×
  • Lajme
  • Analiza

    Skandalet me naftë që ndjekin si hije familjen presidenciale

    Insajderi
    22 July 2022 - 22:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shfrytëzimi i naftës së shtetit, dhe mosdeklarimi i tij – duket se janë bërë zakonshmëri për familjen Presidenciale. Gazeta Insajderi sjell dy ngjarje të ndryshme që lidhen me shpenzimin e parasë publike nga Vjosa Osmani-Sadriu, dhe bashkëshorti i saj Prindoni.

    Gazeta Insajderi

    Në shkurt të këtij viti, Gazeta Insajderi pati zbuluar se si Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, ishte përfshirë në skandalin e shpenzimeve të naftës.

    Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndonëse që nga viti 2012 jeton në Prishtinë, kishte marrë para për shpenzimet e rrugës, duke mashtruar se jeton jashtë kryeqytetit.

    “Unë, bashkëshorti dhe dy vajzat tona jetojmë në një banesë njëdhomëshe në Prishtinë që nga viti 2012 kur kemi krijuar familjen tonë, banesë kjo e cila as për së afërmi nuk i plotëson kushtet bazike për një familje 4 anëtarëshe…”, kishte konfirmuar Osmani në një shkrim të saj, në gusht të 2020-ës.

    Më 2011, viti kur kishte hy në fuqi rregullorja që i parashihet këto pagesa, Osmani, që tash mban pozitën e të parës së shtetit kishte marrë 380 euro për rrugën që ajo mendohet se bënte nga Mitrovica për në Prishtinë.

    Një vit më pas, më 2012, ajo është martuar me Prindon Sadriun, dhe ka deklaruar se nga ajo kohë jeton në kryeqytet bashkë me bashkëshortin, por pavarësisht kësaj tash presidentja e vendit, ka përfituar 1 mijë e 789 euro për karburante, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ndërkohë, më 2013 – nga ky fond i Kuvendit të Kosovës, Osmani kishte marrë edhe 1 mijë e 240 euro të tjera, dhe në vitin 2014 edhe 520 euro të tjera.

    Nga 2015 e tutje, Osmani nuk i ka shfrytëzuar më paratë e Kuvendit të dedikuara për udhëtimin e saj, shkruan Gazeta Insajderi.

    Pas zbulimit të skandalit, Presidentja foli për këtë çështje në RTK.

    “Unë për herë të parë kam dëgjuar që ka kompensim për udhëtim tash kur ka dal kjo punë më media, shumë para se të flitej për emrin tim kur doli për deputetët që këtë vit kanë marrë kompensim. Atëherë kam dëgjuar për herë të parë për këtë kompensim”, pati thënë Presidentja.

    Favori me naftë ndaj Prindon Sadriut dëmton buxhetin për 13 mijë euro

    Prindon Sadriu, bashkëshorti i Prsidentes Vjosa Osmani, që e mbante pozitën e zëvendësshefit të misionit diplomatik në Shkup, më 2 mars të viti 2020, kishte kërkuar nga Ambasadori i Kosovës në atëkohë Gjergj Dedajt, që t’ia ofronte mundësinë e shfrytëzimit të karburantit përmes procedurave të ambasadës.

    Në kërkesë e specifikonte se dëshironte shfrytëzimin e karburanteve nga shteti deri në gjetjen e një banese për akomodim, siç thoshte ai deri në përmbylljen e procedurave të akomodimit, sipas specifikave familjare, por edhe të sigurisë.

    Kjo kërkesëe tij, ishte aprovuar nga Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të MPJ-së me 2 mars 2022.

    Mirëpo asnjëherë publikisht Sadriu nuk tregoi se a gjeti banesë dhe sa gjatë Ministria e Punëve të Jashtme i ka paguar atij për karburante.

    Lidhur me këtë çështje, Gazeta Insajderi me 15 shkurt të këtij viti, kishte bërë kërkesë zyrtare për qasje në dokumentet publike, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, duke kërkuar faturat e shpenzimeve të diplomatit Prindon Sadriu për karburante.

    Pavarësisht që është e obliguar me ligj që të ofroj dokumentet, Ministria e Punëve të Jashtme që drejtohet nga Donika Gërvalla, nuk i ka ofruar këto fatura për Insajderin.

    Në muajin maj Insajderi, lidhur me rastin dërgoi ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

    Ky agjencion në fillim të qershorit mori vendimin përmes së cilit MPJ obligohej që brenda shtatë ditësh t`i ofronte gazetës faturat e shpenzimeve të Sadriut. As pas kalimit të këtij afatit MPJ nuk i dha faturat.

    Në fillim të muaji korrik Agjencia e gjobiti me 3 mijë euro për heshje ndaj kërkesës dhe obligimit që brenda shtatë ditësh t`i dërgonte faturat gazetës.

    Pavarësisht kësaj shteti prap nuk u zbraps nga përpjekja për favorizimin e burrit të presidentes duke mos ofruar dokumenetet e shpenzimeve të tij, shkruan Gazeta Insajderi.

    Sot Agjenci për Informim dhe Privatësi, e gjobiti për herë të dytë Ministrinë e Punëve të Jashtme me gjobën e dytë prej 10 mijë euro.

    “Agjenci për Informim dhe Privatësi duke vënë re qasjen mospërfillëse të këtij insitucioni publik, është detyruar të vazhdojë me hapin e radhës të shqyrtimit të kësaj ankesë, duke nxjerrë vendimin, përmes së cilit i shqiptohet gjobë insitucionit publik në fjalë, shuma e së cilës arrinë në 13 mijë euro”, thuhet në vendimin e AIP.

    Shteti është pajtuar që në këmbim të fshehjes së faturave të shpenzimeve të udhëtimit të Prindon Sadriut, në destinacionin Kosovë – Maqedoni, të paguaj 13 mijë euro gjobë.

    Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, as pas katë muajsh që kur Gazeta Insajderi ka kërkuar qasje në shpenzimet e Prindon Sadriut që paguhen me taksat e qytetarëve, nuk ka lejuar që ato të bëhen publike. Kjo ministri, ku punon e nga ku merr pagë Sadriu, i kaloi të gjitha afat ligjore për qasje në dokumentet publike.

    Pasiqë MPJ nuk i ofroi këto fatura, Gazeta Insajderi u ankua në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, e cila nxorri një vendim me 2 qershor, duke e obliguar atë që brenda 7 ditësh t`i jap faturat gazetës.

    Ministria e Punëve të Jashtme nuk e përfilli fare vendimin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Si rrjedhojë e kësaj, AIP me 1 korrik e gjobiti me 3 mijë euro fillimisht.

    “Shqiptohet gjobë ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për moszbatimin e vendimit të datës 02.06.2022 në shumën prej 3 mijë euro për heshtje ndaj kërkesës për qasje në dokumentet publike”.

    Pasiqë përsëri Ministria e Gërvallës heshti, Agjencia shqiptoi sot edhe gjobën e dytë.

    “Shqiptohet gjobë për moszbatim të vendimit të datës 02.06.2022 në shumën prej 10 mijë euro për pamundësinë e realizimit tët  të drejtës për qasje në dokumentet publike”, thuhet në vendimin e 22 korrikut të AIP-as.

    Agjencia e obligon MPJ-në që brenda 30 ditësh të paguaj totalin e gjobës prej 13 mije eurosh, shkruan Gazeta Insajderi.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark