EUROSTAT ka publikuar të dhënat mbi shkëmbimet tregtare të shërbimeve ku evidenton se Shqipëria pati suficit në tregtinë e shërbimeve me BE.
Eksportet e shërbimeve nga Shqipëria në BE ishin 857.9 milionë euro, nga 812.7 milionë euro një vit më parë, duke u rritur me 6%. Suficiti tregtar i Shqipërisë në shërbime njohu zgjerim me gati 60%.
Ky ishte viti i dytë radhazi, ku eksportet e shërbimeve shqiptare tejkaluan importet e shërbimeve, me diferencë 77.4 milionë euro.
Në kategorinë e shërbimeve përfshihen: shërbimet e mirëmbajtjes dhe riparimit; transporti; udhëtimi; ndërtimi; sigurimi dhe shërbime pensionale; shërbimet financiare; përdorimi i pronës intelektuale; shërbimet në telekomunikacion dhe informatikë; shërbime të tjera të biznesit; shërbimet argëtuese; shërbimet qeveritare; etj.
Me zhvillimin teknologjik dhe rritjen e globalizmit, tregtia e shërbimeve po njeh zgjerim. Bashkimi Evropian është një ndër partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë. Tregtia e shërbimeve i referohet shitjes dhe shpërndarjes së produkteve të paprekshme, nga prodhuesi, te konsumatori. /ATSH/