×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Skandal, skandal, skandal”- LDK-ja i kapen Vjosa Osmanit, ia njehin tri skandale pas mos-dekretimit të Isufajt

    Insajderi
    18 October 2023 - 17:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka bërë tri veprime skandaloze përgjatë adresimit të djeshëm, ku njoftoi se s’do ta dekretojë për kryeprokuror Blerim Isufajn.

    Selmanaj, me anë të një postimi në ‘Facebook’, thotë se skandali i parë i presidentes është mos-dekretimi i kryeprokurorit që një vit e gjysmë, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Ajo dje dëshmoj që për 18 muaj ka abstenuar, në ushtrimin e detyrimeve që ia përcaktuar kushtetuta e Kosovës… Pra presidentja e vendit, Republikën e Kosovës e ka lënë mbi 18 muaj pa Kryeprokuror të saj. Përkatësisht institucionin e pavarur që ka autoritet dhe përgjegjësi për ndjekjen penale të personave të akuzuar për ndonjë vepër penale, e ka lënë për një vit e gjysmë pa udhëheqës”, deklaroi ai.

    Sipas tij, skandali i dytë është vonesa për vendimin për çështjen e kryeprokurorit dhe tejkalimi i kompetencave kushtetuese.

    “Sipas këtij neni, kompetenca e presidentetes për “emërim” dhe “shkarkim” kufizohet vetëm në aspektin ceremonial. Presidenti i Republikës nuk mund të kontrolloj meritën e “propozimeve” që vijnë nga Këshilli Prokurorial, pra presidentja nuk mund të ushtroj kontroll substancial mbi propozimet e Këshillit. E vetmja hapësirë që ka në dispozicion presidentja është kontrolli i rregullsisë procedurale të ndjekura nga KPK”, ka deklaruar më tej Selmanaj.

    “Problemi themelor që paraqitet në rastin konkret është se, a vërtet presidentes ju deshtën 18 muaj, për ti kuptuar shkeljet eventuale procedurale të procesit të zhvilluar nga KPK? Apo priste mos ndonjë nga instancat në gjykatat e rregullta apo Gjykata Kushtetuese, do i jepte një arsye të vetme që ta zbatoj pastaj kërkesën e Albin Kurtit për mos emërim të kandidatit të propozuar nga KPK”.

    Ndërkaq, deputeti i LDK-së si skandal të tretë e radhit mos-besimin e presidentes në sistemin e drejtësisë së Kosovës. Osmani gjatë ditës së djeshme deklaroi se arsyeja pse s’i ka denoncuar kërcënimet e pretenduara që ka marrë për dekretimin e kryeprokurorit ishte sepse “nuk funksionon sistemi i drejtësisë”. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark