Shoqata “Jezerci” ka dal me një reagim, duke njoftuar se ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani është arrestuar nga policia e Maqedonisë së Veriut. Siç pretendojnë arrestimi i tij është bërë për shkak të angazhimit të tij në luftën për çlirim, akuza këto të fabrikuara nga shteti serb.
Tutje thuhet se arrestimi i Ramadanit është politik dhe pa asnjë bazë ligjore.
“Tragjikisht, edhe pas 25 vitesh, vazhdon kjo lojë e njëjtë e inskenimeve ndaj veteranëve të luftës së UÇK-së. Shpresojmë që autoritetet kosovare do të përdorin të gjitha rrugët diplomatike dhe komunikimin me shtetin maqedon, për të liruar zotin Ramadani, sepse arrestimi i tij sot është politik dhe pa asnjë bazë ligjore”.
Reagimi i Plotë:
Me shqetësim të thellë, morëm lajmin për arrestimin e bashkëvendësit tonë dhe ish-ushtarit të ditëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani. Blerimi u ndalua sot në mesditë nga autoritetet policore të Maqedonisë së Veriut, për shkak të angazhimit të tij në luftën për çlirim, akuza këto të fabrikuara nga shteti serb.
Tragjikisht, edhe pas 25 vitesh, vazhdon kjo lojë e njëjtë e inskenimeve ndaj veteranëve të luftës së UÇK-së. Shpresojmë që autoritetet kosovare do të përdorin të gjitha rrugët diplomatike dhe komunikimin me shtetin maqedon, për të liruar zotin Ramadani, sepse arrestimi i tij sot është politik dhe pa asnjë bazë ligjore.
Si bashkëvendës dhe qytetarë të Republikës së Kosovës, nuk do të lejojmë kurrë njollosjen e vlerave të luftës, veteranëve dhe vetë UÇK-së. Ky formacion ka qenë dhe do të mbetet simbol i pastërtisë dhe drejtësisë në përpjekjet për çlirimin e tokave shqiptare. Çdo përpjekje për të njollosur këtë trashëgimi është e destinuar të dështojë, sepse e vërteta dhe drejtësia janë të pamposhtura.