×
  • Lajme
  • Insajderi

    Shërbimi Korrektues ‘pushton’ Durrësin, rreth 40 zyrtarë ‘verojnë’ në emër të trajnimit tre ditor në një hotel

    Insajderi
    02 October 2022 - 19:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Që nga themelimi i institucioneve në Kosovë, praktika e mbajtjes së punëtorive e trajnimeve jashtë vendit ka vazhduar për shumë vite, duke shpenzuar kështu buxhetin e Qeverisë së Kosovës. Shumë herë është raportuar që mëditjet që marrin zyrtarët publikë për të marrë pjesë në punëtori të ndryshme jashtë Kosovës janë të mëdha dhe po i kushtojnë buxhetit shumë. Një praktikë e tillë nuk është ndërprerë dhe po zbatohet edhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

    Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se rreth 40 zyrtarë të SHKK-së kanë ‘zbarkuar’ në hotelin Royal G në Durrës, në emër të një trajnimi tre ditor. Në mesin e zyrtarëve që janë atje, Sinjali mëson se ka edhe zyrtarë ndaj të cilëve janë iniciuar procedura disiplinore.

    Ky trajnim që po zhvillohet jashtë vendit, e që më shumë ngjason me ‘ekskursion’, ka pasur mundësi të mbahet edhe në Kosovë, pasi ka hotele e resorte të mjaftueshme ku mund të mbahen punëtoritë e tilla, por siç duket kjo nuk ia ka mbushur syrin SHKK-së dhe kanë marrë rrugën për në Shqipëri.

    Sinjali ka siguruar edhe listën me emrat e të gjithë zyrtarëve që po marrin pjesë në këtë trajnim, në mesin e të cilëve ka zyrtarë nga Burgu i Sigurisë së Lartë, nga Qendrat Korrektuese në Lipjan, Gjilan, Smrekonicë e nga Qendra Operative.

    Sinjalizues të Sinjalit kanë bërë të ditur se trajnimi në emër të të cilit zyrtarët e këtij institucioni kanë shkuar në Durrës, ka pasur mundësi të mbahet edhe në hapësirat e institucioneve në kuadër të MD-së, që të mos shpenzohen mjetet nga buxheti.

    Sinjali po ashtu mëson se janë shfrytëzuar edhe disa vetura zyrtare për transport, e në mesin e tyre mund të jenë edhe së paku dy automjete për transportimin e të burgosurve (informacion ky që mbetet për t’u konfirmuar).

    Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës e kanë konfirmuar se një punëtori e tillë është mbajtur, teksa s’kanë dhënë përgjigje në pyetjet e tjera të Sinjalit.

    Ndryshe, në vitin 2020, Qeveria Hoti pati marrë vendim që të ndalohet organizimi i punëtorive jashtë vendit, të cilat zhvilloheshin nga ministrisë, agjencitë dhe njësitë e tjera brenda sistemit ministror.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark