×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Shpresuam për më shumë”, Lajçak ndan mbresat nga takimet që pati në Kosovë dhe Serbi me Escobarin

    Insajderi
    12 June 2023 - 09:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, para pak ditësh bashkë me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, vizituan Prishtinën dhe Beogradin, në sajë të situatës së tensionuar në veri. Pas takimeve, Lajçak ka dhënë përshtypjet e tij, ku ka thënë se kanë pritur më shumë nga lidershipi kosovar dhe ai serb.

    Lajçak, me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka njoftuar për takime të nivelit të lartë politik, si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd, teksa tha se pavarësisht sinjaleve pozitive tensionet vazhdojnë të jenë të larta, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Escobar dhe unë kemi shpresuar për më shumë si rezultat i misionit tonë, por fatkeqësisht, pavarësisht disa sinjaleve pozitive, tensionet janë ende të larta”, deklaroi Lajçak.

    Emisari i BE-së i quajti të gjata diskutimet me krerët institucionalë të Kosovës, njësoj sikurse edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. I njëjti përkujtoi tri kërkesat në drejtim të Kosovës.

    “Në Kosovë u takuam me lidershipin më të lartë duke përfshirë presidentin Osmani, kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin e parë Bislimi. Diskutimi ynë ishte i gjatë. Ne përcollëm shqetësimet tona për situatën në veri dhe theksuam nevojën për de-përshkallëzim të menjëhershëm. Ne ripërsëritëm atë që BE-ja dhe SHBA-ja kanë kërkuar nga palët të bëjnë kur bënë thirrje për një zgjidhje politike: de-përshkallëzim të menjëhershëm, zgjedhje të parakohshme me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës dhe kthim në Dialog për normalizim”, deklaroi ai.

    “Nga Prishtina vazhduam misionin për në Beograd. Në Beograd patëm diskutime po aq të gjata dhe jo të lehta me presidentin Vuçiq. Ne i shpjeguam atij se si duhet të kontribuojë për të dalë nga kriza aktuale dhe trajtuam situatën komplekse të serbëve në Kosovë. Në mënyrë të veçantë theksuam se teksa të gjithë qytetarët kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore, dhuna nuk është kurrë e pranueshme dhe nuk mund të ketë asnjë mosndëshkim”.

    “Ne vazhdojmë përpjekjet tona për të mundësuar dhe mbështetur një zgjidhje të qëndrueshme politike”, përfundon postimi i Lajçak. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark