×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Shkelje e 9 neneve të Ligjit të Prokurimit – Anulohen tenderët që i përfituan familjarët e shokut të Hysen Durmishit

    Insajderi
    28 September 2022 - 20:04

    Ministria e Infrastrukturës shkeli 9 nene të Ligjit të Prokurimit në tri lote të tenderit të mirëmbajtjes së rrugëve, dy prej të cilave u fituan nga kompanitë e familjarëve të shokut të ngushtë të zëvendësministrit Hysen Durmishi, biznesmenit Bujar Shabani. Pas ankesave të kompanive që ishin eliminuar nga gara, Ministria e Infrastrukturës e pranoi se ka bërë shkelje për çka edhe mori vendimin për anulimin dhe kthimin në rivlerësim të tenderit. Gazeta Insajderi sjell detaje të vendimit nga i cili pësojnë “Kosova Asfalt”, pronë e Valdrin Shabanit djalit të Bujar Shabanit dhe “Dio Bes SHPK”, e familjarit të tij Xhelal Shabanit si pjesë e konsorciumeve fituese

    Dy kompani të familjarëve të Bujar Shabanit, shokut të ngushtë të zëvendësministrit Hysen Durmishi, ishin shpërblyer me tender nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, që drejtohet nga ministri Liburn Aliu.

    Kompania “Kosova Asfalt”, pronë e Valdrin Shabanit djalit të Bujar Shabanit dhe “Dio Bes SHPK”, e familjarit të tij Xhelal Shabanit, kishin marrë hise në tenderin e madh për mirëmbajtjen verore e dimërore të rrugëve nacionale dhe rajonale.

    Konsorciumet ku bënin pjesë këto dy kompani, në total do të përfitonin rreth 1 milionë euro të Ministrisë së Infrastrukturës, shkruan Gazeta Insajderi.

    Por, jo gjithçka përfundoi siç ishte planifikuar. Dy kompanitë e familjarëve të shokut të zv/ministrit Durmishi nuk arritën të nënshkruajnë kontratat me Ministrinë e Infrastrukturës.

    Kjo pasi, pas publikimit të listës së kompanive të rekomanduara për kontrata nga Ministria e Infrastrukturës, kompanitë e eliminuara nga gara dorëzuan ankesa në këtë ministri, me pretendimet se u shkel ligji i Prokurimit Publik.

    Kompania “Integral”, “Milenium konstruction” dhe “Niti”, me 13 shtator e dorëzuan ankesën, në të cilën pretendohej se janë shkelur plot 9 nene të Ligjit të Prokurimit.

    Bazuar në ankesën e tyre, pretendohej se u shkel neni 1 Ligjit të Prokurimit që lidhet me qëllimin e tenderit. Neni 6 ekonomiciteti dhe efikasiteti, neni 7 barazia në trajtim/jo diskriminim, neni 10 mjetet për promovimin e jo transparencës, neni 11 për informatat sekrete afariste.

    Përveç këtyre, ankesa përfshinte edhe dyshimet për shkeljen e nenit 59 ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve, neni 60 kriteret për dhënien e kontratës, neni 69 aftësia teknike dhe/ose profesionale si dhe shkelje të nenit 72 për dokumentacionin dhe informacionin shtesë.

    Se u bënë këto shkelje u konstatua edhe nga komisioni që merret me shqyrtimin e ankesave brenda Ministrisë së Infrastrukturës.

    “Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, gjatë shqyrtimit të pretendimeve të OE, vëren se gjatë vlerësimit janë bërë disa lëshime tek grupi i OE të rekomanduara për kontratë: tek Prishtina 1, Prishtina 2 dhe Prishtina 3”, thuhet në vendimin që ka siguruar Gazeta Insajderi.

    Rrjedhimisht pas shkeljeve të konstatuara, Ministria e Infrastrukturës e ktheu në ri-vlerësim tri lote të tenderit, në  dy prej të cilave Prishtina 1 dhe Prishtina 3, u shpallën fitues familjarët e shokut të ngushtë të zëvendësministrit Hysen Durmishi.

    Vendimi për kthimin në rivlerësim të loteve të këtij tender u mor me 14 shtator.

    “Andaj, duke u bazuar në pretendimet ankimore të OE, dhe duke i vërtetuar ato gjatë shqyrtimit: Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, vendos që LOT 1, 2 dhe 3 regjioni Prishtina1, Prishtina 2 dhe Prishtina 3, lënda të kthehet në Ri-vlerësim”, thuhet në vendimin e 14 shtatorit.

    Tenderi për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve nacionale dhe rajonale 2022 -2025, është njëri nga tenderët më të mëdha të Ministrisë së Infrastrukturës që drejtohet nga Liburn Aliu, që kap vlerën e 30 milionë eurove.

    Deri tash ministria kishte shpallur fituesit për 15 pjesë (lote), shkruan Gazeta Insajderi.

    Përfitues të dy prej loteve të tij, sipas rekomandimit nga Ministria e Infrastrukturës, dilnin edhe djali e familjari i biznesmenit nga Ferizaj, Bujar Shabanit.

    Shabani që është pronar i kompanisë ”Bageri”, është mik i afërt i zv/ministri Hysen Durmishi. Këtë e ka konfirmuar edhe vet Durmishi, duke thënë se me të ka shoqëri që nga viti 2001.

    Kompania “Kosova Asfalt”, që në ARBK figuron se është në pronësi të Valdrin Shabanit, djalit të Bujar Shabanit, ka fituar në këtë tender lotin Prishtina 3.

    Si pjesë e konsorciumit fitues, nga Ministria e Infrastrukturës pritej të merrnin shumën prej rreth 500 mijë euro, sipas këtij tenderi.

    Derisa kompania e familjarit të dytë të Bujar Shabanit, “Dio Bes SHPK”, që figuron në emrin e Xhelal Shabanit, e ka fituar lotin Prishtina 1.

    Si pjesë e konsorciumit ku merr pjesë kompania “Dio Bes”, pritej të merrnin shumën prej 617 mijë euro, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kur u themeluan kompanitë e familjarëve të Bujar Shabanit që u rekomanduan për tenderët në MI?

    Kur u themeluan kompanitë e familjarëve të Bujar Shabanit që u rekomanduan për tenderët në MI?

    Valdrini që është djali i Bujar Shabanit, në ARBK figuron pronar i vetëm i kompanisë “Kosova Asfalt” me 100% të aksioneve.

    Ky biznes del se është themeluar në prill të vitit 2016, me bazë në Ferizaj. Kapitali i saj sipas ARBK-së është 200 mijë euro dhe ka të regjistruar katër punëtorë, shkruan Insajderi.

    Kompania, “Dio Bes SH.P.K”, sipas formualarit të regjistrimit në Agjencinë Kosovare të Biznesve, është themeluar në nëntor të vitit 2020. Përveç Xhelal Shabanit, si pronarë, figuron se kompania ka dy punëtor të regjistruar dhe një kapital prej 100 mijë eurove.

    Gazeta Insajderi, ka raportuar se si u rekomanduan kompanitw e familjarwve tw Shabanit nga Ministria e Infrastruktuws. 

    Lidhur me këtë çështje gazeta ka kërkuar të dijë nga ministri Liburn Aliu dhe zv/ministri Hysen Durmishi se a ka ndikuar afërsia e këtij të fundit me Bujar Shabanin që të rekomandohen për tender familjarët e tij, por edhe përkundër insistimit të gazetës nuk ka marrë asnjë përgjigje.

    Nga kjo ministri nuk kanë treguar as se çfarë kriteresh plotësuan kompania “Kosova Asfalt” dhe “Dio Bes SH.P.K” për të fituar tenderët.

    Kush është shoku i ngushtë i Durmishit që akuzohet për mashtrime në tenderët publikë

    Ndaj biznesmenit, Bujar Shabani, Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka ngritur aktakuzë për mashtrime në tenderët publikë.

    Gazeta Insajderi, ka raportuar se si shoku i ngushtë multimilioner i Hysen Durmishit rrezikon dënimin me burgim, pas kësaj aktakuze. Ai dyshohet se ka përfituar afro 5 milionë euro nëpërmjet mashtrimit.

    Dyshohet se për tenderin e asfaltimit të rrugëve në fshatin Jezerc, e që e kishte firma “Bageri”, sipas prokurorisë ishin dorëzuar në dosjen e tenderit dokumentacione të falsifikuara.

    Prokurorja e rastit ka kërkuar nga gjykata që biznesmeni Shabani të dënohet për veprën penale “keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik nga neni 415 paragrafi 1 të KPRK-së”. Ky dënim parasheh dënim me gjobë apo me vite burgim deri në pesë vjet.

    Po ashtu, prokurorja ka kërkuar nga Gjykata e Ferizajit që biznesmeni Shabani për shkak të mashtrimeve të përjashtohet nga pjesëmarrja në tenderët publik, në të ardhmen.

    Në aktakuzën e siguruar nga Gazeta Insajderi, tregohet se cilat janë manipulimet që kishte bërë Shabani për ta fituar tenderin mbi afro 5 milionësh, sipas Prokurorisë Themelore të Ferizajit. /Gazeta Insajderi

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark