×
  • Sport
  • Sport

    Situata e tensionuar në veri: Federata rumune këshillon fansat që të kenë kujdes gjatë qëndrimit në Kosovë

    Insajderi
    02 June 2023 - 16:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Federata Rumune e Futbollit ka këshilluar fansat e kombëtares së vet që të kenë kujdes gjatë qëndrimit në Kosovë për ndeshjet kualifikuese për EURO 2024.

    Në njoftimin për media, shkas për këtë këshillë federata ka marrë nga ngjarjet e fundit në veri të vendit.

    Të gjithë qytetarëve rumunë që dëshirojnë të vijnë në Kosovë, Federata i këshillon që të hyjnë përmes kufirit me Maqedoninë ose me Serbinë, por vetëm në pikën e Merdarit, dhe jo nga Jarinja apo Bërnjaku.

    “Situata e sigurisë në veri të Kosovës mund të përkeqësohet edhe më shumë në të ardhmen e afërt. Për shtetasit rumunë që dëshirojnë të shkojnë në Kosovë, rekomandojmë që hyrja në këtë hapësirë ​​të bëhet në kufirin me Maqedoninë e Veriut (Hani i Elezit – në veri të Shkupit) ose me Serbinë (Merdare). Ne nuk rekomandojmë hyrjen në Kosovë përmes Bërnjakut dhe Jarinjes, pasi ato mund të bllokohen ose mbyllen nga autoritetet e Kosovës me mbështetjen e trupave të KFOR-it, nëse situata e sigurisë përkeqësohet ndjeshëm”, thotë FRF-ja, raporton Klankosova.tv.

    Gjithashtu, FRF-ja ka kërkuar nga fansat që gjatë qëndrimit në Kosovë, të mos bëjnë deklarime politike. Kjo për faktin se Rumania është një nga vendet e BE-së që nuk e njeh Kosovën, dhe tifozët e këtij vendi shpesh shfaqin pankarta nëpër stadiume me mesazhe përkrahëse për Serbinë.

    “Gjithashtu, i rekomandojmë përkrahësve rumunë që gjatë udhëtimit në Kosovë, veçanërisht në stadium, të mos këndojnë apo shfaqin mesazhe politike që mund të sjellin reagime nga shikuesit nikoqirë”, ka thënë Federata Rumune e Futbollit.

    Si pasojë e situatës së fundit në Kosovë, Federata Rumune e Futbollit ka krijuar një grup punues në nivel të institucionit dhe filloi një dialog me Ministrinë e Punëve të Jashtme për këtë temë.

    Federata thotë se e vë në plan të parë sigurinë e të gjithë të përfshirëve.

    “Për këtë, përveç dialogut që ka pasur dhe vazhdon të ketë me Ministrinë e Punëve të Jashtme, ajo iu drejtua edhe UEFA-s për të kërkuar sqarime në lidhje me ndeshjen që Kombëtarja do të luajë në Kosovë, në kuadër të EURO 2024, më 16 qershor 2023. Deri në këtë pikë nuk është marrë parasysh ndryshimi i vendit të lojës”, ka theksuar Federata Rumune e Futbollit.

    Kosova është renditur në grupin I së bashku me Zvicrën, Rumaninë, Izraelin, Bjellorusinë dhe Andorrën. /kk

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark