×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Skandali i ryshfetit në spitalin e Vushtrrisë shkakton kaos – Salla e kirurgjisë mbetet me dy kirurgë

    Insajderi
    13 January 2023 - 14:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Rasti i fundit i korrupsionit në spitalin “Sheikh Zayed” në Vushtrri, ka bërë që salla e kirurgjisë atje të mbesë në duar të dy kirurgëve. Funksionalizimi i sallës me dy kirurgë është i pamundur pasi numri i pacientëve që presin të operohen po shënon rritje. Kështu spitali i Vushtrrisë ka shpallur konkurs për dy kirurgë të tjerë. Deri në punësimin e tyre shpresë të vetme për ndihmë ky spital ka Shërbim Klinik Universitar të Kosovës.

    Gazeta Insajderi

    Isuf Zekaj, Arsim Latifi dhe Ekrem Sefiu janë tre kirurgët e spitalit të Vushtrrisë që u kapën duke marrë para nga pacientët për të kryer operacione. Që të tre u suspenduan nga puna dhe po hetohen nga prokuroria.

    Shef i kirurgjisë në spitalin e Vushtrrisë, Isuf Zekaj ende nuk është dorëzuar në polici, ndaj Ekrem Sefiut është vendosur arrest shtëpiak, ndërsa ndaj Arsim Latifajt do të vazhdojë procedura e rregullt nga Prokuroria.

    Sipas raportimit të Gazetës Shneta, që të tre kirurgët, në emër të blerjes së materialit (kryesisht rrjeta dhe klipa) të nevojshëm për operacion kanë marrë nga 100 deri në 400 euro prej pacientëve.

    Ky skandal ka shkaktuar kaos në spitalin e Vushtrrisë, aktualisht funksionimi i sallës së kirurgjisë po mbahet vetëm me dy kirurgë.

    Në pamundësi që salla të operojnë me dy kirurgë kujdestarë puna operative po vazhdon edhe përkundër vështirësive.

    Kështu thuhet në përgjigjet e Spitalit të “Sheikh Zayed” në Vushtrri dhënë Gazetës Insajderi.

    “Në Spitalin “Sheikh Zayed” në Vushtrri janë aktualisht dy kirurgë. “Megjithatë edhe pse aktualisht i kemi dy kirurgë, puna operative po vazhdon në pajtim me planin operativ të dy kirurgëve. Kujdestaritë me dy kirurgë është e pa mundur të organizohen megjithatë blloku operativ nuk ka rënë”, thuhet në përgjigjen e Spitali dhënë Insajderit.

    Numri i pacientëve që po presin të operohen po rritet në vazhdimësi megjithëse numri i saktë i tyre ka mbetur në listën e planifikuar nga shefi i kirurgjisë, Isuf Zekaj.

    ‘Numri i pacientëve ka qenë në vazhdimësi i madh. Duke pasur parasysh se listat e pacientëve të operuar janë të planifikuara nga mjekët dhe shefi i bllokut, për momentin nuk e dimë saktë sa është numri i pacientëve që janë në pritje”, thuhet

    Përkitazi më këtë spitali është detyruar të gjej një zgjidhje për të mos lënë pacientët të presin.

    Një konkurs publik është shpallur tashmë për të punësuar edhe dy kirurgë të tjerë.

    “Për shkak të rritjes të volumit të madh të punës ne e kemi shpallur konkursin publik për dy kirurgë, për çka janë duke u zhvilluar procedurat. Dhe së shpejti përfundon ky process”, thonë më tej në përgjigjen e tyre.

    Derisa, spitali i Vushtrrisë të punësojë edhe dy kirurgë të tjerë që puna në sallën e kirurgjisë të funksionoj pa problem, ShSKUK-ja pritet t’i dal në ndihmë.

    Kirurgë shtesë do të dërgohen në spitalin e Vushtrrisë nga ShSKUK-ja, në mënyrë që operacionet të kryhen sipas planit operativ.

    “Po ashtu për këtë proces kemi marr edhe mbështetjen e SHSKUK-së për bashkëpunim dhe organizim të punës me kirurgë shtesë”, thuhet në përgjigjet e spitali të Vushtrrisë.

    Gjatë vitit 2022 në spitalin “Sheikh Zayed”  janë kryer 1808 operime me ekipin e përbërë prej 5 kirurgëve.

    Ryshfeti nëpër duart e kirurgut Isuf Zekajt

    Një qytetare nga komuna e Podujevës në kushte anonimiteti tregoi për Insajderi se si i kishte dhënë para kirurgut Isuf Zekaj që bashkëshorti i saj të operohet.

    Qytetarja nga Podujeva (emër i njohur për redaksinë), ka treguar se burri i saj vuante nga gurët në tëmth dhe i duhej t’i nënshtrohej një operacioni pasi gjendja e tij keqësohej çdo ditë e më shumë.

    Ajo tregoi se i kishte dorëzuar 240 euro në zyrën e kirurgut Isuf Zekaj, pasi ai ia kishte kërkuar burrit të saj në kompensim që ta fuste në operacion.

    “Dr Isufi i ka lyp 240 euro edhe masi u kry operacioni mua më ka thanë burri shko paguaj këtë shumë në zyre të mjekut”, tha qytetarja për Insajderin.

    Lexo edhe:

    Sipas saj, burri i kishte thënë se kjo ishte marrëveshja që kishte bërë me kirurgun Zekaj, para se të hynte në operacionin.

    “I kam thanë pse duhet me i dhanë këto pare ky nuk është spital privat, më ka thënë se kështu kemi marrëveshje me mjekun”, thotë qytetarja për Insajderin.

    Ndërsa, një person nga qyteti i Vushtrrisë i ka thënë Insajderit, se për të përshpejtuar operimin gruas së tij ishte detyruar që fillimisht t’i jap 100 euro kirurgut, pra Isuf Zekajt.

    Ai kishte shkuar në zyrën e tij dhe Zekaj kishte hapur sirtarin duke ia bërë me dije se aty duhet t’i vendos paratë.

    Personalisht e kam pas shoqen, mu ka desht me shku me kanë thanë me prit gjashtë muaj ma shume, fjalë mas fjale më thanë qe dikush po operohet më shpejte, më thanë që duhet me pagu ekstra për do klipa e mrezha 50 euro 100 euro. Edhe kur kam shku në zyre ai veç e ka hap fijokun, ia dhash 100 euro“, tha ai për Insajderin.

    Në mbrëmje të njëjtit i ishin dërguar edhe 300 euro, kësisoj në mëngjes bashkëshortja e tij u fut në operim.

    Ato 100 euro nuk kanë kry kurgja punë, në mbrëmje kam shku me i lan edhe 300 euro, masanej më kanë thirre të nestrit mem tregu që gruaja mundet me u operu direkt ditën e nesërme. Më thanë ia kemi ba diqysh se e pam që u shqetësojke edhe të nestrit u operu për gurë në tëmth tek qiky doktori Isuf Zekaj“, rrëfeu ai për Insajderin.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark