×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Shkodran Pulaj pranon fajësinë për armëmbajtje pa leje në gjykatë, por jo edhe shitblerje të kokainës

    Insajderi
    14 February 2024 - 09:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur të martën, ka aprovuar pranimin e fajësisë nga i akuzuari Shkodran Pulaj për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

    “E pranoj fajësinë sa i përket veprës penale të armëmbajtës, për narkotik absolutisht jo”, u deklarua i akuzuari Pulaj, pas leximit të aktakuzës nga prokurori i Departamentit për Krime të Rënda, Petrit Kryeziu.

    Ky pranim i fajësisë nga i akuzuari Pulaj u aprovua nga gjyqtari Artan Sejrani, edhe pse pranimi i fajësisë u kundërshtua nga prokurori Kryeziu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Prokurori Kryeziu, tha se e kundërshton pranimin e fajësisë nga i akuzuari Pulaj vetëm për veprën penale të armëmbajtjes pa leje pasi sipas tij, kjo vepër është e ndërlidhur edhe me veprën penale të narkotikëve e që pikërisht për të akuzohet Pulaj.

    “Gjithashtu e kundërshtoj pranimin e fajësisë nga i pandehuri Shkodran Pulaj që ka të bëjë me veprën penale nga neni 366 për faktin se këto prova gjithashtu kanë ndërlidhje edhe me veprën e parë, andaj i propozoj gjykatës lidhur me pranimin e fajësisë në këtë fazë në fund të shqyrtimit t’i trajtoj si rrethana lehtësuese, në këtë fazë pranimin e fajësisë mos ta aprovojë”, deklaroi prokurori Kryeziu.

    Bashkë me të akuzuarin Pulaj, po akuzohen edhe të akuzuarit Ymridin Krasniqi, Muharrem Pulaj, Xhevahir Koqinaj, Liridon Krasniqi, Flamur Shala dhe Roksana Kaçiku.

    Përveç aprovimit të fajësisë për të akuzuarin Pulaj, gjykata ka aprovuar fajësinë edhe për katër të akuzuar. Bëhet fjalë për të akuzuarin Ymridin Krasniqi i cili e pranoi fajësinë gjatë seancës së sotme dhe për të akuzuarit Koqinaj, Liridon Krasniqi dhe Shala të cilët kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorin e shtetit.

    Ndërsa, akuzat ndaj tyre i kanë mohuar të akuzuarit Muharrem Pulaj dhe Roksana Kaçiku.

    Prokurori Kryeziu ka kundërshtuar edhe pranimin e fajësisë nga i akuzuari Ymridin Krasniqi kjo pasi sipas tij mospranimi i fajësisë nga të akuzuarit Shkodran Pulaj, Muharrem Pulaj dhe Roksana Kaçiku për veprën penale të narkotikëve kanë ndërlidhje drejtë për drejtë me të akuzuarin Ymridin Krasniqi.

    “Sa i përket të pandehurit Ymridin Krasniqi i cili në seancën e sotme pas konsultimeve me mbrojtësin e tij me vullnet ka pranuar fajësinë për dy vepra penale, që e ngarkon prokuroria e shtetit në lidhje me këtë të pandehur e kundërshtojmë pranimin e fajësisë dhe i propozojë gjykatës që si të tillë të mos e aprovojë për faktin se mos pranimi i fajësisë nga ana e të pandehurit Shkodran Pulaj për veprën penale nga neni 267-275, po ashtu mos pranimi i fajësisë nga Muharrem Pulaj dhe Roksana Kaçiku për veprën penale nga neni 267- kanë ndërlidhje të drejtë për drejtë me të akuzuarin Ymridin Krasniqi, andaj provat si të tilla nuk mund të ndahen dhe duhet të trajtohen gjatë shqyrtimit gjyqësor, në mënyrë që gjykata të ketë të qartë”, tha prokurori Kryeziu.

    Ndërsa, sa i përket marrëveshjes së pranimit të fajësisë për të akuzuarit tjerë, prokurori Kryeziu deklaroi se e njëjta marrëveshje duhet të aprovohet nga gjykata.

    Pas aprovimit të fajësisë nga ana e gjykatës, mbrojtësit e të akuzuarve kërkuan nga gjykata që ndaj të mbrojturve të tyre të merren parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese dhe ndaj tyre të shqiptohet një dënim më i butë.

    Përveç kësaj, avokati i të akuzuarit Ymredin Krasniqi, Rinard Pulaj i kërkoi gjykatës që të vlerësoj edhe një herë propozimin e prokurorisë për konfiskimin e një motori “Kavasaki” pronë e të akuzuarit Krasniqi.

    Kjo pasi sipas avokatit Pulaj, motori nga i mbrojturi i tij ishte blerë para se të kishte një aktvendim për fillim të hetimeve dhe ishte blerë në mënyrë të ligjshme sipas tij.

    “I mbrojturi im motorin e ka blerë me datë 28.08.2022 për të cilin në shkresat e lëndës gjendet kontrata mbi shitblerjen e motorit dhe transaksionet bankare mes të mbrojturit tim si blerës dhe shitësit “Harley House”, e që në bazë të aktvendimit mbi fillimin e hetimeve, hetimi për të mbrojturin tim ka filluar me datë 1 shkurt 2023, e që në bazë të këtyre provave vërtetohet se i njëjti motorin e ka blerë në mënyrë të ligjshme dhe të rregullt shumë kohë më parë, andaj konsiderojmë se nuk ka bazë për konfiskimin e tij”, tha avokati Pulaj.

    I njëjti i propozoj gjykatës që të akuzuarit Ymredin Krasniqi t’i ndërpritet masa e paraburgimit.

    Sa i përket konfiskimit të motorit, prokurori Kryeziu tha se prokuroria ka ofruar prova të mjaftueshme se ky motor është dobi pasurore e fituar me vepër penale nga shitblerja e narkotikëve dhe si i tillë duhet të konfiskohet.

    I njëjti shtoi se pretendimet e mbrojtjes së Ymredin Krasniqit, se motori është blerë më herët nuk qëndrojnë, kjo pasi sipas tij i njëjti është blerë më 28 gusht 2022 në shumën prej 5 mijë euro. Kjo sipas prokurorit Kryeziu është vërtetuar edhe nga transkriptimi i masave të fshehta dhe të vëzhgimit.

    “Ja kom pa hajrin kom bo shpi, kam bërë dasmë, kam pagu borxhe të shtëpisë, tatime, dënime, rryma do të thotë hajgare, kam punu këtu hagare”, këto janë fjalët të cilat janë nxjrrur nga masat e fshehta sipas prokurorit Kryeziu e të cilat i akuzuari Ymridin Krasniqi i kishte zhvilluar me një person tjetër duke e pasur fjalën narkotikë, biseda këto të nxjerra nga 15 shkurti 2023 deri me 14 maj 2023.

    Sa i përket deklarimit rreth dënimit të të akuzuarve që e kanë pranuar fajësinë, prokurori Kryeziu tha se prokuroria ka vlerësuar se ekziston vetëm një rrethanë lehtësuese e që është pranimi i fajësisë, madje sipas tij edhe ky pranim i fajësisë nga ana e të akuzuarve është bërë duke mos pasur rrugë tjetër për shkak të provave të shumta. Prokurori Kryeziu, kërkoi nga gjykata që të akuzuarve të iu shqiptohen dënime të larta.

    Në fund, gjyqtari Sejrani tha se shpallja e aktgjykimit për të akuzuarit që e kanë pranuar fajësinë do të bëhet pasi të të përfundoj çështja penale edhe për të akuzuarit e tjerë.

    Ndërsa, gjykata nuk ka vendosur në seancë lidhur me propozimin e avokatit Rinard Pulaj që të mbrojturit të tij ti ndërpritet masa e paraburgimit.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 25 janar 2024 nga Prokuroria Themelore në Prizren, i pandehuri Ymridin Krasniqi, nga data e pavërtetuar e vitit 2022, deri më 9 qershor 2023, pa autorizim kishte blerë substanca narkotike me qëllim të shitjes, në atë mënyrë që substancën narkotike të llojit kokainë e ka blerë nga personat e tjerë.

    Sipas aktakuzës, të njëjtën me qëllim të shitjes e kishte mbajtur në vilën e tij e cila gjendet në Prizren, prej nga pastaj ia ka shitur personave të tjerë në Prizren, si vet ashtu edhe përmes të pandehurve, Liridon Krasniqi, Flamur Shala, Muharrem Pulaj, Xhevahir Koqinaj dhe Roksana Kaçiku.

    Tutje, sipas aktit akuzues, gjatë ekzekutimit të urdhër-kontrollit, më 15 shkurt 2023, në shtëpinë dhe në vilën e tij, të dyja këto në Prizren, janë gjetur dhe sekuestruar dy grinderë (mullinjë), një pako rizlla (OSB)-SLIM, ndërsa gjatë ekzekutimit të urdhër-kontrollit, më 9 qershor 2023, janë gjetur dhe sekuestruar një kavanozë qelqi me narkotik të llojit marihuanë, e cila sipas raportit të ekspertimit nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë ka rezultuar se përmban kanabis (marihuanë), që përmban tetrahidorkanabinol (THC) me peshë neto 5.75 gram, dy rrolle, dy mulli për bluarje të marihuanës, një pako me rizlla me mbishkrimin “OCB SLIM”, një kavanozë qelqi brenda të cilës ishin 27 qese të ndara me narkotikë të llojit kokainë, me peshë afro 15.36 gram dhe një peshore digjitale.

    Me këto veprime i njëjti po akuzohet se ka kryer veprën penale, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, par 1 të KPRK-së.

    Sipas dispozitivit të dytë, i akuzuari Krasniqi, po akuzohet se kishte poseduar armë, në atë mënyrë që me rastin e ekzekutimit të urdhërkontrollit i janë gjetur 14 fishekë të kalibrave të ndryshëm, një pushkë ajrore dhe një kuti plastike me 89 diabola të kalibrit 4.5mm.

    Me këtë i akuzuari Krasniqi, po akuzohet se ka kryer veprën penale, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 par 1 të KPRK-së.

    Tutje, i akuzuari Shkodran Pulaj akuzohet se nga data e pavërtetuar e vitit 2022 deri më 4 shtator 2023, pa autorizim blen ose posedon narkotikë me qëllim të shitjes apo shpërndarjes.

    Sipas aktakuzës i njëjti në periudha të ndryshme, kishte blerë nga persona të ndryshëm nga Shqipëria narkotikë të llojit kokainë të cilat vinin në lokalin e tij ‘Kosova 2’ që gjendet në Prizren. Në bashkëkryerje me të akuzuarin tjetër Ymridin Krasniqi, mes vete kishin blerë dhe shitur narkotikë të llojit kokainë.

    Ndërsa, i dëmtuari i mitur A.Sh, nga shtatori 2022 deri në prill 2023, derisa kishte qenë duke punuar në lokalin e të pandehurit Pulaj, përveç që kishte përdorur substancë ai edhe kishte shpërndarë narkotikë të llojit kokainë. I akuzuari Pulaj, i kishte dhënë të dëmtuarit për konsumim çdo ditë këtë lloj të narkotikut dhe kishte kërkuar nga ai që ta shpërndaj tek personat e tjerë. Me ç’rast i akuzuari Pulaj, ka vepruar në dëm, duke shfrytëzuar viktimën e ndjeshme.

    Me këto veprime, Pulaj po akuzohet se ka kryer veprën penale, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267 par 1 lidhur me nenin 275 par 1, nën par 1.4 të KPRK-së, vepër kjo e dënueshme deri në 15 vjet burgim.

    Kurse, sipas dispozitivit të dytë i njëjti po ashtu kishte poseduar armë, ku gjatë urdhërkontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur: Një armë zjarri-pushkë, 9 fishekë, një kafkë që i përket një pistolet, një tytë, një spirale, një kuti me 10 fishekë të gazit dhe dy fishekë të kalibrave të ndryshëm, një sprej për pastrim të armëve, një kuti plastike me brusha për pastrim të armëve të zjarrit dhe një rrypfotrollë për vendosjen e karikatorëve me ngjyrë të zezë.

    Me këtë i njëjti po akuzohet se ka kryer veprën penale: Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

    Të pandehurit, Flamur Shala, Liridon Krasniqi, Muharrem Pulaj dhe Roksana Kaçiku, nga data e pavërtetuar deri më 4 shtator 2023, marrin pjesë në kryerjen e veprës penale të narkotikëve me të pandehurin Ymridin Krasniqi, në atë mënyrë që shkonin në vilën e tij në Prizren dhe furnizoheshin me narkotikë dhe pastaj i siguronin klientë të ndryshëm për blerje të narkotikut të llojit kokainë.

    Me këto veprime të njëjtit po akuzohen se kanë kryer veprën penale, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267 par 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark