×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Skandal- Krahu i djathtë i Alban Hysenit akuzohet për dhunë ndaj një të miture

    Insajderi
    03 May 2024 - 15:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Udhëheqje me duar të pastra”. Me proklamimin e kësaj ideje Lëvizja Vetëvendosje erdhi në pushtet edhe në komunën e Gjilanit. Por “dora e djathtë” e kryetarit Alban Hyseni po del të mos jetë edhe aq e pastër. Ndaj shefit të kabinetit të tij, Labinot Latifi rëndon një akuzë. Latifi po akuzohet për dhunë ndaj një të miture që nga viti 2021. Gazeta Insajderi sjell detaje.

    Fillimisht ndaj Labinot Latifit ishte ngritur aktakuzë në vitin 2015 për shkak të veprës penale “Ngacmimi”. Por në këtë rast lënda kishte përfunduar me aktgjykim lirues.

    Ndaj të njëjtit, Prokuroria Themelore në Gjilan, kishte ngritur aktakuzë sërish me 25 gusht të 2021’tës, për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”. Siç merr vesh Gazeta Insajderi vepra penale kishte ndodhur ndaj një të miture.

    Rastin për Gazetën Insajderi e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore në Gjilan.

    “Prokuroria Themelore në Gjilan, për këtë rast më datë 25.08.2021, ndaj të pandehurit L.L., ka ngritur aktakuzë për shkak të veprës penale ‘’Lëndimi i lehtë trupor’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

    Mirëpo, në aktakuzën e ngritur në vitin 2021 ndaj Labinot Latifit për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, lënda është ende aktive.

    Kështu ka konfirmuar Gjykata Themelore në Gjilan në një përgjigje për Insajderin.

    “Në lëndën ku i akuzuari është Labinot Latifi, ju njoftojë se lënda është në procedurë për t’u përfunduar”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës për Insajderin.

    Labinot Latifi është shef i kabinetit të Kryetarit të komunës së Gjilanit, Alban Hysenit.

    Jo vetëm, shef i kabinetit, Latifi është edhe një përkrahës i flaktë i kryetarit Hyseni dhe Lëvizjes Vetëvendosjes.

    Në profilin e Facebook’ut të Labinot Latifit, që nga viti 2022 pothuajse të gjitha postimet e tij janë në përkrahje të Alban Hysenit.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe me shefin e kabinetit, Labinot Latifin, por i njëjti deri në publikimin e këtij teksti ka qenë i paqasshëm.

    Për çështjen në fjalë Insajderi i ka dërguar pyetje edhe komunës së Gjilanit por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark