×
  • Lajme
  • Insajderi

    “S’kam parë kurrë tension kaq të thelluar”, Lajçak ka një mesazh për Kurtin dhe Vuçiqin

    Insajderi
    31 May 2023 - 09:31
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Që kur Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme Josep Borrell e emëroi atë të dërguar të posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në vitin 2020, Miroslav Lajçak nuk e ka parë kurrë një tension kaq të thellë.

    Në një intervistë për gazetën italiane “La Stampa”, Lajçak ka thënë se çështja nuk qëndron se kush e nisi, sipas tij nëse kjo krizë në mes të dy shteteve fqinje nuk përfundon, të gjithë do të humbasin.

    “Tani të gjithë mendojnë se për atë që ndodhi është faji i tjetrit. Detyra jonë nuk është të vendosim se kush ka të drejtë apo kush e filloi, por t’i bëjmë Beogradit dhe Prishtinës të kuptojnë se janë përballë një ‘situatë humbje’. Nëse nuk ka kthim në normalitet, të dy duhet të humbasin”, tha ai.

    Sipas tij, tani është koha për t’i ulur tensionet, teksa shton se nuk mund të ketë përshkallëzim dhe normalizim në të njëjtën kohë.

    “Nuk mund të lejojmë që njerëz të vriten ose të plagosen, tani është koha për të ulur tensionet. Marrëveshjet që nënshkruam në shkurt dhe mars duhet të veprojnë si udhërrëfyes”, shtoi ai.

    Teksa është pyetur se a është e vërtetë që përleshjet janë shkaktuar nga provokatorët serbë, të cilët kanë acaruar protestat, Lajçak ka theksuar se ka versione të ndryshme se kush e nisi dhe padyshim që në turmë kishte provokatorë.

    “Si gjithmonë në këto raste, por tani e rëndësishme është rivendosja e qetësisë”.

    Lajçak u pyet se çfarë roli luan fakti që presidenti serb Vuçiq është i kontestuar nga brenda për dhunën e regjimit të tij në tensionet aktuale mes Serbisë dhe Kosovës.

    “Nuk dua të spekuloj, procesi politik serb ka dinamikën e vet të brendshme dhe ky është një front i ri. Të dyja situatat, ajo e brendshme serbe dhe ajo e përplasjeve në Kosovë, kërkojnë vëmendjen më të madhe nga bashkësia ndërkombëtare. Ato duhen parë së bashku, por duhet të trajtohen veçmas”.

    Po ashtu, ai nuk beson se marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të kenë të njëjtin fat si marrëveshjet e Minskut ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.

    “Jo, sepse këto janë marrëveshje shumë solide, ku proceset monitorohen vazhdimisht. Dhe pastaj sepse, ndryshe nga ato në Minsk, ato përcaktojnë jo vetëm marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe ndërmjet secilit prej dy aktorëve dhe Bashkimit Evropian: kjo krijon një nyje që vështirë të thyhet”.

    Megjithatë, ai është shprehur i bindur se marrëveshjet do të zbatohen dhe se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në Bashkimin Evropian.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark