×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Shkarkimi i kryetarëve në veri, Krasniqi tregon se a ka pranuar ndonjë kërkesë nga kryesuesit e kuvendeve

    Insajderi
    06 December 2023 - 20:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka reaguar për nismën e qytetarëve të komunave të Mitrovicës Veriore, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit për shkarkimin e kryetarëve të komunave.

    Ai ka përmendur disa çështje kryesore që duhet ndjekur në mënyrë që peticioni në veri të jetësohet.

    “Udhëzimi administrativ, përcakton qartë procedurat e inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Inicimi i kërkesës niset nga së paku tre qytetarë me të drejtë vote në atë komunë. Qytetarët e interesuar duhet të themelojnë një grup nismëtar”.

    “Grupi nismëtar njofton zyrtarisht Kryesuesin e kuvendit komunal. Brenda pesë ditëve atyre duhet t’u kthehet përgjigje. Pas pranimit të kërkesës Kryesuesi i Kuvendit Komunal njofton kryetarin e komunës përkatëse, MAPL-në dhe KQZ-në. Ndërsa institucionet komunikojnë zyrtarisht mes tyre për të krijuar kushtet që ua mundëson qytetarëve këtë nismë”, tha Krasniqi.

    Tutje, ai bëri të ditur se pas pranimit të kërkesës dhe njoftimit, MAPL-ja dhe KQZ-ja vijojnë procedurat dhe afatet e përcaktuara me udhëzimin administrativ.

    “Kërkesa e qytetarëve për largimin e Kryetarit të Komunës nga funksioni duhet të nënshkruhet nga të paktën 20% e votuesve”, tha Krasniqi.

    Ai bëri të ditur se ende nuk ka asnjë kërkesë të pranuar nga kryesuesit e kuvendeve komunale dhe asnjë njoftim nga kryesuesit për MAPL-në.

    “Ne jemi të gatshëm që sapo ky proces të nisë zyrtarisht të plotësojmë menjëherë detyrat tona. MAPL do të njoftojë publikisht për vijimësinë e këtij procesi”, ka shkruar Krasniqi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark