defensivë që paraqitet rregullisht për Gjilanin, teksa jemi mësuar duke parë Messin apo Haaland ta bëjë të njëjtën gjë por që detyrat e tyre në fushë janë sulmuese.
Deçanasi kompletoi het-trikun e tij më shpejtë se Haaland. Kur po zhvillohej minuta e 34-të e takimit, ai shënoi golin e tij të tretë personal për rezultatin 3:1, ndërsa edhe dy gola të tjerë i shënoi në pjesën e dytë.
Me pesë golat e tij, Dabiqaj ndihmoi Gjilanin që të arrijë në mesin e katër ekipeve më të mira, teksa do të synojë që me paraqitjet e tij ta frymëzojë skuadrën drejt trofeut të parë të Kupës së Kosovës.