Gjiganti teknologjik amerikan, Google, pritet ta sjellë një funksion të ri në shfletuesin e saj të internetit për t’ua mundësuar përdoruesve mbrojtjen nga kontrollimi elektronik i vendndodhjes së tyre.
Të ashtuquajturat “Cookies” janë dosje të vogla me tekste që i përcjellin përdoruesit e internetit dhe përdoren nga reklamuesit për shënjestrimin e njerëzve me interesa të caktuara përderisa ata janë duke shfletuar faqe të ndryshme internet.
Ndonëse pajisjet e reja të kompanisë nuk pritet ta kufizojnë shumë aftësinë e saj për të mbledhur të dhëna, kjo masë do t’i ndihmonte gjigantit ta kontrollojë përparësinë e madhe që ka ndaj rivalëve tjerë për reklamim në internet.
Tre miliardë përdoruesit e faqes Google bëjnë që kjo kompani të jetë shitësja më e madhe e reklamave të internetit në botë, duke e zotëruar pothuajse një të tretën e tërë të ardhurave. Pas saj radhitet kompania “Facebook Inc”, e cila e kontrollon 20 për qind të tregut të reklamave në internet.
Kompania po synon t’i bllokojë reklamat nga të cilat përfitojnë palët e treta dhe të cilat nuk kontrollohen nga pronari i faqes. Një gjë të tillë e kanë bërë kohë më parë edhe kompanitë “Apple Inc” në shfletuesin e saj, Safari, dhe shfletuesi Mozilla Firefox, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.