Policia e Kosovës ka arrestuar edhe kirurgun e tretë të Spitalit të Vushtrrisë, Isuf Zekaj, të përfshirë në skandalin e korrupsionit.
Kështu ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, zëdhënësi i Prokurorisë në Mitrovicë, Valon Preteni.
Ndaj Zekaj është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimi.
“Ju njoftojmë që personi i dyshuar me iniciale I.Z., është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë. Njëherit, ndaj të njëjtit është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente, seanca pritet të mbahet”, thuhet në njoftimin e Pretenit.
Shef i kirurgjisë në spitalin e Vushtrrisë, Isuf Zekaj nuk është gjetur në vendin e punës kur policia zbarkoi për ta arrestuar, së bashku me kolegët e tij, Arsim Latifaj dhe Ekrem Sefiu.
Ai kishte shkuar në pushim vjetor jashtë shtetit. Zekaj po hetohet për marrje ryshfeti gjatë një operacion në spitali e Vushtrrisë.
Isuf Zekaj, Arsim Latifi dhe Ekrem Sefiu janë tre kirurgët e spitalit të Vushtrrisë që u kapën duke marrë para nga pacientët për të kryer operacione. Që të tre u suspenduan nga puna dhe po hetohen nga prokuroria.