Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për kryetare të Ferizajt, Sibel Halimi, ka shpalosur programin për arsimin.
“Arsimi është çelësi i një shoqërie të zhvilluar e rrjedhimisht edhe prioriteti ynë. Programi për arsim e vë në fokus mirëqenien e nxënësit/es, studentit/es, mësimdhënësit/es”, ka potencuar Halimi.
Më tej, ajo ka theksuar se investimet për qëllime elektorale pa ekspertizën e duhur, kanë lënë shkolla e çerdhe pa nxënës, ku shtoi se ne do t’i japim fund praktikave të tilla që për një grusht votash të shpenzohen qindra mijëra euro nga taksat e qytetarëve për të ndërtuar objekte të pa shfrytëzueshme.
“Ne do të punojmë në fuqizimin e shkollave profesionale me qëllim profilizimin dhe përgatitjen e të rinjve për tregun e IT-së. Do të ofrojmë siguri në shkolla që dhuna në baza gjinore, ngacmimet seksuale dhe bullizmi të trajtohen dhe parandalohen me kohë”, theksoi Halimi.