Vdekja e fëmijës tre vjeçar nga shembja e murit të një shtëpie të vjetër në Prizren ka mobilizuar më shumë se 10 organizata të shoqërisë civile të cilat kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në protestën që do të mbahet të mërkurën në Prizren me kërkesë “dorëheqje dhe përgjegjësi penale” për këtë tragjedi.
Protestës së thirrur nga organizata nga Prizreni, EC Ma Ndryshe, i janë bashkuar edhe organizata të tjera të shoqërisë civile dhe organizata studentore, si Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, Instituti GAP, Iniciativa për Progres – INPO, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, Forumi për Iniciativa Qytetare, Anibar, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Lëvizja FOL, Qendra për Politika dhe Avokim, Syri i Vizionit. Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), OJQ THY dhe Klubi Politik i Studentëve
“Vdekja e një qytetareje si pasojë e mos-intervenimit të institucioneve është kufiri i cili nuk mund të tolerohet. Përgjegjësit e këtij krimi duhet të vihen sa më parë para drejtësisë. Qytetarët e Prizrenit dhe Kosovës janë të gjithë të kërcënuar nga ky lloj pushteti, në vend të Xhenetës mund të ishte secili prej nesh, thuhet në një komunikatë për media, ku bëhet thirrje për pjesëmarrje masive në protestë.
“Prandaj, Qytetarët Aktivë Për Prizrenin, ju bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve, që t’i bashkëngjiten protestës qytetare, të thirrur nga disa organizata të shoqërisë civile, të Mërkurën me 15 qershor, nga ora 12:00, në Sheshin Shadërvan, për të kërkuar llogari dhe dorëheqje të menjëhershme të kryetarit të komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ministrit të mjedisit, Ferid Agani, dhe ministrit të Kulturës, Kujtim Shala”, thuhet në komunikatë.
Më 6 qershor një fëmijë tre vjeçar humbi jetën pasi një mur i një shtëpie të vjetër u shemb duke lënduar edhe dy anëtarë të tjerë të familjes.
Sipas Policisë, shembja e murit ka ndodhur pas reshjeve të shiut dhe se në gjendje të rëndë janë edhe nëna me fëmijë tjetër, 10 vjeçar.
Ngjarja tragjike ka nxitur Ministrinë e Kulturës dhe Komunën e Prizrenit që të fajësojnë njëra tjetrën si përgjegjëse për atë zonë.
Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Vjollca Aliu, ka thënë se ministria ka insistuar që ajo zonë ku ka edhe shtëpi të tjera të vjetra duhet të ruhet, porse sipas saj, ata kanë dërguar kërkesë nga Komuna e Prizrenit që të ndërmarrë masa për të siguruar ambientin.
Është raportuar se Komuna e Prizrenit ka vonuar një tender që parashihte intervenim në këto shtëpi.
Në anën tjetër, Kryeprokurori nga Prizreni, Sylë Hoxha, ka thënë se për rastin do të nisin hetimet, duke mos përjashtuar se në këtë rast ka pasur edhe elemente penale dhe të neglizhencës. Por, deri më tani nuk ka pasur të dyshuar./Insajderi.com