Lëvizja Vetëvendosje kishte shkaktuar një dramë brenda kuvendit komunal të Suharekës vetëm e vetëm që në komitetin më të rëndësishëm ta çonte anëtarë Liridon Fandajn. Insajderi sjell detaje nga ‘lufta’ e tij me të keqën brenda këtij mekanizmi komunal për aq pak mbledhje sa ai pati mundësi që të merrte pjesë para se të arrestohej në operacionin e madhe kundër korrupsionit i njohur si ‘Subvencionet’.
Gazeta Insajderi
Liridon Fandaj, ish- asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Suharekë, i cili në qershor të këtij viti ishte arrestuar nën dyshimin për mashtrim me subvencione është përmendur edhe në dosjen e sekserëve që blinin ndikim e ish-kryeprokurorit të Apelit, Haxhi Dërguti.
Videot, ku ai nuk e dinte se po incizohej, e shfaqin duke folur për para. Ryshfete. Shumë para.
Por, kur ai ishte në publik, ‘luftonte si luan’ kundër të keqes. “Po hym në një etapë ku merr fund ajo parulla “rroga e vogël fitimi i madh” – ishte postimi i ish- asamblistit të VV, Liridon Fandaj në facebook.
Ai i tillë ishte shfaqur edhe në disa mbledhje të njërit nga komitet më të rëndësishme të Komunës së Suharekës, Komitetit për Politikë e Financa. Ai në këto mbledhje bënte beteja për ta ruajtur publiken. Madje ishte i ashpër edhe kur u fol për subvencione për klubin e futbollit ‘Balkanni’ në këtë qytet.
Edhe kur flitej për banesat për qytetarë që kanë nevojë për banim. Ngriste dyshime kundër kompanive që mund ti rrisnin çmimet. Kërkonte që komuna të vendoste tarifa fikse dhe jo përqindje se sa të paguheshin.
I ashpër ka qenë edhe me Stacionin eAutobusëve, për raportin e së cilës ndërmarrje thotë që ka paqartësi që e bëjnë atë që të mos e miratojë atë raport.
Edhe ardhja e tij në atë komitet ishte dramë në vetë.
Beteja e VV-së në Suharekë për ta çuar Liridon Fandajn në komitetin më të rëndësishëm
Në dhjetor të vitit 2021 Komuna e Suharekës po i krijonte komitetet e kuvendit komunal. Në këtë mbledhje të fundit të atij viti, u caktua edhe komiteti më i rëndësishëm, ai për Politikë e Financa.
Partitë e tjera kishin përmendur emrat. I erdhi rendi edhe Vetëvendosjes. Ata e propozuan për këtë komitet shefin e tyre në atë kohë, Liridon Fondaj. Edhe pse me radhë, për shkak të kotës gjinore kërkohej të ishte një grua, VV-ja do të bënte dramë brenda asaj mbledhje vetëm që ta dërgonte Fandajn në atë komitet.
Kryesuesi i kuvendit komunal u kishte tërhequr vërejtjen se nëse vendoset edhe një burrë më shumë, Ministria e Pushtetit Lokal do ta kthente vendimin mbrapshtë.
“Le të kthehet. Le ta rregullojnë ata (MAPL)”, këmbënglute Fandaj për ulësen e tij në KPF.
Ai madje ia kujtonte pushtetit në Suharekë se “pasi keni koalicion me PDK-në, bëjeni një marrëveshje”.
Më në fund u deshtë që AAK-ja ta tërhiqte emrin e Aziz Bytyqit dhe në KPF të hynte Besa Kuçi.
Fandaj ngriti dyshime për kompanitë ndërtimore e subvencionet për klubin ‘Ballkani’
Në maj të këtij viti, pak para se të arrestohej në operacionin ”Subvencionet” Liridon Fondaj kishte marrë pjesë në mbledhjen e Komitetit për Politikë e Financa.
Aty u diskutua për një vendim të komunës së Suharekës, që për tri vite kishte vendosur që të paguante qiranë e 7 familjeve, por vetëm 40 përqind të qirasë. Kategoria ishin nënat vet-ushqyese.
Fandaj kishte ngritur dyshime se nëse komuna paguan 40 përqind, pa caktuar çmim fiks, kompanitë mund ta keqpërdornin.
“Nëse një kompani ka ndërtesa, ajo mundet me i ndryshu kontratat në faturë sado që është. Më mirë është me përcaktu një vlerë 250 euro si total”, kishte thënë Fandaj.
Tutje ai kishte ngritur dyshime edhe se dikush mund ti shiste banesat e përfituara nga komuna. “Duhet mi mbikëqyr dhe jo me ja dhanë dikujna dhe mos me shfrytëzu dej tash dhe tash me shit”, kishte deklaruar Fondaj.
Ky ish-asamblisti i LVV-së kishte pasur vërejtje edhe pse komuna e Suharekës po i jepte subvencione klubit “Ballkani”, pasi që thoshte që është biznes.
“Kërkesa na ka ardhë pasi na ka ardhë vendimi. A na ka ardh kërkesa dhe e kemi bo projekt-vebdimin apo çka? Ky vendim në bazë të neneve dhe ligjeve, nuk shkrun kërkund për subvencionim. Kërkoj sqarim ligjor. Klubi i Ballkanit shumë mirë që ka mrri, por është i privatizim dhe kapitalin fillestar e ka 50 mijë euro dhe është viti i dytë që subvencionohet. Këto janë taksa të qytetarëve dhe të buxhetit të komunës tonë, dhe ne po e subvencionojmë një SHPK”, kishte deklaruar Fandaj.
Ai në një mbledhje të mëhershme kishte pasur vërejtje edhe kundër ndërmarrjes Stacioni i Autobusëve.
:Në raport thuhet se stacioni i autobusëve nuk i ka obligim asnjë furnitori dhe asnjë institucioni. Dhe këtu në kalkulim del që është minus. Në raport u deshtë pasqyrat financiare me i pasë”, kishte deklaruar ai në KPF dhe derisa merrte sqarime nga Kryesise i Kuvendit Komunal se kishte pasur më pak të hyra për shkak të pandemisë Covid-19 e shpenzimet ishin pagat, Fandaj kishte deklaruar se “nëse unë nuk e ngrisë si çështje dhe e miratoj, nesër të vjen një kërkesë me ja mbulu shpenzimet” dhe se për të ky raport nuk kalon.
150 mijë euro ryshfet- Sekseri i Haxhi Durgutit respektohej nga Kurti e Sveçla
Kryeministri Kurti shpërfillte rrezikun nga pandemia dhe e përshëndeste ngrohtësisht Liridon Fandajn, kur vizitonte Suharekën. Xhelal Sveçla, ministri i Punëve të Brendshëm shtrëngonte duart ngrohtësisht me Fandajn, si miq të kamotshëm.
Por, njeriu i respektuar shumë nga Kurti e Sveçla del të jetë person qe vepron në kundërshtim me deklarimet e Kurtit e Sveçlës.
Ai dyshohet se është i përfshirë në dy skandale të mëdha. Në rastin e subvencioneve për të cilin është arrestuar më herët, por edhe në një rast tjetër të madh. Në rastin e ryshfetit që përfshinë njerëz me ndikimin në sistemin prokurial.
Emri i tij është përmendur në dosjen e sekserëve që blinin ndikimin e kryeprokurorit të Apelit. “Kallxo Përnime” ka publikuar rrëfimin e biznesmenit Sali Dakaj i cili pretendon se i dha 150 mijë euro përmes Liridon Fandajt, që lënda e një borxhi prej 3.5 milionë euro të kthehet në favor të tij, shkruan Gazeta Insajderi.
Biznesmeni Dakaj ka treguar se e kishte një lëndë në Gjykatën e Prishtinës, një përmbarim borxhi, dhe gjatë kohës sa ka pritur të merrej vendimi, tek ai kishte shkuar Liridon Fandaj, i cili i kishte thënë se një shok i tij, Hasan Morina, e ka një lidhje në Prokurori, që është Haxhi Dërguti, kryeprokurori i Apelit. Fandaj i kishte thënë Dakajt se nëse pranon t’i japë 300 mijë euro lënda kthehet në favorin e tij, përndryshe do ta humbte lëndën.
“Unë e kam pas një lëndë ne Gjykatën e Prishtinës, një përmbarim borxhi me kompaninë “ExCom” dhe gjatë kohës sa kam pritë me u kry vendimi, tek unë ka ardhur Liridon Fandaj i cili me ka thanë se një shok i tij, Hasan Morina, e ka një lidhje në prokurori, që është Haxhi Dërguti, kryeprokurori i Apelit dhe nëse ti pranon me i dhanë 300 mijë euro lënda kthehet në favor tëndin, përndryshe ke me hup lëndën. Unë duke e pa që lënda nuk po kryhet u detyrova me i gjetë borxh 150 mijë euro dhe ia kam dhanë Hasan Morinës, i cili më ka thënë se bashkë me Liridon Fandën ia kanë çu në shtëpi Haxhi Dergutit” – theksoi Dakaj për emisionin “Kallxo Përnime”.
Si u përfshi ish-shefi i aslmbleistëve të Vetëvendosjes në aferën e subvencioneve në bujqësi?
Ish- asamblisti i VV-së në Suharekë ishte arrestuar për mashtrim me subvencione Ish-Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Suharekës, Liridon Fandaj, në qershor të këtij viti ishte arrestuar nën dyshimin për mashtrim me subvencione. Fandaj ishte një nga 11 të arrestuarit nga Policia e Kosovës.
Operacioni u zhvillua nga Krimet Ekonomike në Pejë, Istog, Deçan, Viti Suharekë dhe Ferizaj.
Të arrestuarit gjatë këtij aksioni dyshohet së janë përfshirë në veprat penale: ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar’, ‘marrja e ryshfetit’, ‘dhënia e ryshfetit’, ‘mashtrimi me subvencione’ ‘falsifikimi i dokumenteve zyrtare’ dhe ‘pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare’.
Sipas dosjes së Prokurorisë në këtë rast, Liridon Fandaj dyshohet se ka ndihmuar të Ingrit Kuqin që të paraqes të dhëna të rreme dhe të pa sakta që të përfitoj subvencione nga Ministria e Bujqësisë në atë mënyrë që i pandehuri Liridon Fandaj siguron nga Sali Statovci certifikatën për bimë organike e lëshuar nga “Bio Q-check” në mënyrë të kundërligjshme pa asnjë procedurë dhe pa asnjë kontroll duke paguar shumën 4,343.50 €.
Këtë i pandehuri e paraqet në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësish kinse ka të mbjella dhe të certifikuara me kunguj sipërfaqen prej 62.05 hektar, e AZHB-së me rastin e kontrollit në teren kanë konstatuar se i njëjti ka paraqitur sipërfaqe prej 26.78 hektar më shumë se sa që në realitet i ka pas dhe gjatë kontrollit nuk kanë hasur fare në gjurmë të perimeve (kungujve) dhe me këtë rast ka përfituar shumen e parave në vlerë gjithsej 67,368.00€.
Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Liridon Fandaj ka kryer veprat penale: “Dhënia e ryshfetit në sektorin privat” nga neni 310 dhe “Ndihmë” nga neni 33 për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi me subvencione nga neni 324 par 1 lidhur me par 3 të KPRK-së./Gazeta Insajderi