×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Shkuan dëm 313 mijë euro- Ministria e Liburn Aliut paguajti 64 serbë që s’dolën kurrë në punë

    Insajderi
    29 June 2023 - 15:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    313,899 euro është shifra e buxhetit që ka shkuar dëm nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ku udhëheq Liburn Aliu, duke paguar 64 serbë që s’dolën kurrë në punë përgjatë 2022-ës.

    Kështu thuhet në raportin vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditorit për ministrinë e Aliut. Sipas ZKA-së, kësaj ministrie dhe ministrive të tjera iu është tërhequr vëmendja disa here nga auditori për të njëjtën çështje.

    64 serbëve që po marrin rrogë nga shtëpia, pa dalë kurrë në punë, po ua mundëson Marrëveshja e Brukselit, e cila parasheh integrimin e serbëve nëpër institucionet shtetërore të Kosovës.

    Sipas ZKA-së, të 64 serbët janë pjesë e së ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”, e cila në mbledhjen e së enjtes së Qeverisë së Kosovës u shpall si organizatë terroriste, bashkë me “Brigada e Veriut”.

    “Sipas konfirmimeve nga zyrtarët e Ministrisë këta të punësuar nuk kanë hapësira të përcaktuara të punës, nuk kanë objektiva të përcaktuara dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në ministri. Buxheti i shpenzuar për pagat e tyre për vitin 2022 ishte 313,899€. Kjo dukuri po vazhdon të jetë prezentë ndër vite edhe pse në vazhdimësi po raportohet në raportet tona të auditimit”, thuhet në raportin e ZKA-së.

    Sipas auditorit, Ministria e Infrastrukturës nuk po merr hapa konkret për këtë kategori të punësuarish.

    Fenomen të njëjtë ZKA-ja ka evidentuar edhe në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ku udhëheq Rozeta Hajdari. Sipas këtij raporti, MINT-i pagoi 127 mijë euro për 25 serbë nga e njëjta organizatë.

    “Pagesat e punonjësve në mungesë të dëshmive për vijueshmëri në punë dhe në mungesë të angazhimit për kryerjen e detyrave zyrtare, konsiderohen si pagesa të parregullta dhe dëmtojnë buxhetin e ministrisë”, thuhet në raportin e këtij viti.

    Ndërkaq, MINT-i është arsyetuar duke thënë se ka kërkuar shuajtjen e së ashtuquajturës “Mbrojtja Civile” nga MPB-ja.

    Pjesëtarët e “Mbrojtja Civile” morën pagë pa shkuar në punë edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme që është në drejtim të Sveçlës.

    Auditori ka zbuluar se ministria e Sveçlës ka dëmtuar buxhetin e shtetit për 101 mijë euro e 474 euro, duke i paguar 20 zyrtarë serbë të cilët nuk kryejnë asnjë shërbim për këtë ministri.

    Përgjatë së mërkurës, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të shpallë organizatë terroriste të ashtuquajturën “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se këto dy, siç i quajti ai, formacione ilegale paraqesin kërcënim për qytetarët e Kosovës dhe rendin kushtetues të vendit.

    “Bazuar në vlerësimin e institucioneve të sigurisë, formacionet ilegale “Mbrojtja Civile” dhe komponenta e saj “Brigada e Veriut”, paraqesin kërcënim serioz dhe drejtpërdrejt në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, në veçanti duke pasur për qëllim për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

    Sveçla sqaroi sot se kush preket nga vendimi i ekzekutivit.

    “Ky vendim nuk prek askënd që deri në momentin e shpalljes organizata terroriste, ka qenë pjesëtar i këtyre dy organizatave dhe nuk ka kryer vepra penale”, deklaroi ai.

    Organizata “Brigada e Veriut” ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës përmes një postimi në rrjetin Telegram.

    Aty u tha se “Brigada e Veriut” është formuar një vit më parë dhe se pjesëtarët e saj janë “vullnetarë që ndihmojnë serbët dhe popullin serb, të gatshëm të mbrojmë popullin dhe shtetin”.

    Kjo organizatë tha se vendimi i Qeverisë së Kosovë nuk do t’i ndalojë ata të luftojnë “për Serbinë dhe unitetin”, por për arsye të sigurisë më nuk do të njoftojnë publikisht për lëvizjet e tyre.

    Kundër këtij vendimi u shpreh me votë ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq.

    Ai e cilësoi atë si vendim të hershëm dhe tha se mund të lërë pasoja të rënda në marrëdhëniet e Kosovës me qytetarët serbë në veri.

    “Ne duhet të jemi shumë më të kujdesshëm [me hapat] drejt vendosjes së rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës”, tha Rashiq, i cili vjen nga radhët e komunitetit serb.

    Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, në territorin e Kosovës operojnë struktura ilegale, të mbështetura dhe të financuara nga shteti i Serbisë.

    Një nga to është edhe “Mbrojtja Civile”, e cila ka dalë publikisht në vitin 2011.

    Atëbotë, disa njerëz me uniforma të zeza, me mbishkrimin “Civilna zashtita” (Mbrojtja Civile), janë parë në rrugët e Mitrovicës së Veriut, duke shkaktuar reagime të shumta në Prishtinë.

    “Mbrojtja civile” në Serbi funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe roli i saj është të reagojë në situata emergjente të rrezikut, siç janë përmbytjet, tërmetet e të ngjashme. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark