×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Shkodra, Zija Çela dhe rigjetja letrare

    Insajderi
    16 July 2023 - 20:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Autor: Aziz Mustafa

    (Artikull i botuar në të përjavshmen për kulturë dhe letërsi “Nacional”)

    1. (“A do ta shoh Shkodrën?”)

    Emrin e Shkodrës besoj ta kem dëgjuar kur kam qenë pesë apo gjashtë vjeç. Asokohe im atë, një autodidakt me pesë klasë fillore të kryera menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, por me disa akademi jetësore dhe me një zgjuarsi të lindur, thoshte: “Shkodra e ka përgjigjen në majë të gjuhës, Gjakova në xhep, Morava jonë në shtëpi.”

    Mandej, diku do të kem lexuar një poezi apo libër të një autori që, kokën të ma presin, nuk më kujtohet kush ka qenë, por vargu “A do ta shoh Shkodrën?” më ka mbetur si peng, si amanet dhe si një gjakim e kujtim për babën dhe një mall që ka pasur ai për atë qytet, që nuk e ka parë kurrë…

    Pas asaj, nëpër faqe librash, fjalorësh e enciklopedish pata takuar Marin Barlecin, Pashallarët Bushatlinj, At Gjergj Fishtën, At Zef Pllumin; nëpër partitura kisha takuar këngëtarë e kompozitorë, që kishin bërë historinë dhe të tanishmen e muzikës popullore shqipe. Kështu deri te viti 1996, kur si mjek në specializim dhe poet me një libër poezish të botuar, kisha kaluar me njëqind mundime kufirin shqiptaro – shqiptar; nga aty edhe titulli i atij libri “Pasaportë kam kafkën time”; pra deri tek ai dimër i 1996-tës, kur në Tiranë pata pirë kafe për herë të parë me Zija Çelën. Aty ishin edhe Xhevahir Spahiu e Bardhyl Londo, dritë pastë në amshim, por për ta një rast tjetër. Prej atëherë, kur me një pallto të hirtë të gjatë, flokët korb të zinj, një shikim shkabe nëpër tymin e cigares së sertë, Zijain nuk e kam takuar kurrë më fizikisht, pos shpirtërisht, në librat e tij. Kur më 2005 “Koha ditore” botoi kolanën me 20 veprat më të mira në prozë të shek. XX, ku prej shqiptarëve prezentohen pos Zija Çelës edhe Ismail Kadare e Vath Koreshi, unë e pata “përpirë” romanin “Gjaku i dallëndyshes”, një perlë me ngjyra të realizmit magjik, shkruar me mjeshtri të paparë dhe njëfarë energjie të bardhë, që i mban ngjarjet me një tis mjegulle, e cila bashkë me zbukurimin, forcon edhe tërheqjen. Nëpër mendimet e mia shpesh vinte dasma e Zhavellove, plaku i verbër Qejvan Qejvani dhe Baltazari, shoqëruesi i dhëndrit, një galeri pafund personazhesh mjeshtërisht të realizuar, vrasja e shumëfishtë e Kristo Kubatit dhe habitesha se sa thellë kishte arritur autori të futej nën lëkurë të personazheve të tij, sa thellë kishte arritur t’i thoshte gjërat që vështirë thuhen me fjalë. E pranoj, si shkrimtar aspirant, si një amator që do të futet në botën e letrave, atë pyetjen “A do ta shoh Shkodrën?” ndërdija ime e kishte lakuar e përthyer, si ajo formula e pazgjidhur e Leonardo da Vinçit se si bëhet rrethi katror, pra duke e shndërruar në: “A do të arrij të shkruaj si Zija Çela?”

    2. (Balada e rigjetjes)

    Kur u hap kufiri, Shkodrën e vizitova shpesh. Vitin e kaluar, kur në zall të plazhit të Ulqinit lexova “E zeza dhe e kuqja” të Mehmet Krajës, malli për Shkodrën mu bë edhe më i thellë; përfundimisht mendoj se askush nuk mund ta pikturojë më mirë se Kraja mallin për pjesën e ndarë të atdheut, të atij atdheun që e sheh në ëndërr dhe e bart me vete edhe kur vdes.

    Para ca ditësh, duke u kthyer nga Ulqini, u ndala në Shkodër. Kaloj Urën e Hekrit dhe marr në të kundërtën e së djathtës. Më është bërë zakon: parkoj veturën dhe marr shëtitores së qytetit historik. Kaloj përbri Kafes së Madhe, që nuk po mund të kryhet së restauruari e krah për krah me time shoqe dhe me time bijë Lirën, me nga një akullore në dorë mundohemi të ecim hijeve, në drejtim të librarisë me libra të ngjeshura deri në tavan. Pasi flasim me shitësin për “Pedro Paramo” të Juan Rulfo-s, si dhe për çfarë ka thënë G.G. Markezi për atë libër, pa hezituar kërkoj shkrimtarin e duhur në qytetin e tij të lindjes.

    E cili shkrimtar duhet të kërkohet në Shkodër? Zija Çela, natyrisht.

    Gjej dy libra: romanin “Banka e Ankesave” dhe “Thika pa gjak”, tregime. Njërin për vete tjetrin për mikun, mbase të vetëm, që kësaj here do t’ia dhuroj pa e nënshkruar, që t’ia nënshkruajë autori, të cilin duhet ta takojmë patjetër. Teksa dal nga libraria, si nëpër ëndërr më kujtohet përsëri “Gjaku i dallëndyshes” dhe përshtypjet e atëhershme, por tash edhe me bukurinë që i jep koha në mes, si një penel piktori impresionist. Turpërohem nga vetja sa pak e kam lexuar një prozator nga më të mëdhenjtë e letrave shqipe. Sa mbërrij në shtëpi, hyj në rrjet dhe i shkruaj autorit mes tjerash: “Pata përshtypjen se fryma juaj ishte në atë librari të ngjeshur me libra. Po e them drejtpërsëdrejti: u mrekullova dhe besoj se mrekullia do të vazhdojë, duke lexuar me radhë korpusin tuaj. Por, duke u gëzuar për shëndetin tuaj të mirë, shpresoj që së shpejti të ndani pak nga koha juaj për një darkë a drekë, në Tiranë, Shkodër a Fishtë, ju zgjidhni. Unë me mikun tim Xhevat Latifin, jemi të dy gjilanas dhe vijmë atje ku jeni ju për 4 orë. E çka janë 4 orë krahasuar me 4 mijë vjet vetmi? Sa gjatë kemi qenë të ndarë Kosovë e Shqipëri. E kush e bën një Shqipërinë, siç e pati bërë Zoti, pos shkrimtarëve, ata që krijojnë gjithçka nga asgjëja?”

    3. (Universi letrar që mbush boshllëqe)

    Nuk vonoi shumë dhe Zija Çela ma ktheu përgjigjen. Në atë përgjigje plot emocion dhe ndjenjë, si në një hije të tejzgjatur kur perëndon dielli, shihej madhështia e modestisë së tij. Ndjeva një ndjenjë frymëzimi e fisnikërie, që m’i përshkoi mendimet.

    Tani, gjashtë ditë më vonë, kur përfundova së lexuari “Banka e Ankesave”, po them se më pëlqeu pa masë. Në lexim e sipër, ndjehej pesha e groteskut të pushteteve të tranzicionit, prapa horizontit pesha shtypëse e diktaturës së dikurshme, por edhe paralajmërimi për rrezikun e çdo perspektive autokratike, prandaj dhe nga kritka letrare ky roman është cilësuar distopik. Jo rastësisht, më dukej vetja sikur ndodhesha në një ndërtesë të re, me fasadë të bukur nga jashtë, por që nga brenda të shtypte me zbrazëtinë e saj agorafobike…

    Tani, duke dëgjuar në Youtube “Kalorësit e Gralit të Shenjtë” të Hans Zimmer, i dehur nga kënaqësia e leximit dhe muzikës, po ndjehem mirë, shumë mirë që u rigjetëm me autorin, që arti është urë që bashkon njerëzit si gjaku që nuk bëhet ujë, por ndjehem mirë gjithashtu që Zija Çela ka vazhduar të shkruajë me të njëjtin elan (si kur ka shkruar “Gjaku i dallëndyshes”) edhe njëzet romane të tjera, të vlerësuara ngado në trojet shqiptare, në çdo anë të botës ku jetojnë shqiptarë dhe që po përkthehet në gjuhë të huaja. Ngrehinat e tij artistike janë të mbushura me personazhe të shumtë, me të cilët personifikohesh që në fillim, janë vepra te nivelit te larte artistik e estetik, realizuar me një stil që të çlodhë gjatë leximit, por edhe të mallëngjen me tragjiken dhe groteskun që kap dimensione universale.

    Po ndjej se prania e mikut të munguar me dekada, po e mbush boshllëkun e studios sime me praninë e tij shpirtërore, si kurrë më parë.

    Gjilan, korrik, 2023.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark