×
  • Lajme
  • Analiza

    Si ra Kosova në nivelin e shteteve të Lindjes së Mesme që të shqyrtojë projekt-deklaratë në Kuvend për raportet me SHBA-në?

    Insajderi
    23 May 2024 - 12:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Krisjet e raporteve me SHBA-në të krerëve institucionalë të Kosovës nën regjimin e Qeverisë Kurti ka shtyrë që sot në Kuvend të shqyrtohet një projekt-deklaratë që përcakton marrëdhënien kosovaro-amerikane.

    Gazeta Insajderi

    Si pikë të 16-të të rendit të ditës, në seancën e rregullt përgjatë së enjtes pritet që deputetët e Kosovës ta kalojnë një projekt-deklaratë për raportet Kosovë-SHBA, shkruan Gazeta Insajderi.

    Praktika të këtilla për të tentuar formalizimin e raporteve në nivel institucional me Amerikën janë parë tek shtetet e Lindjes së Mesme, të cilat shquhen për raporte të luhatshme me SHBA’të.

    Kjo pikë për shqyrtim ishte në rend dite edhe përpara dy muajsh në Kuvendin e Kosovës, por që s’kaloi në mungesë të kuorumit.

    Pse erdhi Kosova deri në këtë pikë?

    Instancat më të larta të diplomacisë amerikane adresuan kritikat e tyre për komunikim me Qeverinë Kurti. Ishte zyrtari i lartë amerikan, James O’Brien, që ngriti shqetësim për mos-koordinim të ekzekutivit me Kurtin në krye me përfaqësuesit amerikanë. O’Brien në shkurt të këtij viti thoshte se Kurti po merr vendime “në mes të natës” kur e kritikonte vendimin për rregulloren e re të BQK’së.

    “Ka mënyra tjera për ta siguruar këtë qartësi, përfshirë përmes dialogut, përmes konsultimeve joformale, ashtu si shtetet moderne u japin përgjigje këtyre çështjeve. Jo duke shpallur vendime në mes të natës pasi partnerët tuaj më të afërt ju thonë se kjo është ide e keqe dhe qeverisje e dobët”, deklaronte O’Brien në një intervistë.

    Për t’i jehuar acarimet SHBA-Qeveria Kurti, vetëm një ditë më pas ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kishte ftuar konferencë të jashtëzakonshme. Ai në atë konferencë potenconte dëmtimin e raporteve, pas tentimit të ministrave të Kurtit për t’i përshkruar si të mira.

    “Jam i shqetësuar që ka deklarata pas kësaj interviste të O’Brien, që sugjerojnë që marrëdhënia mes Kosovës dhe ShBA-së nuk është prekur dhe se nuk do të preket nga kjo situatë, më duhet të jem i qartë që kjo thjeshtë nuk është e vërtetë. Kjo nuk është situata”, deklaronte Hoveiner.

    Kokëfortësisë së Kurtit vulë i dha Escobar. Ai në një konferencë për shtyp tha se SHBA po ka probleme me kryeministrin Kurti. Madje, ai thoshte se s’ishte vetëm SHBA’ja që e kishte një problem të tillë.

    “Kemi problem në komunikim me qeverinë e kryeministrit Kurti. Dhe nuk është që vetëm ne kemi këtë problem, Kosova ka probleme komunikimi edhe me BE-në, NATO-n dhe vendet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Do të donim që partneriteti të kthehej siç ka qenë më parë”, deklaronte emisari amerikan në fillim të majit.

    Përkundër kësaj, në një intervistë të fundit Escobar i ka quajtur kosovarët “popull shumë pro-amerikanë”.

    “Mbetemi shumë pro-Kosovës dhe kudo që kam udhëtuar kam ndjerë një ndjenjë të ngrohtë reciprociteti, ata janë shumë pro-amerikan, gjë që forcon dhe stabilizon marrëdhëniet tona”, u shpreh ai para dy ditësh.

    Së fundmi, Qeveria Kurti ka marrë një tjetër “flakareshë diplomatike” nga SHBA-ja. Departamenti amerikan i Shtetit u shprehën të zhgënjyer pas aksionit të Policisë së Kosovës për mbylljen e gjashtë njësive të së ashtuquajtuarës “Bankë Postare Kursimore” të Serbisë në veri të vendit.

    “Ai (veprimi) minon perceptimin se Kosova po vepron me vullnet të mirë për zgjidhjen e çështjeve mes saj dhe Serbisë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha një zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

    Zëdhënësi vë në dukje se “qeveria e Shteteve të Bashkuara ka kërkuar vazhdimisht koordinim ndërmjet qeverive tona” në mënyrë që ta mbështesë përparimin e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike, përfshirë së fundmi “nga nënsekretarja e shtetit Elizabeth Allen në takimin e saj me kryeministrin Kurti më 19 maj”.

    “Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si rruga e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe t’u përgjigjet adresojë nevojave bazë të të gjithë qytetarëve të saj — përfshirë ato të pakicës serbe – e ndikuar negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhën”, tha zëdhënësi i DASH-it të martën. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark