×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Shpenzimet e ministres Hajdari dhe kabinetit të saj – Ku shkuan mbi 43 mijë euro e kush janë “kampionët”?

Insajderi
04 December 2023 - 17:29
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

43 mijë e 957 euro  është totali i shpenzimeve brenda 11 muajve nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Këto të dhëna u kuptuan vetëm pas ankesës së Insajderit në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, pasi ministrja e Rozeta Hajdarit nuk po kthente përgjigje edhe përkundër që kishin kaluar afatet ligjore. Gazeta Insajderi ju sjell detajet se ku shkuan këto të holla.

Më së shumti u shpenzua për përfaqësim, në total 11 mijë e 244 euro, veç vet ministrja Hajdari shpenzoi 5 mijë euro. Ndërsa dy zëvendësministrat, Mentor Arifaj 2 mijë euro e Enes Gorani 1 mijë e 371 euro.

Përveç kësaj, 6 mijë e 705 euro shkuan për shpenzimet e përfaqësimit për delegacione si dhe punëtori.

Në rend të dytë janë shpenzimet e derivateve, të dhënat për këtë pjesë janë koduar, janë bërë të ditura vetëm tabelat e veturave zyrtare. Dihet se shpenzimet janë nga kabineti, por nga kush specifikisht jo.

Gjithsej nga kabineti i ministres del se janë shpenzuar 7 mijë e 95 euro.

Pas derivateve, mijëra euro kanë shkuar edhe për mëditje e ushqim, më saktë 6 mijë e 585 euro – rekordin këtu e mbanë këshilltarja e ministres Hajdari, Zyrafete Shala.

1 mijë e 293 euro janë shpenzuar vetëm nga zonja Shala. Pasuar nga zëvendësministri, Mentor Arifaj me 1 mijë e 47 euro.

Ndërkaq, ministrja duket të jetë treguar më e arsyeshme mbi këto shpenzime, për 11 muaj ka shpenzuar veç 596 euro për ushqim e mëditje.

Po kaq shpenzime thuajse janë bërë edhe për akomodim. 6 mijë e 136 euro u shpenzuan nga ministrja dhe ekipi i saj.

“Kampione” edhe për këto shpenzime është treguar sërish këshilltarja e Hajdarit, Zyrafete Shala. Ajo ka shpenzuar hiç më pak se 1 mijë e 624 euro, në anën tjetër, ministrja ka shpenzuar veç 952 euro.

Mbi 5 mijë euro janë shpenzuar për telefoni mobile. Nga qasja në dokumente shihet se më së shumti telefonin e ka përdorur ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari. 770 euro i ka shpenzuar ajo nga buxheti i shtetit për telefoni mobile.

Pas saj janë dy zëvendësministrat, Mentor Arifaj e Enes Gorani, të dy kanë shpenzuar nga 770 euro.

Ndërkohë janë shpenzuar edhe afro 1 mijë euro për shpenzimet tjera në udhëtimet zyrtare.

/Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark