Destinacione tradicionale e të reja, paketat ‘all inclusive’ që ofrojnë komoditetin e mjaftueshëm. Prej vitesh këto janë zgjedhjet për pushimet e shqiptarëve jashtë shtëpisë. Spanja dhe Portugalia janë trendi i ri, por nuk mbeten pas as vendet ekzotike. Agjencitë turistike janë optimiste për ecurinë e prenotimeve, ne mes të alternativave gjithnjë e më të larmishme, pavarësisht situatës politike të paqartë.
Vera 2019 zyrtarisht ka nisur. Të shumtë janë ata që kanë planifikuar herët ditët e nxehta të këtij sezoni dhe zgjedhjet janë të ndryshme. Tendenca kryesore vijon të jetë Turqia dhe Greqia. Këtë vit, operatorët e tregut pohojnë se Greqia dhe Korfuzi ka pasur një rritje të lehtë të çmimeve, kjo sepse duke nisur nga 1 janari 2018, të gjitha destinacionet greke kanë aplikuar taksa qëndrimi në hotele, të cilat arrijnë në 4 euro për net qëndrimi, në rastin e hoteleve me 5 yje.
Agjencitë raportojnë se ndërkohë, Turqia ka shtuar më shumë ofertat, duke iu përshtatur buxheteve të ndryshme. Operatorë të ndryshëm turistikë pohojnë se ka gjithnjë zgjedhje ekonomike për ata që nuk u volit një pushim i shtrenjtë, me alternativa rajonale dhe kryesisht udhëtime me autobus. Por, më të preferuarat vijojnë të mbeten ato pushime që mund t’i quajmë “me duar në xhepa”, sidomos për familjet. Shqiptarëve, çdo vit e më tepër, po u pëlqejnë pushimet gjithëpërfshirëse, sidomos n.q.s. do të udhëtojnë me familjen. Për shqiptarët, nuk do të jenë jashtë vëmendjes edhe destinacionet “ekzotike” që pëlqehen më shumë nga çiftet e reja për muaj mjalti. Një paketë e tillë e kalon çmimin e 1000 eurove për person.
Spanja dhe Portugalia veçohen nga drejtuesit e agjencive, duke qenë se janë kthyer në një trend në mesin e destinacioneve europiane. Megjithatë, të dyja këto destinacione pëlqehen më tepër nga çiftet e reja apo grupe shoqërore, duke qenë se janë udhëtime të cilat bëhen vetëm përmes tranzitit.
Të rinjve shqiptarë u volit kjo zgjedhje, sidomos nga Aeroporti i Shkupit, ku çmimet janë joshëse. Në panoramën e verës 2019 nuk lëmë pa përmendur edhe destinacionet ekzotike, për të cilat agjencitë turistike raportojnë një rritje në numër, që thuajse është shndërruar në zgjedhjen numër 1 të çifteve të sapomartuara. Megjithatë, destinacionet ekzotike si Ishujt Maldive, Dubai, Tajlanda etj., janë zgjedhje edhe të muajve të ndryshëm të vitit, duke marrë në konsideratë motin gjithnjë të favorshëm dhe shpeshherë, leverdi në çmim në muajt e dimrit.
Paketat ekonomike
Ka oferta ekonomike edhe për buxhete që nuk arrijnë dot destinacione ekzotike. Nga Agjencia turistike Matias Travel thonë se shumë të rinj por edhe familje me fëmijë të rritur kanë zgjedhur këtë vit të pushojnë në fqinjët tanë grekë. Përkatësisht bëhet fjalë për udhëtimin Parga – Preveza, në konceptin all inclusive, e cila për 4 ditë nis nga një çmim vetëm 119 euro/personi; 5 ditë nga 149 euro/personi, 8 ditë nga 229/personi. Këto janë çmimet e paketave të zgjedhura për muajin qershor dhe korrik, ndërsa në gusht, çmimet priren që të rriten disi.
Koncepti i një pakete të tillë, që preferohet shumë këtë vit, përfshin fjetje All Inclusive në hotel, mëngjese, dreka, darka dhe pije dhe transportin me autobus.
Politika shton pasiguritë
Agjencitë turistike në Tiranë, por edhe në Durrës, thonë se gjendja kaotike politike dhe pasiguritë e lindura prej saj, kanë ndikuar në një stepje të shqiptarëve për të prenotuar. Ata pohojnë se amullia e krijuar nga zhvillimi ose jo i zgjedhjeve vendore më datë 30 prill kanë frenuar një pjesë të prenotimeve të zakonshme që kryheshin në qershor. Madje, burime nga agjenci të ndryshme pohojnë se pasiguritë ndikojnë edhe në prenotime të mëvonshme, duke mos pasur një garanci për datën e zhvillimit të zgjedhjeve, për një pjesë të mirë të punonjësve të administratave apo individë të caktuar të angazhuar në fushën politike.
Greqia dhe Turqia, zgjedhjet kryesore
Edhe këtë vit, e njëjta panoramë, për pushime shqiptarët zgjedhin kryesisht fqinjët grekë dhe ‘vëllezërit’ turq. Greqia zgjidhet për destinacionet e lira, aksesin e shpejtë dhe të afërt dhe sidomos, nga të pasionuarit e aventurës në ishuj të ndryshëm. Turqia vijon të pëlqehet për komoditetin e chart-erave të linjës direkte dhe resortet ‘all inclusive’
Drejtuesit e agjencisë Union Travel thonë se destinacionet më të pëlqyera në Greqi janë: Korfuzi, Halkidhikia e Parga. Afërsia dhe mundësia e arritjes së këtij destinacioni edhe me automjete private e bëjnë më të frekuentuar dhe të prekshëm nga një pjesë e mirë e shqiptarëve që zgjedhin të pushojnë jashtë.
Ofertat për këtë destinacion janë për hotelet me katër e pesë yje, për 5 apo 10 ditë qëndrim. Alternativë tjetër janë pushime në Korfuz, duke filluar nga 320 euro për person në hotele me 4 yje; në Halkidiki, duke filluar nga 220 euro për person, sipas Union Travel, të cilat janë destinacione të preferuara ndër vite.
Në Turqi, tre janë destinacionet që kërkohen për shkak të ofertave të shumta: Antalya, Bodrum dhe Alanya. Nga Union Travel bëjnë të ditur se çmimet fillojnë me 550 euro/personi dhe arrijnë deri në 1000 euro në disa resorte më të kripura. Shqiptarët në Turqi preferojnë të prenotojnë në resorte me katër e pesë yje dhe me shërbime all apo edhe ultra all inclusive. Antalia është destinacioni kryesor, duke u ndjekur nga Kemeri, Bodrumi e Alania. Koha e qëndrimit llogaritet mesatarisht nga 7 net.
“Për prenotimet e kësaj periudhe, në Kemer ka pasur oferta hotelesh që kanë zbatuar deri edhe në 60% ulje të çmimeve. Një paketë për qëndrim në hotel me pesë yje, për 7 ditë, është ofruar me një çmim prej 400 euro/personi, në një kohë kur vitin e kaluar, në të njëjtën periudhë, kjo shifër ishte rreh 600 euro/person”, thonë drejtuesit e agjencisë ATHS/Monitor.al