Dy ditë pas lindjes së fëmijës një grua është larguar nga puna. I është bërë presion brutal që të jepte dorëheqje vullnetare, në mënyrë që firma të mos ia paguante rrogat e lehonisë. Ky skandal ka ndodhur në kompaninë me qarkullim multimilionësh të oligarkëve Samir Mane e Arsim Papraniku. Në kompaninë Jumbo.
Dy ditë pas gëzimit të madh të jetës, lindjes së fëmijës, një ish-punëtore e “Kid Zone Kosova”, me emrin tregtar “Jumbo”, është ftuar në zyre nga ish-shefat e saj.
Ajo mendonte se takimi me eprorët do të zhvillohej në zyre, mirëpo atë e dërguan në një magazinë. Ajo ka rrëfyer se për tri orë rresht i është bërë presion nga ish-eprorët.
Ish-shefat i bënin presion që të nënshkruante një dokument se po largohej vullnetarisht nga puna. E akuzonin kinse për një vjedhje 5 mijë euroshe, për të cilën nuk e kishin denoncuar në Polici.
Ish-shefat e saj të “Jumbos” kishin kryer punë përmes presionit.
Ish-punëtorja Albenita Zogaj nga frika prej presionit se do ta dërgonin në burg dhe nuk do ta shihte më fëmijën e saj që e kishte lindur para dy ditëve, kishte nënshkruar çdo dokument që iu kishte ofruar nga ish-shefat që i bërtisnin tërë kohën.
Nga “Jumbo” për Insajderin kanë pretenduar se Zogaj kërkoi vetë dorëheqjen dhe s’ishte kërkesë e kompanisë.
“Duam t’ju sigurojmë që rasti i znj. Albenita Zogaj dhe katër punonjësve të tjerë me të cilët ajo ka bashkëpunuar është trajtuar me respektin me të madh gjatë procedurës disiplinore duke u kujdesur maksimalisht për personalitetin dhe integritetin e tyre. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse ne kemi zgjedhur që të mos e bëjmë publik rastin, edhe pse të pestat e kanë pranuar fajin. Kjo dalje e jona publike është e kushtëzuar nga akuzat e pavërteta që znj. Albenita Zogaj ka drejtuar kundrejt kompanisë tonë”, thuhet në reagimin e kompanisë.
“Të pestë punonjësit janë ftuar njëkohësisht nga menaxhmenti i kompanisë për një situatë ku vihej re një mungesë e madhe në produkte brenda një kohe të shkurtër. Me ç’rast kemi filluar kontrollin në çdo departament të dyqanit, kontroll nga i cili rezultoi se mungesa më e madhe vinte nga departamenti i arkave i kryesuar nga znj. Zogaj. Më pas, në procedurën e mbledhjes së dëshmive nga punonjësit e këtij departamenti dhe nga vetë znj. Zogaj, kemi arritur që të vërtetojmë se keqpërdorimet janë bërë nga ky departament. Janë siguruar prova nga punonjësit e tjerë që kanë qenë të përfshirë në grupe komunikimi mes tyre duke dëshmuar se si janë realizuar keqpërdorimet”.
“Të gjithë punonjësit e përfshirë në këtë situata janë ftuar për ballafaqim dhe të gjithë i janë përgjigjur ftesës me vullnetin e tyre të plotë. Znj. Zogaj dhe katër punonjësit e tjerë e kanë pranuar fajësinë dhe kanë pranuar që do të dëmshpërblejnë kompaninë për dëmin e shkaktuar. Asnjërit prej tyre nuk i është ofruar dokument i gatshëm për nënshkrim dhe nuk i është bërë asnjë presion”.
Presioni brutal- “Nëse nuk i nënshkruan, ti nuk i shehë fëmijët e tu për 7 vjet”
Kompania “Jumbo”, është në pronësi të dy oligarkëve. Samir Manes e Arsim Papranikut. Mane promovon publikisht krijimin e një ambienti të dinjitetshëm të punës për punëmarrësit, ndërsa oligarku Papraniku është respektuar lartë nga institucionet e Kosovës.
Papraniku është nderuar me titullin Konsull Nderi i Kosovës në Republikën e Maqedonisë. Titulli i është dhënë nga ish-kryeministri Haradinaj. Nuk ka ndonjë njoftim zyrtar që Qeveria Kurti ia ka hequr oligarkut Papraniku këtë titull.
Por, sa po i respektojnë punëtorët kosovar dy biznesmenët që janë nderuar nga shteti i Kosovës?
Rrëfimi i ish-punëtorës së tyre, Albenita Zogaj, dëshmon se është duke ndodhur e kundërta. Kompanitë e tyre janë duke i terrorizuar punëtorët.
Zogaj ka dëshmuar në një intervistë për “Betimi për Drejtësi”, se ish-shefat e saj në “Jumbo”, kanë bërë çmos që asaj të mos i paguhej pushimi i lehonisë që i takon me ligj. Kanë shkuar deri në mbajtjen peng për disa orë rresht në një magazinë të “Jumbo”.
Zogaj ishte punësuar para pesë viteve në këtë kompani. Njëherë si arkatare. Më pas u avancua në mbikëqyrëse të arkave.
Por, problemet me firmën “Jumbo”, i ishin shfaqur për shkak të shtatzënisë së saj. Kishte punuar në firmë deri 5 ditë para lindjës.
Kishte lindur fëmijën me datën 6 nëntor 2023.
Ishte këshilluar nga gjinekologia që për 10 ditë duhet të qëndroj e shtrirë dhe nuk guxon të rrijë as ulur e as në këmbë.
Ky rekomandim i mjekës nuk i kishte bërë përshtypje ish-shefave të saj. Vetëm dy ditë pas lindjes e kishin ftuar që vinte në zyrë në Prishtinë.
Ishte detyruar që ta linte foshnjën te një familjar dhe t’i përgjigjej urdhrit të ish-shefave.
“Më kanë akuzu se e kam keqpërdor detyrën. Më kanë thënë që “ne kemi bisedu me policinë dhe nëse ti nuk i nënshkruan dokumentet që ne kemi me ti dhënë, ti nuk i sheh fëmijët e tu për shtatë vjet”, ka rrëfyer Zogaj për “Betimi për Drejtësi”.
“Në këtë moment më kanë thënë që vjen policia edhe nuk e sheh më kërkon. Kam kërku me dalë, nuk më kanë lanë. Është një far magazine në katin e dytë, me një nga punëtorët aty më kanë çu në magazinë dhe më kanë mbajt për 3 orë. As nuk kam pas të drejtë telefonin, as nuk janë shqetësu për gjendjen tem, asnjë send”, pohoi Zogaj.
Ish-shefat e saj kishin bërë gati dokumentet se ku theksohej se Zogaj po jep dorëheqje me vetedëshirë.
Ndonëse e frikësuan me akuzat për vjedhje me qëllim që ta bindin që të jepte dorëheqje nga frika, menaxhmenti i “Jumbo”, asnjëherë nuk e denoncoi Zogajn në polici për vjedhje.
Inspektoriati i Punës gjobitë kompaninë e Manes e Papranikut
Zogaj më pas kishte vendosur që të ankohej të institucionet. Te Inspektoriati i Punës. Ky organ i kishte shqiptuar kompanisë “Kid Zone Kosova”, me emrin tregtar “Jumbo”, një gjobë prej 2 mijë eurosh.
Gjoba prej 2 mijë eurosh dëshmon se kompania Jumbo kishte larguar padrejtësisht nga puna Zogajn, me qëllim që të shmangte pagesës e pushimit të lehonisë.
Fillimisht, Inspektoriati Qëndror i Punës kishte kërkuar nga “Jumbo”, që ta respektonte Ligjin e Punës. Ia kishte rikujtuar se është e kundërligjshme që t’i shkëputet lehonës marrëdhënia e punës.
Kërkesën ia kishte bërë me datën 14 dhjetor të vitit të kaluar. Shefat e Jumbos kishin shpërfillur kërkesën e Inspektoriatit për ta respektuar ligjin duke e kthyer në punë ish-punëtorën Zogaj.
Disa ditë më vonë, më 26 dhjetor të vitit të kaluar, Inspektoriati i Punës kishte shqiptuar gjobë ndaj firmës “Jumbo”, meqe nuk kishte dhënë indikacione se është e interesuar që ta respektoj Ligjin e Punës.