×
  • Hulumtime
  • Fokus 2

    Skandal në ATK, shteti ia hoqi mbi 7 milionë euro borxhe oligarkut Mane

    Insajderi
    26 November 2020 - 14:01


    Një hetim i gjatë i ATK-së e ka ngarkuar me mbi shtatë milionë euro borxhe tatimore NewCo Ferronikelin, kompaninë në pronësi të Saimir Manes. Por një proces i dyshimtë, pjesë e të cilit ishte hetuesi që kishte zbuluar skemën e mashtrimit financiar, ia ka fshirë ato.

    Vehbi Kajtazi, Eros Klaiqi

    Buxheti i Kosovës do të ishte për shtatë milionë euro më i pasur, nëse Administrata Tatimore e Kosovës nuk do t’ia fshinte mbi 7 milionë euro borxhe oligarkut, Saimir Mane.

    Gazeta Insajderi, ka zbuluar një skandal të madh në ATK, që lidhet me fshirjen e borxheve të kompanisë së miliarderit nga Shqipëria. Bëhet fjalë për një borxh tatimor rreth shtatë milionë euro, që i është hequr kompanisë NewCo Ferronikeli Complex L.L.C.

    Në shkurt të vitit 2020, ATK-ja ia ka fshirë gjigantit metalurgjik obligimet shtesë tatimore me të cilat ishte ngarkuar në verën e vitit 2018, bazuar në dy raporte hetuese të nxjerra nga Drejtoria e Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës (DHTI).

    Vendimit për ngarkimin e kompanisë me mbi shtatë milionë euro borxhe tatimore, i ka paraprirë një hetim nën dyshimin për shmangie tatimore dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike. Hetimet ishin autorizuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

    Insajderi, ka siguruar dosjen e plotë të rastit, e cila përfshin dy raportet hetimore, vendimin e Departamentit të Ankesave dhe dëshmi të tjera të cilat hedhin hije dyshimi mbi shlyerjen e borxhit të NwëCo Ferronikeli.

    Asokohe, pronare e vetme e NewCo Ferronikeli Complex L.L.C figuronte Cunico Resources NV, një firmë private me seli në Amsterdam të Holandës.
    Një muaj para se ATK-ja ta ngarkonte NewCo Ferronikelin me borxhin milionësh, në korrikun e vitit 2018, Cunico Resources NV ia kishte shitur aksionet e Ferronikelit, firmës NKL Limited, me bazë në Londër të Mbretërisë së Bashkuar.

    Kompania është pronë e Grupit Balfin të Saimir Manes.

    Afarizmi i pronarit të mëhershëm të NewCo Ferronikelit kishte zhytur ndërmarrjen në mbi 8 milionë euro borxhe tatimore. Mane, kishte marrë përsipër edhe shlyerjen e borxheve që Ferronikeli kishte ndaj palëve të treta.

    Megjithatë, në vend të shlyerjes së këtij borxhi ndaj shtetit të Kosovës, kompania tashmë në pronësi të oligarkut Mane, kishte përzgjedhur një rrugë tjetër. Kishte vendosur të mos e njihte këtë borxh. Si rrjedhojë, ATK-ja ia kishte fshirë borxhin 7 milionësh.

    Drejtoria e Hetimeve Tatimore nisi hetimet më 31 janar të vitit 2018, ndaj NewCo Ferronikelit nën dyshimin për evazion tatimor. Këtë e dëshmojnë dokumentet që ka siguruar gazeta.

    Objekt kontrolli ishte periudha gjashtë vjeçare nga 2010 deri më 2016.
    Raportet hetimore të Njësisë së Hetimeve Tatimore (DHTI) kanë trajtuar tri çështje: shpenzimet me përmbajtje të pavërteta, ngarkesën me 800 mijë euro TVSh dhe bartjen e humbjeve tatimore.

    Përfundimi i hetimeve kishte rezultuar me ngarkimin e firmës NewCo Ferronikeli Complex me 7,4 milionë euro detyrime tatimore.

    Pasqyra financiare e NewCo Ferronikeli Complex pas përfundimit të hetimit

    Por, kompania e udhëhequr nga oligarku Mane, kishte dalë “pastër” nga ky proces. Më 1 shkurt të vitit 2019, Departamenti i Ankesave në ATK, kishte rikthyer çështjen në rivendosje.

    Një vit më vonë, një procedurë e dyshimtë ri-kontrolli hetimor i ka vërtetuar ankesat e NewCo Ferronikelit. Ia ka hequr borxhet tatimore kompanisë, ndërkaq, siç ka mësuar Gazeta Insajderi, Prokuroria ka pezulluar hetimet ndaj katër ish-pronarëve të NewCo Ferronikelit.

    Borxhet ishin fshirë pas një procesi të dyshimtë, në cilësi të shkallës së dytë, pjesë e të cilit ishte hetuesi i ATK-së, Bekim Halili, i njëjti zyrtar që kishte zbuluar skemën e evazionit tatimor të kompanisë.

    Ai dyshohet se është vënë nën presion nga menaxhmenti i lartë i ATK-së që përmes një procedure tjetër t’i hidhte poshtë dëshmitë që kishte prezantuar në hetimin e parë.

    Asokohe, funksionin e drejtorit të ATK-së e ka ushtruar Ilir Murtezaj, i cili është shkarkuar nga pozita më 16 tetor të këtij viti me vendim të kryeministrit Avdullah Hoti. Në vendimin e qeverisë, thuhej se Murtezaj u shkarkua shkaku i performancës së dobët.

    Tri çështjet e ngritura nga hetuesit

    NewCo Ferronikeli dyshohej për shmangie tatimore dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike në tri raste, sipas raportit të hetuesve tatimorë të nxjerrë më 2018.

    Çështjet e trajtuara nga Njësia Hetimore e ATK-së ishin: bartja e humbjeve tatimore në vlerë prej 43 milionë euro nga periudha 2006-2009, shpenzimet me përmbajtje të rreme dhe shmangia nga TVSH-ja për 800 mijë euro.
    Për këto çështje, NewCo Ferronikeli ishte ngarkuar me borxhe shtesë tatimore në vlerë prej 7,468,681.00 euro.

    Si pasojë e mosnjohjes së shpenzimeve me përmbajtje të pavërtetë, DHTI-ja e ngarkoi NewCo Ferronikelin me 5,3 milionë euro obligime shtesë tatimore. Me 1,1 milion euro të tjera shmangie nga tatimi, kompania u ngarkua për bartjen e jashtëligjshme të humbjeve tatimore.

    Ndërkaq, si rezultat i mosdeklarimit të shumës prej gati 5 milionë eurove të pranuar mes viteve 2012 dhe 2013 në formë të rimbursimit nga një kompani e sigurimeve, raporti hetues e ngarkoi Ferronikelin me shmangie nga TVSH-ja në vlerë 1 milion euro, përfshirë ndëshkimin dhe interesin.

    NewCo Ferronikeli nuk i ka dhënë Insajderit sqarime në lidhje me procedurën e dytë hetimore dhe shlyerjen e borxhit, duke mos kthyer përgjigje në pyetjet e gazetës.

    Megjithatë gjatë procedurës ankimore, dokumentet e së cilës i ka siguruar Insajderi, zyrtarët e ndërmarrjes i kishin cilësuar “krejtësisht të pabazuara dhe në kundërshtim me vet vendimet e ATK-së” të gjitha çështjet e trajtuara nga inspektorët e DHTI-së.

    Shpenzimet e “komisionit të shitjeve”

    Hetuesit e ATK-së e ngarkuan firmën NewCo Ferronikelin me afër 3 milionë euro evazion tatimor për pagesa të pa dokumentuara.

    Në vitin 2012, raporti i kontrollit të DHTI-së konstatoi se firma i ishte shmangur tatimit mbi të ardhurat e korporatave me 2,1 milionë euro.

    Në vitin 2013, me 246 mijë euro. Ndërkaq, më 2014, me 530 mijë euro.

    Borxhi i ishte ngarkuar pasi që nuk kishte dokumentuar shpenzimet që kishte realizuar për këto tri vite për Cunico Marketing FZE, në emër të ofrimit të shërbimit për shitjen e nikelit tek blerësit e fundit. Kjo kompani e ka bazën në Dubai të EBA-së, një zonë e lirë nga taksat. Aksionet e saj, sikurse ato të Ferronikelit, i mbizotëronte Cunico Resources NV.

    Për shërbimet e shitjes, NewCo Ferronikeli i paguante Cunico Marketing FZE 6% të fitimit nga shitjet dhe këto shpenzime i llogariste si të zbritshme.

    Por, hetuesit tatimorë i vlerësuan si “të rrejshme” shpenzimet nga 6 %-shi i shitjeve që kompania paguante për Cunico Marketing FZE, si pasojë e mos ofrimit të asnjë prove mbi transaksionet ekonomike me blerësit e fundit të produktit.

    “Me procedurë hetimore, mos ofrimi i këtyre informatave është konsideruar se të gjitha marrëveshjet dhe kontratat e lidhura mes tyre do të trajtohen si të pavërteta, të cilat janë përpiluar për qëllime manipuluese të prezantimit të pozitës së pavërtetë financiare të NewCo Ferronikeli Complex L.L.C”, konstaton raporti hetues i DHTI-së.

    Bazuar raportit, Cunico Marketing FZE ishte shfrytëzuar nga Ferronikeli për të realizuar shitjen direkte të mallrave të NewCo Ferronikelit, “edhe pse mallrat kanë blerësin tjetër”.

    Për vitin fiskal 2013, hetuesit tatimorë ngarkuan ndërmarrjen me 246 mijë euro obligime shtesë tatimore, për një borxh prej mbi 15 milionë euro që ishte paguar nga ndërmarrja për kompaninë Feni Industries në Maqeoninë Veriore.

    Ish-pronarët e Ferronikelit nuk ofruan prova për të vërtetuar lëvizjen e shumës 15 milionëshe nga njëra kompani në tjetrën. Kësisoj, ato u konsideruan si të rrejshme.

    “Personave përgjegjës të NewCo Ferronikeli Complex L.L.C, gjatë takimeve të mbajtura me ta, ia kemi tërhequr vërejtjen se mos ofrimi i dëshmive bindëse për këto lëvizje në bilancin e gjendjes vetëm me letër të marrëveshjes, do të konsiderohet si e pavërtetë dhe e gjithë shuma do të trajtohet i qarkullim shtesë për tatimin në të ardhurat e korporatave”, thekson raporti hetues.

    Për një rast të ngjashëm, ish-pronari i NewCo Ferronikelit dhe Feni Industries, Yusuf Mirakhmedov, ndodhet në kërkim nga autoritetet maqedonase që nga viti 2017. Insajderi kishte zbuluar se si në vitin 2016, Mirakhmedov ia kishte shlyer një borxh prej 51 milionë dollarësh kompanisë Cunico Marketing FZE.

    Në vitin 2014, Njësia Hetimore e ATK-së do t’ia shtonte NewCo Ferronikelit edhe 530 mijë euro obligime tatimore si pasojë e mosnjohjes së shpenzimeve për pagesat prej 6 % të vlerës së shitjes së mallrave ndaj Cunico Mrketing FZE.

    Në dy vitet e ardhshme 2015 dhe 2016, ndërmarrja do të operonte me humbje tatimore. Për mosnjohjen e komisionit të shitjeve, do t’i zvogëlohej humbja por nuk do të ngarkohej me shmangie tatimi.

    Për mosnjohjen e shpenzimeve të shitjes, kompania që tashmë udhëhiqet nga Saimir Mane, është përplasur me hetuesit tatimorë në seancën dëgjimore pranë Departamentit të Ankesave.

    Sipas NewCo Ferronikelit, pretendimet e hetuesve tatimorë për shpenzimet e shitjeve janë të pabazuara dhe në kundërshtim me një vendim të Departamentit të Ankesave më 2014, të nxjerrë për të njëjtën çështje.

    Raporti hetues: NewCo Ferronikeli, mbi 1 milion euro shmangie nga TVSH-ja

    Çështja e tretë, e cila e ngarkonte me borxh tatimor NewCo Ferronikelin, ndërlidhet me shmangien e Ferronikelit nga 800 mijë euro TVSH.

    Sipas vlerësimeve të raportit final hetues, NewCo Ferronikeli nuk kishte paguar TVSH-në për shtatë milionë dollarë që i kishte pranuar si kompensim dëmi për një avari të ndodhur në njërën prej furrave të fabrikës.

    Me ekzekutimin e interesit dhe ndëshkimit, vlera e obligimeve shtesë të NewCo Ferronikelit për qëllime të TVSH-së shkon në 1 milion e 51 mijë euro.

    Për këtë çështje, ATK-ja kishte nxjerrë dy opinione kundërthënëse. Njërën më 2018, ndërkaq tjetrën më 2019.

    Opinioni i parë vlerësonte se Ferronikeli duhej ngarkuar me 800 mijë euro obligime tatimore dhe opinioni i dytë interpretonte se buxheti i shtetit nuk ishte dëmtuar për 800 mijë euro. Të dy këto opinione ishin nxjerrë nga një zyrtar i Zyrës Ligjore.

    Intepretimi ligjor i nxjerrë më 24 gusht të vitit 2018, duke u mbështetur në Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, specifikon qartë se “shuma e rimbursuar në emër të kompensimit të dëmeve për qëllime të TVSH-së, duhet të raportohet si vlerë e rikuperueshme, atëherë për vlerën e përfituar në këtë rast është dashur të llogaritet TVSH-ja”.

    Në këtë opinion ligjor të ATK-së janë mbështetur hetuesit e Drejtorisë së Njësisë së Hetimeve Tatimore në procedurën e kontrollit që ngarkojnë me shmangie nga tatimi firmën NewCo Ferronikeli.

    “Sipas raportit hetues final, subjekti NewCo Ferronikeli Complex L.L.C gjatë vitit 2012 ka një detyrim tatimor në shumë prej 119 mijë euro. Për vitin 2013, po ashtu ka detyrim tatimor për TVSH në shumë prej 667 mijë euro “, thekson raporti.

    Por, ngarkimi i NewCo Ferronikelit me tatim për TVSH është hedhur poshtë në procedurën e ri-kontrollit. Kompanisë i është hequr ky borxh tatimor në fillim të shkurtit 2020, ka mësuar Insajderi nga burime brenda ATK-së.

    Në kuadër të procedurës së ri-kontrollit, inspektori ka kërkuar për të njëjtën çështje një interpretim nga këshilltari për TVSH. Megjithatë, ky interpretim i nxjerrë në dhjetor të vitit 2019 nuk është konkret sikurse i kaluari.

    Aty thuhet se është përgjegjësi e Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj për ta vlerësuar vet çështjen.

    “Është përgjegjësi e Drejtorisë përkatëse të juaj – DTM, që të kryejë të gjitha analizat dokumentare për çështjet tatimore për marrjen e vendimit të drejtë të rastit konkret, duke marrë për bazë kontrata, deklarimet tatimore, pagesat, lëshimin e faturave tatimore dhe çdo element relevant që mund të hasni në dokumentacionin e tatimpaguesit konkret”, thuhet në opinionin e lëshuar më 17 dhjetor 2019 nga ATK-ja.

    Humbjet e bartura tatimore dhe dyshimet për falsifikim të aksioneve

    Një “gabim teknik” në ARBK dhe një vendim i dyshimtë i ATK-së, i mundësoi NewCo Ferronikelit të mos i deklaronte 11 milionë euro të hyra të tatueshme më 2010.

    Këto të hyra i kishte kompensuar me humbje tatimore të bartura jashtëligjshëm në javën e parë të prillit 2010, sipas Raportit Final Hetues – Shtesë. Mashtrimi financiar i kishte shkaktuar shtetit dëm prej 1,1 milion euro, sipas raportit.

    Gjetjet e hetuesve në Raportin Final Hetues – Shtesë

    Humbjet tatimore arrihen në rast kur shpenzimet tatimore janë më të mëdha sesa të ardhurat. Në këto raste, biznesi nuk obligohet të paguajë tatim mbi të ardhurat e korporatave.

    Sipas raportit, humbjet tatimore në vlerë prej afër 43 milionë euro të realizuara gjatë viteve 2006-2009, NewCo Ferronikeli i kishte bartur në mënyrë të jashtëligjshme më 2010.

    Bartja e humbjeve ishte bërë në kundërshtim me Ligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave – i cili ishte në fuqi deri më 2015, kanë gjetur hetuesit tatimorë.

    Neni 23 i këtij ligji i pamundësonte tatimpaguesit bartjen e humbjeve në rast se ndryshon pronësia më shumë se 50 për qind.

    Në rastin e Ferronikelit, raporti konstaton se është ndërruar pronësia e plotë e ndërmarrjes – pra, në 100 për qind. Për të mbështetur konstatimin e hetuesve, ekzistojnë dëshmi në ARBK, të cilat i ka siguruar Insajderi.

    Historiku i biznesit në ARBK, të cilin e kanë nxjerrë në gusht të 2018-s hetuesit tatimorë, dëshmon se më 1 prill të vitit 2010, NewCo Ferronikelit i ishte ndërruar pronësia në masë prej 100 për qind të aksioneve. Nga Ferronikeli B.V, pronësia e plotë e aksioneve i kishte kaluar Cunico Resources N.V.

    “Biznesi NewCo Ferronikeli Complex L.L.C me numër të biznesit 70268073 ka aplikuar për ndërrim të pronarit më datë 01.04.2010 dhe numri i aplikacionit është 03T00002697, mirëpo sipas historiatit shihet se për shkaqe teknike ka mbetur edhe pronari i mëparshëm aktiv. Nga data 01.04.2010, sipas aplikacionit në fjalë, bëhet ndërrimi i pronarit dhe pas kësaj date pronar i vetëm është Cunico Resources N.V”, thuhet në historiatin e biznesit në ARBK.

    Konfirmimi i ARBK-së për ndërrimin e pronësisë së biznesit

    Bazuar në këto gjetje, hetuesit tatimorë bënë kërkesë për rregullimin e llogarisë tatimore të NewCo Ferronikelit. Për të eliminuar humbjet e bartura të NewCo Ferronikelit pas vitit 2010 në shumë prej rreth 43 milionë euro.

    Ndërkaq, zyrtarët e NewCo Ferronikelit kanë kundërshtuar dëshmitë e hetuesve. Janë mbështetur në një vendim të nxjerrë nga Divizioni për Edukimin e Tatimpaguesve në dhjetor të vitit 2010.

    Ky vendim është nxjerrë pas kërkesës së NewCo Ferronikelit për të vërtetuar pretendimet se firma ka kaluar në një proces të riorganizimit apo shkrirjes së bizneseve. Vendimi është marrë duke u bazuar në dokumentacionin e ofruar nga tatimpaguesi, pa verifikuar aplikacionin në ARBK.

    “Bazuar në dokumentacionin që na keni dërguar, si dhe në sqarimet e juaja, ATK-ja procesin e shkrirjes nga Ferronikeli BV, në Resources Holdings BV, pastaj në Cunico Resources UA, dhe në fund në Cuncio Resources NV, e konsideron si proces të riorganizimit”, thuhet në këtë vendim të Divizionit për Edukimin e Tatimpaguesve, të datës 17 dhjetor 2010.

    Insajderi, ka mësuar nga burime të mirë informuara brenda ATK-së, se në procedurën e ri-kontrollit, inspektorët tatimorë ia kanë fshirë kompanisë borxhin me të cilin ngarkohej për bartjen e humbjeve duke u bazuar në këtë vendim. Nuk janë marrë parasysh të dhënat e ARBK-së.

    Mane, oligarku që qëndron prapa Ferronikelit

    Kompania NKL Limited është kompani e krijuar rishtazh.
    Sipas disa dokumenteve zyrtare të cilat i posedon Gazeta Insajderi, NKL Limited është themeluar më 10 mars të vitit 2018 me bazë në kryeqytetin britanik, Londër.

    Drejtorë të Nkl Limited, sipas dokumenteve që kishte publikuar Insajderi dy vjet më parë, kishin qenë: Saimir Mane, Joyce Angelina Young dhe Jacques Claude Michel Nassieu Maupas. Dy personat e fundit paraprakisht ishin edhe funksionarë të “Cunico Resources”.

    Por, bazuar në agjencinë e qeverisë së Britanisë së Madhe për regjistrimin e bizneseve, “Companies House”, drejtorë aktualë të Nkl Limited figurojnë: Saimir Mane, Steven Grunerud dhe Rasin Yuoval.

    Drejtor i Nkl Limited, sipas regjistrit në Shtëpinë e Bizneseve të qeverisë britanike, figuron Youval. Mane dhe Grunerud figurojnë si pronarë po ashtu, si përfaqësues të Balfin Group.

    Balfin, është grup investues në pronësi të Saimir Manes, njërit nga biznesmenët më të fuqishëm në Shqipëri dhe pronar i një rrjeti biznesesh edhe në Austri, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi, Itali, Dubai, ShBA dhe Greqi.

    Grupi i kompanive Balfin ushtron aktivitet në fushat e minierave, tregtisë me pakicë, bankave dhe ndërtimit.

    Manjati i akuzuar për ryshfet, dyshohet se zotëronte aksione në Cunico

    Për më shumë se dhjetë vjet Cunico Resources NV zotëroi aksionet e Ferronikelit, por asnjëherë nuk janë shfaqur në regjistrat zyrtar biznesmenët që drejtonin këtë kompani të regjistruar në Holandë.

    Mirëpo, sipas një shkrimi të publikuar më 1 korrik 2007 në Financial Times, aksione në kompaninë Cunico zotëronte manjati izraelit, Benny Steinmetz.

    Financial Times shkruante se Steinmetz zotëronte aksionet e Cunico-s bashkërisht me tre tregtarët kazakë: Patokh Chodiev, Alidjan Ibragimov dhe Alexandre Machkevitch.

    Bazuar në raportimin e prestigjiozes britanike, Cunico kishte në pronësi një minierë bakri në Zambi, shtetin jugor afrikan, si dhe “asete të privatizuara të nikelit në territoret ballkanike të Kosovës dhe Malit të Zi”.

    Emri i miliarderit Steinmetz ishte ndërlidhur me Kosovën edhe në një artikull tjetër të Financial Times, të publikuar pesë vite më vonë.

    Në një shkrim të FT më 19 shkurt 2012, Steinmetz përshkruhej si “tregtar me një sy të mprehtë për fronte të egra” në botën e biznesit dhe investimeve.

    Shkrimi i gazetarit William MacNamara nis me Kosovën, Guinean dhe Mianmarin, tri shtete në të cilat, thuhet në fillim të shkrimit, “Steinmetz mund të bëjë biznes”.

    Mirëpo, emri i Steinmetz nuk ka figuruar kurrë as në dokumentet e agjencive shtetërore në Kosovë, si pronar i kompanisë që menaxhoi për vite me radhë Ferronikelin.

    Sipas një shkrimi të Miningsee.eu, platformës ballkanike që raporton për fushën e minierave, kompania Cunico Resources ishte e regjistruar në det të hapur, në Guernsej, një etnitet që ndodhet në një rajon të quajtur Ishujt e Kanalit.

    Steinmetz akuzohet nga prokurorët zviceranë se i ka dhënë ryshfet zyrtarëve të Qeverisë së Guinesë për të përfituar në këmbim licenca minierash në shtetin e Afrikës Perëndimore.

    Steinmetz dhe dy bashkëpunëtorë dyshohet t’i kenë paguar 10 milionë dollarë njërës prej grave të Lansana Conté, ish-presidentit të Guinesë, në mënyrë që të sigurojnë të drejtën për operim në një nga rezervat më të mëdha të papërdorura të hekurit në botë.

    Paratë, dyshojnë prokurorët zviceranë, pjesërisht janë paguar përmes llogarive bankare të Zvicrës. Steinmetz i ka mohuar këto akuza të prokurorëve zviceranë, raportonte Financial Times vitin e kaluar.

    Ndërkaq, sipas revistes amerikane Forbes, Steinmetz është njëri nga tre mijë njerëzit më të pasur në botë, me një pasuri neto prej 1.2 miliardë dollarësh amerikanë.

    Manjati izraelit vazhdon të jetë një nga biznesmenët më të përfolur për veprimtarinë e grupit të tij investues në minierat e Afrikës./Gazeta Insajderi/

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark