×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Ekskluzive: Si e shkatërroi ministrja Gërvalla festën e Pavarësisë në Hamburg, konsulli Begolli flet për Insajderin

    Insajderi
    12 March 2022 - 16:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në 14 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës,  ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ishte në vizitë tek Konsullata e Përgjithshme në Hamburg. Por, në vend të organizatorëve ‘kapadaia’ e vërtetë ishte vet Gërvalla, pasi kërkoi që gjithçka të shkonte sipas planit të saj.

    Altiana Zogaj

    Kjo nuk u pëlqye nga konsulli i Përgjithshëm në ikje, Gramos Begolli i cili më pas kishte dërguar edhe një email tek kryeministri, Albin Kurti dhe tek kryekuvendari, Glauk Konjufca ku tregonte për shqetësimin e tij ndaj veprimeve të Gërvallës.

    Ministrja fillimisht nuk e kishte lajmëruar pjesëmarrjen e saj në takim dhe gjithashtu  në ftesën dhe programin e përgatitur nga Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Hamburg, nuk figuron fare emri i ministres, e as i mikut të saj, Muhamet Idrizi, kryetari i shoqatës “Oda” në Hamburg i cili erdhi me ministren.

    Gazeta Insajderi në një intervistë ekskluzive me konsullin Gramos Begolli sjell detajet në lidhje me skandalin e radhës të ministres Gërvalla.

    Më poshtë gjeni intervistën e plotë.

    Gazeta Insajderi: Si ka ndodhur e gjithë ngjarja nga vizita e ministres Gërvalla në Hamburg?

    Gramos Begolli: Në përputhje me praktikën e vendosur, ne kaluam javët para ngjarjes duke e planifikuar atë. Në ketë mënyre  e kemi përgatitur agjendën, skenari, dhe listën e folësve dhe të ftuarve.Covid-19 ka qene një faktor i rëndësishëm për shkak të rregullave në Gjermani ku ngjarjet janë të kufizuar sa i përket pjesëmarrësve.Gjithçka ishte gati dhe e vendosur, e organizuar dhe e planifikuar. Ministria ka qene në dijeni që diçka e tillë po përgatitet, pasi është festa e Ditës së Pavarësisë.Më 16 shkurt, mora mesazhe në Whatsapp nga një numër i panjohur. Nuk kishte të dhëna se kush ishte, duke pretenduar se ishte Ministrja Gervalla. Unë kërkova që të drejtohet përmes komunikimeve zyrtare të Ministrisë. Po ashtu kërkova nga Ambasadori ynë në Gjermani, Sekretari i Përgjithshëm, Zyra e Sekretarit te Përgjithshëm te MPJD-se, që të konfirmoj nëse ky numër është i Ministres siç pretendohej. Asnjë përgjigje zyrtare nuk ka ndodhur, deri sa kam marrë mesazhe tjera nga i njëjti numër me gjuhë të rreptë dhe instruksione.

    Gazeta Insajderi: Çka është kërkuar saktësisht nga ju prej ministres Gërvalla?

    Gramos Begolli: Mesazhet në Whatsapp , të cilat tashmë duket se janë nga MPJD znj. Gërvalla, kërkonin që Konsullata të ftonte z Muhamet Idrizi dhe që ti kërkoj falje që nuk e kam ftuar më parë në event., si dhe te i ipet fjala gjate eventit. Kjo kërkesë ka qenë e papranueshme pasi kemi pas arsye pse z Idrizi nuk ka qene i ftuar edhe pasi nuk kam marr instruksione në mënyrë zyrtare. Me 17 shkurt – pra Dita e Pavarësisë – MPJD Gërvalla e paparalajmëruar u paraqit në Konsullatë, bashkë me z. Idrizi. U ftova në zyrë për të folur, dhe unë paraqita arsyet e mia për situatën në fjalë. Ajo kërkoi të flasë dhe natyrisht iu dha fjala si MPJD, po ashtu më tha se unë nuk do të flas por do të flet z. Idrizi. E gjithë kjo në Ditën e Pavarësisë, në një event të organizuar nga institucionet e Republikës së Kosovës!

    Gazeta Insajderi: Pse e konsideruat si veprim jo të duhur kërkesën e Gërvallës?

    Gramos Begolli: Ka disa arsye pse kjo është skandaloze dhe kundër rregullave:- Forma dhe mënyra e komunikimit në minutën e fundit, numri i panjohur i Whatsapp –it; komunikimi i cili nuk është korrigjuar as pasi kam kërkuar përmes kanaleve zyrtare. Toni i komunikimit ishte gjithashtu i pahijshëm një ministër që fliste me një konsull të përgjithshëm.- Pastaj fakti që ajo u shfaq në Gjermani pa ndjekur asnjë protokoll. Një Ministër i Puneve të Jashtme nuk mund të udhëtojë thjesht në një vend, dhe ky është një vend shumë miqësor, ka rregulla strikte për vizitën zyrtare. Prezenca e saj pa protokoll mund të shqetësojë seriozisht autoritetet gjermane; këto rregulla ekzistojnë për një arsye.


    – Erdhi pa njoftuar Konsullatën e Përgjithshme e Republikës se Kosovës qe e njëjta te njoftoj autoritet e vendit pritës për te marr te gjitha veprimet për vizitat e larta ne një shtet tjetër.


    – Na ftoi për një takim në zyre në mënyre aspak etike e profesionale duke më rekomanduar të buzëqeshi dhe të ndryshoj agjendën e organizimit dhe më urdhëroi të mos marr fjalën fare, dhe në vend timin të flet z. Idrizi. 


    – Pra një event i organizuar nga institucionet legjitime të Republikës së Kosovës u shndërrua në event partiak ku në vend se personat e akredituar të adresohen mysafirëve, kjo u bë nga persona të afërt me Ministren dhe me partinë e saj. 

    Gazeta Insajderi: Tek kush jeni ankuar pas vizitës së ministres?

    Gramos Begolli: Tek Kryeministri i Kosovës  z. Kurti dhe Kryetari i Parlamentit z. Glauk Konjufca si dhe ne dijeni i kam vënë anëtarët e Komisionit Parlamentar për Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

    Gazeta Insajderi: Çfarë hapash prisni të ndërmerren pas kësaj ankese?

    Gramos Begolli: Besoj se rregullat dhe protokolli janë thyer. Rregullat e komunikimit, ndërhyrjet në organizim dhe vizita e paparalajmëruar. Unë nuk jam jurist dhe nuk mund të gjykoj, por i njoh shumë mirë rregullat dhe ligjet tona dhe besoj se ka ndodhur shkelje. I alarmova të gjitha organet kompetente dhe besoj se organi përgjegjës duhet ta shqyrtojë rastin dhe të marrë vendim për shkelje të mundshme të rregullave. Nëse konfirmohet, pres pasojat e duhura ligjore

    Gazeta Insajderi: Kush është Muhamet Idrizi dhe çfarë rëndësie ka në diplomacinë kosovare?

    Gramos Begolli: Unë nuk e njoh shumë Muhamet Idrizin mirëpo në shumë raste nga mërgata në Gjermani kam dëgjuar duke u ankuar për këtë person, duke e përshkruar si person tensionues dhe përçarës.  Sa i përket diplomacies ai nuk ka kurrfarë rëndësie, përkundrazi I ka bërë dëm diplomacisë kosovare dhe imazhit të Ministres. Për më tepër disa persona më kanë informuar se ka një të kaluar me përvoja të këqija në Eppingen, Gjermani me komunitetin shqiptar

    Gazeta Insajderi:  A ka pasur ankesa prej pjesëmarrësve pasi që Idrizi e mori fjalën?

    Gramos Begolli: Po ka pasur mjaft ankesa nga pjesëtarët e komunitetit shqiptar në Gjermani.

    Gazeta Insajderi:  A e keni plotësuar kërkesën e ministres Gërvalla për kërkim falje?

    Gramos Begolli: Jo, asnjëherë nuk do të bëjë diçka të tillë. Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës që e kryen punën në mënyrë profesionale nuk ka nevojë të kërkojë falje ndonjë personi të tillë. Unë në pozitën time, nuk jam vetëm Gramos Begolli, por Konsull i Shtetit të Pavarur të Kosovës.

    Gazeta Insajderi:  Si e vlerësoni një veprim të tillë nga minisrja Gërvalla, çfarë reflekton kjo për shoqërinë kosovare

    Gramos Begolli: Raste si ky janë tregues a jemi një shoqëri e bazuar në rregulla, a jemi shtet ligjor, a njohim protokollin diplomatik, apo jo. Shkeljet e mundshme nuk duhet të kalojnë pa analize ligjore dhe nëse konfirmohen nga autoritetet kompetente, duhet të merren masat e duhura. Kështu veprojnë shtetet serioze, të organizuara, demokratike.Mënyra se si ka vepruar Ministrja ka qenë praktikë e viteve të 90ta kur Kosova s’ka pasur institucione për të organizuar evente të tilla. Tanimë me gjithë këto sakrifica që janë bërë për të krijuar institucionet demokratike është e pakuptimtë të bëhet anashkalimi i institucioneve dhe kthimi prapa

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark