Insajderi
Lajme

Si dyshohet se Nadir Çausholli korruptoi strukturat shëndetësore për t’u shitur barna pacientëve edhe kur nuk kishin nevojë

Insajderi
30 July 2026 - 14:53
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Si dyshohet se Nadir Çausholli korruptoi strukturat shëndetësore për t’u shitur barna pacientëve edhe kur nuk kishin nevojë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Raporti i brendshëm i FSDKSH-së përshkruan një skemë të dyshuar abuzimi me rimbursimin e barnave, përmes së cilës dyshohet se janë shkaktuar dëme financiare ndaj buxhetit të shtetit.

Sipas raportit, skema dyshohet të ketë funksionuar në tre nivele: depot farmaceutike, farmacitë dhe mjekët e familjes. Pretendohet se janë përdorur fatura të fryra, janë raportuar barna të pashitura realisht dhe janë lëshuar receta për pacientë që nuk i kanë marrë barnat ose në raste të caktuara për persona që nuk rezultonin përfitues, raporton JOQ, përcjell Insajderi.

Në nëntor 2025, Gjykata e Tiranës caktoi masa sigurie ndaj administratorit të CFO Pharma, Frigull Milla, ish-drejtorit të FSDKSH-së, Spartak Zeka, si dhe personave të tjerë të përfshirë në hetim. Ata akuzohen për falsifikim dokumentesh dhe fshehje të të ardhurave, ndërsa dëmi paraprak u vlerësua rreth 700 mijë euro.

Kontrolli administrativ i dorëzuar në janar 2026 te drejtori i përgjithshëm i FSDKSH-së, Arti Papajani, konstaton se skema e dyshuar nuk kufizohej vetëm te barnat Foster dhe Trimbow, por dyshohet të jetë përdorur edhe për të paktën gjashtë barna të tjera. Sipas raportit, dëmi i dyshuar financiar arrin në mbi 2.3 milionë euro.

Raporti identifikon rreth 400 farmaci të përfshira në verifikime, kryesisht në Tiranë. Në dokument përmenden farmacitë “Medigreen” dhe “Bioplus”, si dhe Gazmend Aliaj, i arrestuar më parë për çështje të ngjashme sipas raportit.

Kontrolli u përqendrua edhe te përdorimi i barit Entresto, duke shqyrtuar praktikën e përshkrimit të recetave nga mjekët e familjes. Sipas raportit, u evidentuan raste ku nuk ishte respektuar sistemi i referimit ose ishin ndryshuar forma, doza, sasia apo principi aktiv i barit të rekomanduar nga mjekët specialistë.

Verifikimet përfshinë 11 mjekë familjeje dhe kardiologë në Qendrat Shëndetësore nr. 1 dhe nr. 2 në Tiranë. Raporti evidenton parregullsi në dokumentacion dhe në përshkrimin e barnave, të cilat konsiderohen shkelje të procedurave.

Në disa raste, pacientët deklaruan se nuk kishin marrë barnat që figuronin si të tërhequra në sistem. Gjithashtu, raporti identifikon raste ku sasitë ose dozat e barnave të regjistruara nuk përputheshin me rekomandimet e mjekëve specialistë.

Dokumenti përmend edhe rastin e një mjeku me inicialet I.J., për të cilin thuhet se nuk kishte respektuar sistemin e referimit dhe kishte ndryshuar elementë të recetave për Entresto. Gjatë kontrollit, nga 49 dosje të përzgjedhura, në 40 raste nuk ishte e mundur të kryhej verifikim i plotë për shkak të mungesës ose fshirjes së dokumentacionit. Prej tyre, 33 raste i përkisnin të njëjtit mjek.

Grupi i kontrollit zgjeroi verifikimet edhe te dy kardiologë me kontratë pranë Qendrës Shëndetësore nr. 2, si dhe shqyrtoi dokumentacionin e lidhur me një kardiolog të ndjerë që kishte pasur kontratë me Qendrën Shëndetësore të Specialiteteve nr. 1. Sipas raportit, në zyrën e këtij të fundit nuk u gjet dokumentacion që të dokumentonte fillimin e trajtimit të pacientëve me Entresto.

Më 25 nëntor 2025, gjatë kontrollit në Qendrën Shëndetësore nr. 2 në Tiranë, në ambientet e institucionit u paraqitën dy persona të identifikuar si oficerë të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës, të cilët njoftuan se çështja ishte pjesë e një hetimi penal. Raporti nuk jep detaje mbi arsyen e paraqitjes së tyre apo mbi vijimin e komunikimit.

Raporti administrativ përfundon se janë konstatuar një sërë parregullsish që mbështesin dyshimet për një skemë të organizuar abuzimi. Hetimi penal pritet të përcaktojë nëse këto gjetje mbështeten nga prova të mjaftueshme dhe nëse ekzistojnë përgjegjësi penale për personat e përfshirë.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark