×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Skandal | Burri i Ministres Albulena Haxhiu i kërcënon anëtarët e KQZ-së, përmend edhe kallashnikovin

    Insajderi
    28 September 2023 - 16:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, që është edhe burri i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në mbledhjen e 18 shtatorit të këtij viti ka shkaktuar skandal në këtë institucion. Insajderi ka parë edhe transkriptimin e kësaj mbledhje, ku disa anëtarë përmendin kërcënimin e tij, por të njëjtin e ka konfirmuar edhe një pjesëmarrës në këtë mbledhje. Ai ka thënë se Krasniqi përdori edhe fjalën “kallashnikov” gjatë kërcënimit në mbledhjen ku u vendos për fatin e Kryeshefit.

    Besnik Gashi

    Në mbledhjen e dhjetë ditëve më parë, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve u miratua propozimi për vazhdimin e mandatit të kryshefit të sekretariatit të KQZ-së edhe për një vit, raporton Gazeta Insajderi.

    Veç kësaj, pikë tjetër e rendit të ditës ishte edhe Udhëzimi Administrativ për Menaxhimin e Pasurive jo Financiare të KQZ-së, i cili u miratua në këtë mbledhje.

    Por, Insajderi merr vesh se mbledhja u përcoll me tensione e gjuhë kërcënuese.

    Në këtë mbledhje u përmend kallashnikovi nga ana e përfaqësuesit të Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alban Krasniqit, i cili është njëherësh edhe bashkëshorti i ministres së Drejtësisë, teksa i drejtohej me gjuhë kërcënuese anëtarëve të tjerë të komisionit.

    Një gjë të tillë Insajderi e ka mësuar përmes procesverbalit të siguruar të mbledhjes së tensionuar të 18 shtatorit.

    Ndonëse fjalia kërcënuese e bashkëshortit të Haxhiut nuk është e përfshirë në procesverbal, në të përfshihen reagimet e përfaqësuesve të tjerë të KQZ-së që i reagojnë deklaratës së bashkëshortit të ministres.

    Siç shihet nga procesverbali, përfaqësuesit e VV-së në KQZ ishin të pakënaqur me vazhdim të mandatit të Ahmetajt.

    Pjesë nga procesverbali:

    Alban Krasniqi (VV): Ju, caktone Burimin edhe për një mandat, por ai nuk mundet me hy në zyrën time…

    Sami Kurteshi (VV): Nuk ka ma mandat katervjeçar, une mendova për nja tre – katër muaj… Kryesues, shtatë veta nuk munden me marrë vendim… Ju tek jeni marrë vesh…! Ky është shantazh… Ne dalim, nuk rrijmë në votim…

    Nga salla dalin anëtarët Sami Kurteshi, Alban Krasniqi dhe Fazli Stollaj.

    Kreshnik Radoniqi (kryetar i KQZ-së): Sa jemi, tetë veta…?

    [Pjesë pas deklaratës kërcënuese të Alban Krasniqit]

    Ilir Gashi (PDK): Këtu, askush nuk është i shantazhuem…! Secili, e ka bindjen e vet. Pikë…

    Arianit Elshani (PDK): Këto janë kërcënime direkte ndaj secilit, këto janë shantazhe…

    Gordana Llaban (Lista Serbe): A bën me folë diçka? Këso sjellje, këto kërcënime nuk duhet lejuar në institucion. Nëse janë në qeveri, le ta thirrin policinë t’i burgosin…

    Vazhdojnë diskutimet…

    Kreshnik Radoniqi (KQZ): Nuk mundeni me zgjedh me mandat, katër vjet, jo nuk mundeni sepse, nuk mundeni…

    Ilir Gashi (PDK): Ligji e ri e thotë, me zgjedh drejtorin dhe mundet…

    Kreshnik Radoniqi (KQZ): Unë kam me nënshkrue me vendimin, jeni duke më futur në kundërligjshmëri, ju votoni por unë kam me nënshkru. Nuk ka mandat të ri, me ligj të ri…! Tjetër nëse duam me shty, nuk jam kundër askujt. Unë, s’mundem me ia atribu mandatin me ligj të ri… Po flas shqip. E ka pas një mandat me rregulla të vjetra, rregullorja e vjetër thotë…

    Për këtë, Gazeta Insajderi ka kontaktuar me përfaqësuesin e komuniteteve në KQZ, Rifat Krasniç i cili ka konfirmuar kërcënimin e Krasniqit.

    “Me kallash e tha, urdhëroni. Shumë keq, edhe me kallash edhe tek gjoksi ka ardhë. Se kanë shkru në procesverbal këtë pjesë, vetëm me mikrofon ndalë e ka thënë. Ka kërcënu a din, edhe Qemalin (Qemajl Kurtishi) edhe mu edhe Gordanën (Gordana Zuviq)”, ka deklaruar ai për Insajderin.

    Insajderi ka provuar të kontaktojë direkt me Alban Krasniqin përmes telefonit si dhe i ka dërguar SMS për ta sqaruar ngjarjen, por i njëjti s’është përgjigjur.

    Mediumi ka provuar të kontaktojë edhe me anëtarë të tjerë të KQZ-së, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm.

    Presidentja Vjosa Osmani e ka shkarkuar anëtarin e Komisionit Zgjedhor të Kosovës, Rifat Krasniç. Lajmi u bë i ditur mbrëmë.

    Në vendimin e Presidencës së Kosovës thuhet se arsyeja e këtij shkarkimi ndërlidhet me shpalljen fajtor të Krasniç për kryerje të veprës penale.

    Krasniç në vitin 2021 kishte shprehur edhe kritika të tjera për Osmani dhe Kurtin sipas tij ata flasin në gjuhën turke kur shkojnë në Mamushë për të ngrënë pite si dhe Lëvizjen Vetëvendosje e konsideronte si parti të formuar nga turq të rinj.

    “Kur Vetëvendosje me Vjosa Osmanin vjen në komunën e Mamushës me hangër pite dhe Vjosa Osmani thotë s’ka më, duhet ndryshim dhe fol në gjuhën turke që e kanë formu atë partinë e turqve të rinj. Dhe Vjosa Osmani han pite, edhe Albin Kurti han pite dhe më nuk ka, KDTP-ja më nuk ka… duam ndryshim”, kishte thënë ai. /Insajderi.org/

    “Vjosa Osmani han pite, edhe Albin Kurti han pite”, shkarkohet nga presidentja kritikuesi që u bë viral para dy viteve

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark