×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    “S’kam ide kush është ky njeri”- ish-diplomati kosovar mohon ta ketë ndihmuar narkotrafikantin Remzi Azemi

    Insajderi
    20 December 2023 - 15:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Emri i Blerim Canajt, ish-konsull i ambasadës së Kosovës në Gjermani, është lakuar nga mediat shqiptare. Sipas dosjes së Prokurorisë ekuadoriane, Remzi Azemi, narkotrafikanti me prejardhje nga Kosova i ka thënë prokurorit se Cana, duke e prezantuar si xhaxha të tij, e kishte dërguar atë për ndërtimin e marrëdhënieve Kosovë-Ekuador nga viti 2014-2017. Ish-konsulli kosovar në një prononcim për Gazetën Insajderi ka mohuar kategorikisht lidhjen familjare me narkotrafikantin Azemi, duke thënë se s’e ka njohur kurrë më herët dhe se s’ka shërbyer si diplomat gjatë asaj periudhe.

    Mediumi A2 CNN para një jave ka publikuar dëshminë e Remzi Azemit, i kërkuar në Ekuador për trafik ndërkombëtar narkotikësh. Ai dyshohet si person që ka pasur dijeni për vrasjet e shqiptarit Ilir Hidri dhe shqiptarit tjetër nga Mali i Zi, Fadil Kaçaniq, ngjarje të ndodhura në vitin 2017 në Amerikën e Jugut.

    I arrestuar pak ditë më parë në Maqedoni, Azemi për herë të parë u mor në pyetje nga prokurori kolumbian Cesar Pena, një ditë pas vrasjes së Hidrit. Ai është i dyshuari kryesor për ekzekutimin e Ilir Hidrit në vitin 2017 në qytetin-port të Guayaquilit, vendit ku ai kishte qëndruar gjatë.

    Në dosjen e Prokurorisë, narkotrafikanti kosovar lakon emrin e Canajt, duke e prezantuar si xhaxha të tijin. Sipas versionit të tij, Canaj e ka dërguar atë në Ekuador gjatë vitit 2014-2017 për të krijuar raporte diplomatike me Kosovën.

    “Kam ardhur me pushime, dhe prej kësaj kohe jam duke punuar për ndërtimin e marrëdhënieve Ekuador-Kosovë, pasi më ka dërguar xhaxhai im, i quajtur Blerim Canaj, i cili është ambasador i Kosovës në atë vend. Momentalisht jam duke kërkuar kontakte diplomatike, por nuk kam”, thuhet në dëshminë e publikuar të tij shtatë ditë më parë.

    Për këtë, Gazeta Insajderi ka kontaktuar Canajn, i cili e ka mohuar kategorikisht një gjë të tillë. Ish-diplomati kosovar ka mohuar lidhjet familjare me narkotrafikantin, duke thënë që s’ka dëgjuar kurrë më parë për të.

    “Unë s’kam ide kush është ky njeri, e aq më pak unë xhaxha i tij. Unë krejt çka mundem me thënë është se nuk e kam idenë kush është ky njeri, kah është ra tek emri im, në 2014-ën unë nuk kam qenë në Gjermani as zëvendësambasador as kurrgjë”, ka deklaruar Canaj për Insajderin.

    “Plus, tjetra çka është shumë e rëndësishme, Bajqinovci dhe secili që merret me politikë, duhet me ditë se ambasadorat dhe diplomatë nuk munden me delegu kërkun me bë diplomaci, për shkak se ambasadori e teposhtë delegohen. Plus, me e delegu dikë nuk mundet me u delegu pa u kontrollu në AKI. Këta munden me e përdor për shkak se më ka dalë zëri si kritik i Qeverisë”, ka shtuar ai.

    Canaj më pas për këtë ka reaguar edhe në ‘Facebook’.

    Në bazë të biografisë së tij, Canaj ka shërbyer si konsull i Kosovës në Stuttgart të Gjermanisë nga viti 2016 në vitin 2018. Ndërkaq, nga viti 2018 deri më 2020-ën, ai ka shërbyer si konsull i ambasadës së Kosovës në Gjermani.

    Për raportimin e A2CNN ka reaguar deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, duke hedhur akuza në drejtim të Canajt.

    “Remziu sot është i arrestuar sepse dyshohet për vrasje. Blerim Canaj, të cilin ka gjasë ta keni parë në studio televizive teksa ligjëron për politikë të jashtme, është i shkarkuar i MPJD-së së Donika Gërvallës.  I ka nja 3-4 statuse në FB për Gani Jakupin. Ndoshta e ka mirë, pse me e angazhu ndonjë personalitet për të ofruar qasje në shtete mosnjohëse, t’u qenë me angazhu kushëririn narkotrafikant”, thuhet në reagimin e Bajqinovcit.

    Për këtë ka reaguar edhe koordinatorja e VV-së, Dejona Mihali, duke shpërndarë postimin e Bajqinovcit dhe duke e akuzuar opozitën.

    Mbi “politikën dikur të jashtme”“, thuhet në postimin e saj.

    MPJD-ja në krye me Donika Gërvallën vitin që shkoi shkarkoi 11 zyrtarë të Shërbimit të Jashtëm. Për shkarkimin e tyre, MPJD-ja tha se ata janë punësuar pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit në Shërbimin e Jashtëm. Në mesin e emrave të shkarkuar ishte edhe Blerim Canaj.

    Kush është Remzi Azemi?

    Remzi Azemi, shqiptari i arrestuar në Maqedoninë e Veriut për trafik droge, është emër i njohur për autoritetet ekuadoriane pasi prej më shumë se një dekade dyshohet si pjesë e grupeve të trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.

    Në vitin 2010, njësia e Antidrogës e Ekuadorit dhe e shteteve të tjera të Amerikës Latine ishin bashkuar për të ndaluar organizata kriminale, midis të tjerave edhe ato të formuara nga qytetarë me origjine shqiptare, malazeze ose kosovare që veprojnë në Amerikën Latine në shtete si Peru, Bolivi, Kolumbi dhe së fundmi në Ekuador.

    “Rastësisht, në vitin 2014, në muajin nëntor, u ndalua organizata e parë shqiptare ku u kap një sasi prej tre tonelatash substancë narkotike, konkretisht kokainë, në një vendbanim afër Guayaquil, në qytetin Duran. U bë një hetim. Të gjithë u proceduan dhe u ndëshkuan, nëpërmjet legjislacionit tonë, me dënimin maksimal, që në atë kohë”, tregon Pena. “Në këtë procedurë të vitit 2014 ishin 6 qytetarë shqiptarë. Dy nga të cilët, nëse memoria nuk më gabon, ishin në kërkim nga Interpoli, njëri nga Greqia dhe tjetri nga vetë Shqipëria, kishin ikur nga këto vende dhe po vepronin në Kolumbi dhe në Ekuador dhe u kapën këtu në Ekuador”.

    Fjala është për operacionin e koduar Ballkani, të zhvilluar në Guayaquil në vitin 2014 ku u sekuestruan 277 kilogramë kokainë mbi 70 mijë dollarë si dhe 7 automjete të ndryshme.

    Organigrama e grupit përbëhej nga 11 persona ku përcaktoheshin rolet e gjithsecilit. Gramoz Rexhepi, i cili vuan ende dënimin në Guayaquil në burgun La Regional, bashkëpunon me Remzi Azemin. Ata ishin investitorët e kokainës. Dy kontaktet e tyre të vetme ishin kujdestari i lëndës narkotike Pelivan Rexhepaj, shqiptar, si dhe një ekuadorian i cili mbante lidhjet me rrjetin e 5 bashkëpunëtorëve të tjerë, por edhe dy personave të veçantë të cilët bënin pritjen e ngarkesës në port.

    Kjo është skema tipike se si grupet kriminale shqiptare kanë funksionuar në Ekuador, por arrestimi i tyre, mes të cilëve dhe Gramoz Rexhepit, bëri që organizata të shkatërrohej e mes të dënuarve të lirohej vetëm Remzi Azemi edhe pse ishte një ndër dy investitorët e 278 kilogramëve kokainë. Lirimi i tij lidhet ngushtë me vrasjen e parë të një shqiptari në Ekuador, Ilir Hidrit, i cili u qëllua për vdekje nga dy persona në maj të vitit 2017 në Guayaquil. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark