×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Shpesh ne s’dimë të bashkohemi, edhe më shpesh nuk dimë të ndahemi

    Insajderi
    30 August 2023 - 14:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Autor: Zija Çela, shkrimtar i njohur shqiptar

    Shënim i shkurtër

    Ka gjasa që, duke krijuar akullnajat, Zoti ta ketë paralajmëruar gjithashtu njeriun se çfarë është vetmia. Ajo ngulmuesja, pështjelluesja mizore, vetmia e frikshme që të nguros, duke e depërtuar ftohtësinë deri në palcën e jetës.

    Në fakt, sado social të hiqet njerëzimi, nuk ka pse mburret. Atje lart ka pafund mbretëri, të cilat na shohin, të cilat na njohin, me të cilat kemi të njëjtën bashkësi, por nuk na bëjnë shoqëri. Dhe natyrshëm të vjen të pyesësh: Po përse, po përse?!…

    Në botën tonë ky mospranim kozmik, jo rrallë, të kujton raportin me njeriun që ke pranë. Raport ku nuk përjashtohet as prindi, as burri, as gruaja, miku a mikja, fqinji a kolegu, as motra, as vëllai… Në krahasim me atë qielloren, pavarësisht paradoksit të distancave, kjo vetmia njerëzore poshtë është po aq e hatashme, po aq shpërfillëse, po aq ndarëse dhe sfilitëse, sado që shfaqet ndryshe. Shpirti tkurrur, i lagësht, i turbullt si shtjellat e reve, na e bën njësh tërë kallkanin në trup.

    Sa turp, sa turp kur pyetjes “Përse?”, ose i bëjmë bisht, ose i japim përgjigje iluzioniste, ose e fshehim duke e tjetërsuar të vërtetën, ose e kthejmë gishtin vetëm nga tjetri.

    Dhe gjithmonë kështu, kudo kështu, me gjithëkënd e mundshme. Me atë që nuk duhemi, sikur dy pëllëmbë vend të ketë midis nesh, mjafton për një akullnajë. E keni vënë re besoj mangësinë tonë dreqane: shpesh ne s’dimë të bashkohemi. Por, kulmi, edhe më shpesh nuk dimë as të ndahemi.

    Eh, sa syri sheh, s’ka forcë dora e shkretë që t’i shkruajë!…

    *Titulli i origjinalit: “Një akullnajë në dy pëllëmbë…” / ObserverKult/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark