Insajderi
Botë

Si në film aksion: Policët në SHBA hipin në Uber për të ndjekur të dyshuarin, pamjet bëhen virale

Insajderi
25 August 2026 - 20:10
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Si në film aksion: Policët në SHBA hipin në Uber për të ndjekur të dyshuarin, pamjet bëhen virale
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Një udhëtim i zakonshëm me Uber u shndërrua papritur në një skenë që ngjante me film aksion në Hjuston të Teksasit, pasi dy policë hipën në automjetin e një shoferi dhe i kërkuan që t’i ndihmonte në ndjekjen e një të dyshuari që po arratisej në këmbë.

Ngjarja ndodhi më 8 gusht në zonën “The Heights” dhe u regjistrua nga kamera e automjetit. Pamjet më pas u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale.

“Shko nga aty, hajde, hajde”

Shoferi i Uber-it, Anthony Baines, po afrohej te vendi ku duhej të merrte pasagjerin e radhës, kur pa një burrë pa bluzë duke vrapuar në rrugë, ndërsa pas tij po e ndiqnin dy policë.

Njëri prej efektivëve iu afrua automjetit dhe i kërkoi Baines që të ndiqte drejtimin nga ishte larguar i dyshuari.

“Shko nga aty, hajde, hajde”, dëgjohet polici duke i thënë shoferit në videon e publikuar.

Pak çaste më vonë, të dy policët hipën në Uber dhe ndjekja vazhdoi me automjetin privat.

Gjithçka nisi pas një kërcënimi serioz

Sipas Policisë së Hjustonit, incidenti kishte nisur pas një denoncimi për kërcënim.

Një grua, e cila ndodhej pranë një pishine së bashku me fëmijët e saj, kishte pasur një konflikt me të dyshuarin. Ky i fundit dyshohet se e kishte kërcënuar se do ta qëllonte atë dhe fëmijët.

Kur policët mbërritën në vendngjarje për të marrë deklaratën e gruas, burri u shfaq përsëri.

Sipas autoriteteve, ai kundërshtoi përpjekjen për arrestim dhe më pas u largua me vrap, duke nisur ndjekjen e pazakontë.

Uber-i u kthye për pak minuta në “veturë policie”

Ndjekja me Uber zgjati vetëm disa minuta.

Baines i transportoi policët rreth një blloku banesash, derisa ata arritën te automjeti i tyre i patrullës dhe vazhduan kërkimet prej aty.

Megjithatë, i dyshuari nuk u gjet dhe, sipas policisë, nuk është arrestuar.

Autoritetet e Hjustonit konfirmuan gjithashtu se pamjet që u bënë virale në rrjetet sociale janë autentike.

Shoferi: Veprova nga adrenalina

Për Anthony Baines, i cili më parë ka shërbyer në ushtrinë amerikane, episodi ishte një nga përvojat më të pazakonta gjatë dy viteve të punës si shofer Uber.

Ai tregoi se në ato momente veproi nën efektin e adrenalinës dhe thjesht ndoqi udhëzimet e policëve.

Megjithatë, situata nuk u prit me të njëjtin entuziazëm nga familja e tij, e cila u shqetësua për rrezikun që ai mund të kishte marrë përsipër.

“Unë nuk paguhem për situata të tilla”, mësohet t’i ketë thënë bashkëshortja e tij, duke ia kujtuar se një shofer Uber-i nuk ka pse të përfshihet në një ndjekje policore.

Pamjet e pazakonta vazhdojnë të qarkullojnë online, ndërsa ngjarja ka nxitur debat edhe për kufirin mes ndihmës spontane ndaj policisë dhe rrezikut që mund t’u kanoset civilëve në situata të tilla.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark