Insajderi
Lajme

Si po dështon shteti te lejet e armëve: Personi që u refuzua në QKUK pajiset me certifikatë mjekësore në Prizren

Insajderi
02 May 2026 - 21:33
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Si po dështon shteti te lejet e armëve: Personi që u refuzua në QKUK pajiset me certifikatë mjekësore në Prizren
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Një person i infiltruar kishte arritur të marrë nënshkrimet e gjashtë specialistëve mjekësorë, gjë që është kusht për t’u pajisur me certifikatë për armë zjarri. Kjo ka ndodhur në Spitalin e Prizrenit.

“Betimi për Drejtësi” ka zbuluar se asnjë qytetari nuk i ishte pamundësuar marrja e certifikatës nga ky spital. Kjo ngre dyshime nëse të gjithë ata që kanë aplikuar kanë qenë të aftë fizikisht dhe/ose psiqikisht për t’u pajisur me një dokument kaq të rëndësishëm.

Arbër Boletini, më 5 shkurt 2025, ishte paraqitur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë për t’u pajisur me certifikatë shëndetësore për armë. Mirëpo, Boletini nuk kishte arritur të marrë miratimin e ekspertëve shëndetësorë për t’u pajisur me leje për armë.

Bazuar në certifikatën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, shihet se ka qenë psikologu ai i cili ka refuzuar që Boletini të pajiset me armë. Në të, psikologu ka konstatuar se Boletini “nuk i plotëson kriteret psikologjike, ka tendenca interpretative, besime dhe dyshime të pabazuara”.

Ndërsa vetëm gjashtë ditë më pas, ai kishte arritur të merrte nënshkrimet e gjashtë specialistëve mjekësorë në Spitalin e Prizrenit. Mirëpo, ekipi mjekësor nuk rezulton të jetë i njëjti.

Ndërkaq, personi i infiltruar nga “Betimi për Drejtësi” kishte deklaruar:

“Krejt procesi për të marrë certifikatën shëndetësore nuk ka zgjatur më shumë se 2-3 minuta. Fillimisht na kanë thirrur me emra mbi 10 persona, e më pas kam hyrë në dy zyra të ndryshme ku nuk më është bërë asnjë kontroll, e as nuk jam ulur fare. Mjekët vetëm e kanë nënshkruar dokumentin me radhë dhe i kanë vendosur vulat. Pyetja e vetme që ma kanë bërë ka qenë në fund se ‘çka punoj’, dhe kur u kam treguar që jam bërë merak të blej një armë, komenti nga ana e tyre ka qenë ‘me hek stresin’. Ndërsa kur i kam pyetur nëse përfundoi gjithçka, njëra punëtore më ka thënë jo dhe, duke qeshur, ka vendosur shenjën e tikut në dokument ku shkruan se është i aftë, duke më thënë: ‘eh, tash u kry’.”


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark