Pas humbjes së thellë që e pësoi nga Finlanda javën e shkuar, Shqipëria U21 është rikthyer te fitorja në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2025”.
Shqipëria U21, të premten e shkuar pësoi 4:1 në udhëtim te Finlanda, ndërsa të martën triumfoi ndaj Malit të Zi. Në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Egnatia” në Rrogozhinë, Shqipëria U21 shënoi fitore me rezultatin 2:0.
Një gol në pjesën e parë dhe një tjetër në të dytën, konfirmuan fitoren e Shqipërisë në duelin që i takoi Grupit E.
Rezultati i ndeshjes u zhbllokua në minutën e 27-të kur Medon Berisha u tregua i saktë nga penalltia. Ndërsa, golin e dytë me të cilin u vulos fitorja e Shpresave të Shqipërisë, e realizoi sulmuesi Stiven Shpendi. Ai shënoi në minutën e 73-të.
Për Shqipërinë kjo është fitorja e tretë në katër ndeshje të luajtura.
Mali i Zi prej minutës së 39-të, luajti me një lojtar më pak pasi kapiteni Andrej Bajoviq u përjashtua nga loja pas kartonit të dytë të verdhë.
Me këtë triumf, Shqipëria U21, i prin grupit me 9 pikë të mbledhura.