×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Sikleti i dialogut- Kurti hidhet në përqafim të mendimeve të Thaçit për Lajçakun

    Insajderi
    18 September 2023 - 11:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbronte me inat Bashkimin Evropian përpara se ta mvishte petkun e përfaqësuesit të lartë për Kosovën në Bruksel për dialogun me Serbinë. Ai kritikonte ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, pse ky i fundit tregohej i ashpër me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak.

    Kurti deklaronte se nuk është Lajçak e as Përfaqësuesi i Lartë diplomatik i BE-së, Josep Borrell, ata që kryen gjenocid në Kosovë. Tashmë shefi i Qeverisë atëbotë thoshte se më keq po flet Thaçi për dy zyrtarët evropianë sesa për Ivica Daçiq, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Kosova është shtet në kontinentin e Evropës, e nuk është atje në kufi me Meksikë. Thaçi më keq po flet për Borrellin, Lajçakun e Brukselin se sa për Daçiqin, Vuçiqin e Beogradin. Borrelli e Lajçaku nuk kanë kryer gjenocid në Kosovë”, thoshte ai.

    Ish-presidenti Thaçi kundërshtonte mandatimin e Lajçak si ndërmjetës, duke thënë se nuk do të marrë pjesë në dialog si shkak i kësaj.

    Megjithatë, sot u pa se kryeministri Kurti u “hodh në përqafim” të mendimeve të Thaçit. Në konferencë për media të martën, kryeministri Kurti e akuzoi Lajçakun për koordinim fshehurazi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    “Ju bëra të qartë që hapi i parë duhet të jetë dakordimi i një plani të sekuencimit. Propozimin e Serbisë nuk e dinim nuk mu dha asnjë dokument, pas diskutimeve të shumta mu soll një dokument që mu tha se është propozimi i Serbisë për planin e sekuencimit. Pasi analizuam kuptuam se ai dokument dukej se ishte dorëzuar para miratimit të marrëveshjes bazike dhe Serbia nuk kishte sjellur asnjëherë propozim për planin e sekuencimit, Lajçak e kishte fshehur këtë gjë”, deklaroi kryeministri “Lajçak dhe Vuçiqi duket se janë koordinuar me një qëllim të vetëm që të bëjnë një skenar ku vetëm gjysma e marrëveshjes zbatohet përfshirë këtu edhe Asociacionin dhe ajo më e rëndësishmja të mos zbatohet asnjëherë.

    Refuzimi im është logjik dhe tregues i respektit për vlerat e Bashkimit Evropian. Të thuash se një marrëveshje meriton të zbatohet vetëm në gjysmën e saj do të thotë se marrëveshja do të mbytet.

    Pas daljës sime në media ku e ekspozova këtë skenar të pakuptimtë, Lajçak tha se Vuçiq e pranoj e Kurti refuzoj që është plotësisht i pavërtetë”, theksoi ndër të tjera Kurti.

    Po ashtu, Kurti tha se Lajçak patjetër duhet të japë llogaridhënie në BE.

    “Emisari evropian Lajçak natyrisht që nuk më jep llogari mua si kryeministër i Kosovës. Ai duhet t’i japë llogari BE-së. Ajo çfarë kam thënë ditët e fundit është më së e mjaftueshme për këtë llogaridhënie”, ka deklaruar ndër të tjera kryeministri. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark