×
Aktuale

Shteti në shërbim të rahatimit të familjarëve – Të famshmit nipi i Besnik Bislimit dhe daja i Adem Grabovcit

Insajderi
02 June 2021 - 14:57
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Curr Gjocaj dhe Gëzim Tosuni në opinionin publik u bënë të fashmëm falë lidhjeve familjare me politikanë që kishin dhe kanë pushtet në Qeverinë e Kosovës. I pari falë ndërhyrjes së Adem Grabovcit, shefit të shefave gjatë qeverisjes së Hashim Thaçit, kishte arritur të bëhej drejtor i Shërbimit Spitalor të Kosovës. Gjocaj është daja i Grabovcit. Kurse, Gëzim Tosuni, javën e kaluar është propozuar si anëtarë i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, nga Qeveria në të cilën daja i tij, Besnik Bislimi mbanë pozitën e zëvendëskryeministrit. Për të dyja rastet raportoi Gazeta Insajderi.  

Nipi më i fashmëm në Kosovë

Gëzim Tosuni, për momentin është nipi më i njohur në Kosovë. Daja i tij është ndër personat kryesor në Qeveri.

Gazeta Insajderi, ka raportuar para disa ditësh, se pritet që një familjar i Besnik Bisilimit ta monitorojë punën e Agjencisë së Kosovës për Akreditim. Gëzim Tosuni, nipi i Besnik Bisilimit, është propozuar për anëtar të KShC-së nga qeveria, në të cilën daja i tij ushtron pozitën e dytë më të rëndësishme.

Me shumicë votash, Tosuni është propozuar anëtarëve për Këshillin Shtetëror të Cilësisë, në mbledhjen e 12-të të qverisë që është mbajtur javën e kaluar. Paraprakisht, Tosuni dhe të tjerët i ishin rekomanduar qeverisë nga një komision i posaçëm qeveritar.

Për një votë pro propozimit të Tosunit – ish-Dekan i Fakultetit Ekonomik të Universitetit Publik të Gjilanit – dorën e ngriti edhe daja i tij, Besnik Bislimi, njeriu i dytë i qeverisë. Insajderi, nga burimet e saj, është informuar se Tosuni është nip i Bislimit.

Ekzekutivi e ka proceduar në Kuvend propozimin për emërimin e Gëzim Tosunit, dhe tre emrave të tjerë. Tash pritet që kuvendi të votoj ose mos votoj këto propozime.

Ky këshill, për të cilin u propozua Tosuni është organi vendimmarrës i Agjencisë së Akreditimit.

Vetë Tosuni në një përgjigje për Gazetën Insajderi e pranoi se ka lidhje familjare me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

“Kemi lidhje familjare, në kuptimin që ne në Kosovë gati gjithmonë jemi diku – takohemi me njëri tjetrin. E gjeni [lidhjen familjare [v.j], qato informatat prej nga jeni informuar; jo që turpërohem, nuk kam nevojë me u fsheh”, ka thënë Tosuni.

Profesori i Ekonomisë, ka mohuar ndikimin e mundshëm të Bislimit në propozimin e tij për anëtar të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

“Absolutisht nuk ka ndikuar, sepse kur të informoheni pak më shumë e shihni se si ka shkuar procedura dhe e dini që nuk ka pasur mundësi për të ndikuar. Unë mund të them që nuk ka pasur kurrfarë ndikimi”, ka deklaruar Tosuni, në një bisedë telefonike për Insajderin.

Daja më i famshëm në Kosovë

Curr Gjoci, i cili njihet në opinion edhe si ‘daja i Adem Grabovcit’, në pozitën e drejtorit të ShSKUK-së kishte arritur me porosinë e këtij të fundit.

Favori që Adem Grabovci kërkon nga shefi i tij, HashimThaçi ishte që dajës së tij, Curr Gjocit t`i jepet pozita më e lartë, pas ministrit,  në sistemin e shëndësor.

Në materialet e përgjimeve, “Dosja e Shefave” që kishin publikuar Gazeta Insajderi dëgjohej biseda e Grabovcit me shefin e PDK-së asokohe, Hashim Thaçin, të cilit i thotë se nuk po kujdesën sa duhet për dajën e tij, Curr Gjocaj.

“Do obligime nuk janë kry, por kur të vish bisedojmë”, i thotë Grabovci përmes telefonit Thaçit.

“Kush? Jo nuk është e vërtetë”, ia kthen Thaçi, duke mos e ditur ende se për kënd është fjala.

“Vallahin po, një dajë temin ma keni lanë anash”, Grabovci ia kujton Thaçit obligimin ndaj tij.

Thaçi e përmend një emër por nuk kuptohet. Grabovci reagon duke i treguar për kënd është fjala

“Gjocin…, Curr Gjocin”, i thotë Grabovci.

“Jo more nuk um ke thanë”, ia kthen Thaçi atij.

“Qyqy!”, reagon Grabovci si me habi dhe duke qeshur.

Por Thaçi nuk e zgjat më shumë bisedën rreth Curr Gjocajt, duke e pyetur Grabovcin për gjendjen politike në vend.

Curr Gjocaj ishte zgjedhë në këtë pozitë në vend të drejtorit të deriatëhershëm, Njezi Gashi. Më vonë Gjocaj ishte rizgjedhë në këtë pozitë por rizgjedhja e tij kishte ngjallur protesta.

Grupit të qytetarëve të pavarur të Kosovës atëkohë  #PROTESTOJ, kishte shprehur pakënaqësinë e vet për rizgjedhjen e Curr Gjocaj udhëheqës të Shërbimit Spitalor të Kosovës në baza jomeritore.

Sipas tyre riemërimi i tij ishte i paligjshëm dhe skandaloz. /Insajderi.org

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark