Në afërsi të qytetit bregdetar Rijeka, dy orë nga kryeqyteti kroat është Crikvenica dhe Sellca. Përgjatë tërë Adriatikut kroat, shqiptarët kanë ardhur 50 vite më parë nga vende të ndryshme.
Me zanate dhe dyqane janë marrë prej kohësh. Tani, shumica janë të pasur, pasi zhvillimi turistik i Kroacisë i ka gjetur ata me shumë dyqane nëpër qendrat bregdetare. Kanë disa shoqata, shkolla e gjimnaze.
Ermina Lekaj Përlaskaj është deputetja e parë shqiptare në përbërjen e re të Parlamentit të Zagrebit. Ajo ka dy vendlindje, Sellcën dhe Prizrenin në Kosovë, shkruan Top-channel.
“Me integrimin e shqiptarëve në shoqëri të mund të japim një kontribut më të madh dhe të zëmë vendin që meritojmë”, thotë Lekaj Përlaskaj për qëllimet e saj.
Ajo thotë se shqiptarët, kësaj radhe mund ta përdorin forcën e tyre zyrtare për të mos harruar gjurmët, por edhe për të gjetur lidhjet e tyre mes dy atdheve që kanë.
“Të bashkohemi, të jemi më unikë. Të kemi një institut albanologjie këtu në Zagreb, të kemi dhe Fakultetin e Gjuhës Shqipe dhe me ardhjen time në Parlament të sigurojmë më shumë mbështetje financiare për shqiptarët”, shprehet Lekaj Përlaskaj.
Shqiptarët e rinj nuk bëjnë më punë shërbyese, por shumë prej tyre shkojnë në shkollë. Ata janë tashmë në të gjitha profesionet dhe thonë se janë autoktonë. Ngelen shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. /Insajderi.com