Përfaqësuesja U17 e Kosovës ka pësuar edhe humbjen e dytë në miqësore nga Shqipëria.
Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Ardi Behari siguruan fitoren e dytë radhazi 3:1 ndaj “Dardanëve”.
Të tre golat për ekipin kuqezi u shënuan nga Xheto Joi Nuredini dhe Matias Gici, i cili realizoi dopietë.
Kuqezinjtë spikatën me lojën e mirë që në pjesën e parë të takimit, ku realizuan edhe tre golat e fitores.
Fillimisht ishte Nuredini ai që zhbllokoi rezultatin e takimit që në minutën e 5-të, ndërsa Matias Gici qetësoi skuadrën me dygolëshin e tij në minutat 20-të dhe 37-të.
Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 3-0 për kuqezinjtë ndërsa në fraksionin e dytë, Maksutaj ngushtoi shifrat për Kosovën në minutën e 76-të.