Një vend i varfër në thelb, por i pasur në dukje! Sikur çdo gjë të shkonte për mrekulli në Shqipëri, tanimë po punohet shumë që të kemi edhe një pistë për Formula 1. Së fundmi jehona ka ardhur nga media greke, “Zougla”. Kjo e fundit raporton se Shqipëria po përgatitet për këtë pistë dhe ka marrë dritën jeshile nga FIA.
“Shqipëria nuk iu përmbajt vetëm teorisë, por vazhdoi me prezantimin zyrtar të modeleve për krijimin e autostradës F1. Në fakt, plani ambicioz tashmë ka marrë dritën jeshile nga FIA, e cila do të mbikëqyrë nga fillimi deri në fund krijimin e pistës, e cila ka shumë gjasa të përfshihet në kalendarin zyrtar të Formula 1.
I quajtur Auto Moto Park, pista do të jetë 5 km e gjatë. I njëjti kompleks do të presë edhe akademi të motorsportit, qendra trajnimi për drejtim të sigurt etj.
Qyteti i Elbasanit, i cili do të presë këtë pistë të specifikimeve të FIA-s, hyn në hartën botërore si një shtesë e re e mundshme në motorsportin botëror, me financimin e projektit nga Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Transporteve e vendit.
Në përgjithësi, bisedimet e para mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit të FIA-s, Jean Todt, nisën dy vite më parë dhe tashmë firmat janë vendosur.
Shqipëria ka bërë një lëvizje fantastike që me siguri do të sjellë vetëm fitim, ndërkohë që siç u shpreh Todt, përmes kësaj sipërmarrjeje është një mundësi që banorët e vendit të mësojnë edhe më shumë për drejtimin e sigurt të makinës”, shkruan media greke.