×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Shtëpia botuese “Alphabet JH” boton dy vepra eseistike të Xhorxh Oruelit

    Insajderi
    14 July 2023 - 23:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shtëpia botuese “Alphabet JH” ka botuar dy vepra me ese të rëndësishme të George Orwellit, të cilat i ka përkthyer publicisti i njohur kosovar, Agron Shala.

    “Fashizmi dhe demokracia” dhe “Mbi nacionalizmin” janë dy veprat më të reja të autorit të njohur botëror, Xhorxh Oruel, të cilat mund t’i gjeni te libraria e s htëpisë botuese “Alphabet JH”, që ndodhet te shkallët e katedrales në Prishtinë, ose t’i porositni online te faqja e botuesit në fjalë.

    E veçanta e këtyre veprave është se ato, siç thonë studiuesit e Orwellit, e kanë shtruar bazën për kryeveprën e tij “1984”.

    Këto ese ndërlidhen edhe me aktualitetin e sotëm; janë paralajmërim për gabimet që sot bëhen nga e majta dhe nga e djathta ekstreme; kujtesë për rreziqet që vijnë nga ideologjitë dhe nga vetëmashtrimi. Orwelli tregon se ndjenjat nacionaliste, që manipulohen dhe shfrytëzohen nga politikanët, mund të çojnë në pasoja të dëmshme për shoqërinë. Sipas tij, sapo të përfshihet frika, urrejtja, xhelozia dhe adhurimi ndaj pushtetit, ndjenja për realitetin bëhet e çekuilibruar. Mjafton prekja e nervit nacionalist dhe mirësitë intelektuale mund të zhduken, e kaluara mund të ndryshohet dhe faktet më të qarta mund të mohohen. Sipas tij, asnjë nacionalist nuk mendon, nuk flet ose nuk shkruan për asgjë, përveçse për epërsisë e njësitit të vet të pushtetit. Prandaj, duke jetuar me ëndrrat për pushtet, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me botën fizike, disa nacionalistë nuk janë shumë larg skizofrenisë.

    Orwelli shpjegon se nacionalizmi nuk duhet ngatërruar me patriotizmin. Për të, patriotizëm nuk kanë as shumë intelektualë që bëjnë dëme të mëdha, e për të cilët thotë se nuk kanë dashuri ndaj vendit ku përkasin. Madje, thotë se as budallai nuk mund t’i bëjë gabimet që i bën intelektuali. Si pjesë të së keqes i sheh edhe komentatorët politikë ose ushtarakë të cilët, njëjtë si astrologët, mund të mbijetojnë pothuajse pas çdo gabimi, sepse ndjekësit e tyre më të devotshëm nuk kërkojnë prej tyre vlerësim të fakteve, por nxitjen e besnikërisë nacionaliste.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark