Shkëndija ka arritur të nxjerrë barazim 1-1 në ndeshjen e parë të raundit të tretë të Ligës së Konferencës kundër AIK-ut.
Në sfidën e zhvilluar në Friends Arena në Solna të qarkut të Stokholmit, skuadra nga Tetova nxori një rezultat pozitiv para ndeshjes kthyese.
Mesfushori Ferhan Hasani e zhbllokoi rezultatin që në minutën e parë të takimit duke rrëmbyer një top nga mbrojtësit vendas dhe duke shënuar.
Mirëpo, në minutën e 17-të, John Guidetti e barazoi rezultatin duke realizuar me kokë.
Rastet vazhduan edhe në fraksionin e dytë të lojës, ndërsa ‘Buba’ rrezikoi sërish nga gjuajtja e lirë në minutat shtesë, por topi u devijua nga muri mbrojtës.
Duke qenë se në ndeshjen kthyese (11 gusht) është vendas, Shkëndija është favorit për të vazhduar në fazën e ‘play-offit’