×
  • Lajme
  • Analiza

    Shpërfillja e ministres Rizvanolli – nuk tregon me çka ngrohet në shtëpi, thotë se është e dhënë personale

    Insajderi
    28 December 2021 - 11:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministrja e Ekononomisë, Artane Rizvanolli, nuk ka treguar me çka ngrohet në shtëpinë e saj, dhe sa rrymë shpenzon.

    Sipas saj këto informata janë të dhëna personale, dhe nuk mund të zbardhen për publikun.

    “Sa u përket pyetjeve 1 dhe 2, këto janë të dhëna personale të Ministres Rizvanolli, që në asnjë mënyrë nuk i kontribuojnë diskutimit apo diskursit publik mbi sektorin e energjisë, e as informimit e interesit publik”, ka thënë zyra e Rizvanollit për Gazetën Insajderi, kur është pyetur se me çka ngrohet në shtëpi dhe sa rrymë harxhon.

    Megjithatë, kjo e dhënë duket se nuk ka qene personale për shefin e saj Albin Kurtin, i cili ka treguar se kur shkon në shtëpi pas punës ngrohet me batanije.

    Pjesën më të madhe të kohës po më bie të rri ose në makinë duke udhëtuar prej një vendi në një vend tjetër ose në kryeministri, ku kemi një sistem të përgjithshëm të ngrohjes për komplet objektin, e mbrëmë kur kam shkuar shumë vonë në shtëpi jam ngrohur me batanije…”, tha Kurti para disa ditësh gjatë një konference për media ku foli për krizën energjetike bashkë me Rizvanollin, shkruan Gazeta Insajderi.

    Banorët e Kosovës gjatë javës së fundit janë ballafaquar me reduktime të gjata si pasojë e krizës energjetike, krizë kjo e cila është paralajmëruar se do të zgjasë së paku edhe 60 ditë.

    Për sanimin e problemeve të paraqitura në KEK, në Kosovë para dy ditësh ka ardhur edhe një ekspert gjerman, i cili për një ditë të punës do të marrë 12 mijë euro, ndërkohë kontrata mes tij dhe Korporatës Energjetike të Kosovës është valide për 21 ditë.

    Ndërkohë, Kryeministri ka vazhduar që për avarinë në KEK fajin ta lë tek qeverisjet e kaluara, por ka bërë thirrje që qytetarët ta kursejnë rrymën maksimalisht pavarësisht sitautës.

    Thirrje për kursim të energjisë ka bërë edhe Rizvanolli, madje ministria që ajo drejton ka nxjerrë edhe një manual që tregon se si duhet të veprojnë qytetarët në drejtim me kursimin e energjisë.

    “Gjendje e jashtëzakonshme me energji elektrike”

    Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, paralajmëroi gjendje të jashtëzakonshme me energji elektrike në vend.

    Duke raportuar para 10 ditësh në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Rizvanolli tha se situata është pasojë e çmimeve të larta të importit.

    Ajo tha se për import të energjisë elektrike këtë vit janë paraparë 12 milionë euro, por këto mjete, sipas saj, janë shpenzuar vetëm në dy muaj, derisa qeveria javën që shkoi ka ndarë edhe 20 milionë të tjera për krizën energjetike në vend.

    Duke parë këtë gjendje, Rizvanolli ka thënë se nuk mund të ketë garanci se çmimi i rrymës nuk do të rritet.

    Konsumatorët e Kosovës aktualisht paguajnë 6.75 centë për kilovat në orë.

    Ky çmim do të jetë deri më 1 prill të vitit 2022, nëse KEDS-i dhe Furnizuesit për Shërbim Universal për Energji Elektrike nuk kërkojnë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në Kosovë shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike.

    Ministria e Ekonomisë, ndërkohë, është duke hartuar Strategjinë e Energjisë për periudhën 2022-2031.

    Kjo strategji, sipas ministrisë, do t’i analizojë të gjithë skenarët potencialë dhe të përballueshëm financiarisht, për të rritur stabilitetin e furnizimit me energji elektrike, si dhe do të ofrojë mundësinë e integrimit sa më të madh të burimeve të ripërtërishme të energjisë.

    Kriza ka nisur tash e sa muaj, kryesisht për shkak të mungesave të gazit dhe rritjes së çmimeve të gazit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Situata me energjinë në vendet tjera të rajonit

    Me krizë energjetike dhe rrjedhimisht rritje të çmimeve përballen edhe vendet e tjera të rajonit.

    Sipas zyrtarëve, Serbia aktualisht konsumon një të tretën më shumë energji elektrike sesa që prodhon.

    Serbia ka pësuar kolapsin e parë energjetik më 12 dhjetor, kur mbi 2,000 nënstacione kanë dalë jashtë sistemit dhe 136,000 njerëz kanë mbetur pa energji elektrike, si pasojë e borës.

    Disa zyrtarë kanë thënë se është përdorur qymyr me cilësi më të ulët dhe, menjëherë pas kësaj, katër zyrtarë të lartë në industrinë energjetike serbe janë pushuar nga puna.

    Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se çmimi i energjisë elektrike nuk do të ndryshojë deri në fund të sezonit dimëror, shkruan Gazeta Insajderi.

    Çmimet e energjisë elektrike në Serbi janë rritur për 3.4 për qind më 1 shkurt.

    Në Maqedoninë e Veriut, në ditët në vijim pritet vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

    Të tria kompanitë energjetike, të përfshira në prodhim, shpërndarje e faturim, kanë paraqitur kërkesa për rritje çmimesh.

    Qeveria e Maqedonisë së Veriut siguron se rritja nuk do të kalojë 10 përqindëshin.

    Në Federatën e Bosnje e Hercegovinës, ndërkaq, është paralajmëruar rritje e çmimit të energjisë elektrike vetëm për kompanitë – nga 70 për qind deri në 300 për qind, varësisht nga kontrata./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark