Romelu Lukaku pretendon se njerëzit do të tronditeshin nëse ai do të zbulonte se çfarë ndodhi verën e kaluar me Interin, Juventusin , Al Hilalin dhe Chelsean.
Reprezentuesi belg foli në një konferencë për shtyp nga grumbullimi me Belgjikën në kuadër të kualifikimeve të EURO 2024 dhe natyrisht u pyet për ngjarjet kaotike gjatë afatit kalimtar veror.
“Shumica e njerëzve në këtë dhomë më njohin. Ju e dini që nuk më pëlqen të godas pas shpine”, tha Lukaku në konferencën e tij për shtyp.
“Do të flas kur të jetë koha e duhur, por nëse do t’ju tregoja se si shkuan vërtet gjërat verën e kaluar, të gjithë do të tronditeshin. Kishte momente kur ndjeva se mund të shpërtheja dhe pesë vjet më parë ndoshta do ta kisha bërë. Tani jam i përqendruar vetëm në atë që mund të bëj më së miri, që është të luaj futboll. Kam punuar shumë gjatë gjithë verës. Më duhet gjithashtu të falënderoj Radja Nainggolan që kontaktoi Romën në emrin tim.”, tha Lukaku.
Ai duket se sugjeron se problemet në Inter filluan me trajnerin Simone Inzaghi përpara finales së Ligës së Kampionëve kundër Manchester Cityt.
“Isha paksa i zhgënjyer pas finales së Ligës së Kampionëve, por mendja ime ishte e trazuar për shkak të asaj që ndodhi në ditët para saj. Unë do të flas për këtë më vonë.”, shtoi qendërsulmuesi nga Belgjika.
Në ditët e fundit të afatit kalimtar, Lukaku iu bashkua Romës në formë huazimi nga Chelsea dhe ka bërë një fillim mahnitës të kësaj eksperience, duke shënuar shtatë gola në vetëm tetë ndeshje mes Serie A dhe Ligës së Evropës.