Insajderi
Hulumtime/Analiza

Si përfundoi 1.3 milionë euroshi i KEK-ut te kompania greke e përmendur në dosjen e prokurorisë ndaj Nagip Krasniqit

Insajderi
25 February 2026 - 15:00
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Si përfundoi 1.3 milionë euroshi i KEK-ut te kompania greke e përmendur në dosjen e prokurorisë ndaj Nagip Krasniqit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) i ka dhënë me negocim një tender kompanisë greke “TUV Hellas”, një procedurë që kufizon konkurrencën. Kontrata, me vlerë mbi 1 milion euro, i shkoi një kompanie që tashmë përmendet në aktakuzën e Prokurorisë ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Aty thuhej se Krasniqi kishte kontakte me përfaqësues të “TUV Hellas” dhe se, ende pa u shpallur tenderi, dihej fituesi.

Gazeta Insajderi

” “Shërbimet e konsulencës për implementimin e projektit të rehabilitimit dhe modernizimit të njësisë A3 në TC ‘Kosova A’”.”, është tenderi 1,373,284.00, i KEK.

Këtë kontratë njëburimore ndërmarrja ia besoi kompanisë nga Greqia, TUV HELLAS (TUV NORD) S.A.

Angazhimi i konsulentëve parashihet të zgjasë rreth 36 muaj.

Në dosje thuhet se Kompania fituese do të ofrojë asistencë teknike gjatë të gjitha fazave të projektit, duke përfshirë mbikëqyrjen teknike dhe kontrollin e cilësisë gjatë implementimit të punimeve në terren.

Në garë ka qenë edhe kompania kroate “EKONERG – Energy Institute Oculis d.o.o”, e cila ka ofertuar 1,485,620.00 euro.

Por KEK vendosi t’ia japë tenderin milionësh kompanisë që ishte përmendur në aktakuzën e re kundër ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, si dhe Ymer Dragushës dhe Isuf Zejnës.

Çka thotë aktakuza?

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 30 dhjetor 2024 ngriti aktakuzën e re ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi si dhe Ymer Dragushës dhe Isuf Zejnës.

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 30 dhjetor 2024“, thuhet se Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, Dragusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të zyrës së prokurimit dhe Zejna, si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, akuzohen se me veprimet e tyre i shkaktuan dëm buxhetit të shtetit rreth 37 milionë euro.

Në pikën e katërt të aktakuzës Nagip Krasniqi dhe Ymer Dragusha, thuhet se më 25 janar 2023, me dashje, në bashkëkryerje, në cilësinë e personave zyrtarë, pra Krasniqi si kryeshef ekzekutiv i KEK-ut dhe i Dragusha si u.d drejtor i zyrës së prokurimit, duke keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që t’i mundësojnë përfitim operatorit ekonomik “Tuv Hellas”.

Aty thuhet se në këtë formë shkelin të drejtat e personave tjerë me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit në procedurë të negociuar, i emërtuar si “Blerja e shërbimeve për mbikëqyrjen e implementimit të projektit, dizajni, furnizimi dhe kryerja e punëve lidhur me dilatimin e kalldave B1 dhe B2 në TC Kosova B”.

Krasniqi kërcënoi zyrtaren për të ja mundësuar “Tuv  Hellas” përfitimin e tednderit

Në aktakuzë, thuhet se më 24 janar 2023 ende pa u bë shpallja e njoftimit për tender, i pandehuri Krasniqi, i shkruan të pandehurit Dragusha dhe kundërligjshëm e obligon që të kontaktojë me operatorin ekonomik “Tuv  Hellas” dhe ta ftojë që të aplikojë për tender të negociuar.

Zyrtarët e KEK-ut fillimisht e kishin njoftuar të pandehurin Krasniqi se ky veprim ishte në kundërshtim me nenin 7 të LPP-së, përkundër kësaj i pandehuri  Krasniqi, përmes e-mailit, e kërcënon zyrtarin Abedin Kabashi se do ta largojë nga  puna nëse nuk vepron sipas urdhrave të tij, andaj nën kërcënim dhe presion, zyrtarja Myrvete Gërguri, e kontakton kompaninë në fjalë dhe i ofron udhëzime të nevojshme se si të aplikojë në tender, krejt kjo një ditë para shpalljes së tenderit sepse më 25 janar 2023, bëhet njoftimi për shpalljen e tenderit në e-prokurim.

Tutje, thuhet se përkundër njoftimit nga zyrtarë përgjegjës se nuk mund të zhvillohet procedurë e negociuar në rastin e këtij tenderi, të pandehurit e kanë shpërfillur njoftimin dhe kanë vazhduar me procedurë të negociuar vetëm me operatorin ekonomik “TUV Hellas’’, të cilin veçse e kishte përzgjedhur i pandehuri Krasniqi, ende pa u shpallur tenderi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, gjatë procedurës së negocimit, të pandehurit në mënyrë të kundërligjshme i bëjnë favor këtij operatori duke ia zbritur kriterin tenderues të garancionit bankar nga 50% në 10% dhe përkundër faktit se operatori ekonomik kishte mungesë të dokumentacionit në dosjen e tenderit për pikat tenderuese si: referenca për punë, diplomat e ekspertëve dhe certifikata ISO 9001, bazuar në faktin se gjatë procedurës negocimit i pandehuri Nagip Krasniqi, personalisht disa herë kishte pasur kontakte telefonike me përfaqësuesin e këtij operatori dhe duke qenë në dijeni për mangësitë që operatori ekonomik kishte në raport me kushtet e tenderit, vendosën që të nënshkruajnë kontratë me këtë operator më 30 mars 2023, në vlerë prej 628 mijë e 425 euro.

Për këto veprime, Krasniqi dhe Dragusha ngarkohen me veprën penale në bashkëkryerje “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal./insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark