×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Shkëndija e një konflikti të paralajmëruar

    Insajderi
    15 September 2022 - 16:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Shkruan: Afrim Kasolli

    Mediat sot raportuan për një tension ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca. Spekulohet se këto mosmarrëveshje erdhën si rezultat i dallimeve ndërmjet dy prej bartëseve të institucioneve kryesore në vend, se si duhet të procedohet rendi i ditës gjatë seancës së sotme plenare. Ku thuhet se kryeministri paska kërkuar që të mos hidhet në votim kërkesa e opozitës për ta zhvilluar një debat parlamentar lidhur me gjendjen në arsim, kurse i pari i Kuvendit paska vepruar në kundërshtim me këto urdhra. Pra konflikti në shikim të parë dukët më shumë i natyrës procedurale.

    Mirëpo a është ky tension vetëm shprehje simptomatike e një çarjeje më të thellë ndërmjet të dyve, a do të agravohet ai edhe më shumë, apo do të tejkalohet me kaq, këtë nuk mund ta themi me siguri. Por se do vinte ky moment ishte e ditur prej kohësh. Madje atë e kishte paralajmëruar vetë Glauk Konjufca. Por ai synonte që vetë ta shmangte një situatë të tillë. Dhe që të tjerë ta realizonin këtë detyrë që do të qonte pashmangshëm në konflikt me kryeministrin për shkak të sjelljeve të tij politike, që sipas Konjufcës mund të jenë problematike për një rend demokratik parlamentar. Mirëpo, pak kush i kishte kushtuar rëndësi atëbotë atij kumti.

    Këtë mundësi kryeparlamentari Konjufca e kishte paralajmëruar që nga koha kur zhvilloheshin negociatat ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-në me qëllim ndarjen e pozitave institucionale pas përfundimit të zgjedhjeve të tetorit të vitit 2019. Siç dihet, ato zgjedhje i kishte fituar Lëvizja Vetëvendosje, me një përqindje të lehtë ndaj LDK-së, por për shkak të konfiguracionit politik që doli nga ato zgjedhje, partia fituese nuk kishte mundësi t’i formonte vet institucionet. Glauku gjatë gjithë kohës, mbronte idenë se pozita e të parit të Kuvendit i takonte LDK-së, konkretisht Vjosa Osmanit, kurse ajo e kryeministrit Albin Kurti. Por më e rëndësishme se ideja për një ndarje të tillë të pozitave mbetet mënyra se si ai e arsyetonte këtë shpërndarje të pushtetit. Dhe pse e konsideronte të domosdoshme këtë formulë.

    Sipas tij, “Albin Kurti si kryeministër do të ishte mirë të kontrollohej nga Vjosa Osmani si kryeparlamentare. Pra një Vjosa Osmani e cila ulet lart dhe e merr në pyetje Albin Kurtin ia tregon atij kornizat e parlamentarizmit” e bënte ideale këtë ndarje të pushteteve. Pra këtu shihet qartë se ankthi kryesor i Glaukut kishte të bënte me nevojën për ta kontrolluar dhe instruktuar Albinin sipas kornizave të parlamentarizmit.

    Ndërkohë këtë shqetësim të “hutit të minervës” nuk duhet ta marrim si diçka të rastësishëm, por ka mundësi që ai të jetë i ndikuar nga leximi i Hegelit dhe atë veçanërisht pjesës mbi “lirinë absolute dhe terrorin” që ndodhet në veprën “Fenomenologjia e Frymës”.

    Kështu në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme Glauku na tregonte se Albin Kurti vazhdon të mbetet i indoktrinuar nga paradigmat despotike të mentalitetit revolucionar. Një model i tillë i lirisë e njeh vetëm veten dhe synon të realizohet në mënyrë imediate, përtej realitetit objektiv, pra nëpërmjet vrullit revolucionar. Prandaj, ky koncept, të cilin e ka përshkruar në mënyrë brilante Hegeli, pashmangshëm përfundon në destruksion dhe Terror. Ky rezultat është pasojë e pashmangshme e aspiratave politike Jakobine. Pra kjo frymë e koncepton veten si mishërim i vullnetit të përgjithshëm. Kushdo që nuk i përshtatet kësaj skeme konsiderohet fraksion. Të tjerët trajtohen me dyshim. Si armiq të popullit, vullnetit të përgjithshëm dhe kërcënim për këtë të fundit; si grupe që dëshirojnë ta shkëpusin veten nga vullneti i përgjithshëm. Pra të gjithë të tjerët definohen si vullnete private që duhet eliminuar dhe shtypur. Në gjykimin politik të kësaj mendësie “vendin e të qenit fajtor e zëvendëson të qenit i dyshimtë”. Kurse gjeratorja e kësaj fryme gllabëron çdo gjë brenda vetes. Asaj nuk mund t’i shpëtojnë as fëmijët e revolucionit, pasi më parë nuk i ka ikur asgjë furisë destruktive dhe negativitetit të zbrazët që e proklamon. Sepse, siç ka thënë Hegeli, “vetëm nga shkatërrimi i asaj që është objektive ky vullnet negativ përjeton sensin e të qenit ekzistent”. Kuptohet, ky skenar ogurzi nuk mund të realizohet në rrethanat tona, mirëpo si mentalitet ai paraqet sfidë për mirëfunksionimin jetës politike demokratike.

    Në këtë konteskt i ndodhur në mes të ingranazhit të kësaj doktrine si dhe i vetëdijshëm për potencialet e jo demokratike që mbart ajo, edhe për vetë atë, si dhe për pafuqinë e tij për ta frenuar vrrullin e saj euforik, ai kërkonte “shpëtim” në burime të jashtme me qëllim që ta limitojë potencialin e saj. Mbase kjo është arsyeja që Glauku në justifikimet për formulën e ndarjes së pushteteve atëkohë kërkonte një “panoptikon” pushtetor që do të kishte për qëllim disiplinimin e Albin Kurtit sipas konturave të parlamentarizmit.

    Sidoqoftë, mënyra se si rrodhën ngjarjet në ndërkohë dihet nga të gjitha ne. Ato ia pamundësuan Gluakut dëshirën që këtë mision ta kryej Vjosa Osmani, kurse mundësisht ai vetë të jetojë i qetë brenda skemave të pushtetit. T’i shijojë privilegjet pa pasur nevojë që ta çajë shumë kokën mbi procedurat institucionale. Por se çfarë roli do të marrë ai tash e tutje, a do ta zbatojë atë që dikur pohonte se duhej ta bënte Vjosa Osmani, duke e futur vetën në një konflikt ta pashmangshëm me kreun e qeverisë, sikur ai i sotshmi, apo do të sillet sikur s’po ndodhë asgjë mbetet të shihet. Megjithatë ky tension mund të jetë shkëndija e një konflikti të paralajmëruar shumë kohë më parë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark