Pas më shumë se 30 muaj hetimesh, dhe shtatë muaj procesi gjyqësor, në Hamburg përfundoi gjykimi i vëllezërve Osmani, të akuzuar mashtrime në vlerë deri në 27 milionë euro.
Procesi kundër dy vëllezërve Osmani në Hamburg. Në foto Burim Osmani
Vendimi i gjykatës së Hamburgut për dy vëllezërit nga Kosova, Burim dhe Bashkim Osmanit ishte befasues: Lirim me kaucion dhe detyrim i paraqitjeve të rregullta. Burim Osmani duhet të paguajë një kaucion prej një milion, ndërsa vëllai i tij Bashkimi 900.000 eurosh. Të dy vëllezërit duhet t’i dorëzojnë të gjitha dokumentet e udhëtimit dhe të lajmërohen në polici çdo të martë dhe të premte.
Parashikohej dënimi i dy vëllezërve nga Kosova me gati gjashtë dhe katër vjet burg, por pas pagesës së kaucioneve të larta ata fillimisht janë të lirë.
Burim Osmani u largua nga gjykata me bashkëshorten për dore, por me një disponim të keq, duke sharë gazetarët në afërsi. Vëllai i tij Bashkimi i fajëson mediat për vendimin e shqiptuar: “Vendimi është marrë nën presionin e mediave dhe politikës. Ata i kanë nisur të gjitha.”
Të dënuarit dhe avokatët e tyre nuk kanë treguar mirëkuptim për dënimet me burg prej gati gjashtë dhe katër vjet. Avokati i Burimit thotë se sa i përket keqpërdorimeve, thuhet se ai ka marrë kredi pa garanca të duhura. “Është gjë e re që tani të dënohen edhe kreditë dhe garancitë e kredimarrësve. Ky është një vendim i marrë, në kuptimin e plotë të fjalës.” Avokati Tomas Flivie thotë se procesi do të vazhdojë. “Ne do të kërkojmë revizion, sepse jemi të bindur që një vendim i tillë nuk qëndron.”
Nga ana tjetër, prokuroria është e bindur se vëllezërit Osmani së bashku me një politikan dhe avokatin e tyre kanë bërë punë ilegale. Osmanët kanë marrë kredi në vlera prej miliona eurosh, për blerjen e imobilieve në Hamburg, Hanover dhe Kroaci, pa pasur garancitë e duhura. Qëllimi ishte pasurimi i përbashkët.
Gjykata mendon se fjala është për keqpërdorime dhe mashtrime. Kryesuesi i gjykatës tha se janë konfirmuar shumë prej akuzave të prokurorisë. Prokurori Karsten Vegeris është i kënaqur. “Sa i përket prokurorisë, mund të jemi shumë të kënaqur, sepse dënimi është i afërt me kërkesat tona. Ky është një sukses jo vetëm për prokurorinë, por edhe organet me të cilat kemi bashkëpunuar. “
Gjykatësi bëri të ditur se akuzat për kriminalitetin e organizuar nuk janë konfirmuar. Për shkak të revizionit, familja Osmani dhe pasuria e tyre edhe më tej do të jenë në qendër të vëmendjes së mediave. Mbrojtja ka paralajmëruar se do të apelojë ndaj vendimeve./dw